Te drejtat e pakicave në ambientin e kushtetutes se re në Mal të Zi

January 2, 2008   | Shtypi / Mediji

Integrimet pa asimilim, midis dëshirës dhe realitetit

Podgoricë – Më 13 e 14 dhjetor, në Podgoricë, u mbajt tryeza e rrubullaktë, në temën “Të drejtat e pakicave në ambientin e Kushtetutës së re”, me ç’rast u trajtuan shumë aspekte të realizimit të këtyre të drejtave, jo vetëm nga aspekti formal por edhe ai praktik. Siç dihet, Mali i Zi është i njohur për miratimin e Ligjeve që janë në harmoni me normat ndërkombëtare, mirëpo, po ashtu, është i njohur edhe për faktin se çalon në implementimin e tyre, çka ishte edhe në fokus të vemendjes së shumë pjesëmarrësve të kësaj tryeze.
Folës të rastit ishin profesor Nebojsha Vuçiniq, Sasha Zekoviq, Profesor Ivana Jeliq, përfaqësuesi i Ombduspersonit dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike në Mal të Zi. Në punën e kësaj tryeze mori pjesë edhe Nikollë Camaj, kryetar i LD-Dega e Malësisë dhe kryetar i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, i cili i prezantoi pikëpamjet e tij dhe të subjektit që ai i takon, tashmë të njohura për opinionin malazias dhe më gjërë, e që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, respektivisht me difernecën e madhe në mes të asaj që prezantohet e asaj që e hasim në jetën e përditëshme. Njëra ndër idetë kryesore të këtij tubimi ishte “Integrimi pa asimilim”. Sa i nevojshëm aq edhe i dëshiruar nga pjestarët e popujve pakicë.
Në këtë tubim u prezantua edhe anketa e CEDEM-it, lidhur me distancën etnike, rezultatet e së cilës, njëri nga pjesëmarrësit në këtë tryezë N. Camaj, i vlerësoi “si dëshpruese, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por do të duhej të shqetësonte edhe pushtetarët, të cilët, me sjelljen e vet ndaj atyre që dhanë kontribut të plot në formimin e shtetit, ndikuan që rezultati të jetë i tillë”. Ai, këtë e ilustroi me torturën ndaj qytetarëve shqiptarë, gjatë akcionit policor “Fluturimi i Shqiponjës” dhe me prononcimet e kreut shtetëror i cili, pa pritur rezultatet e gjyqësorit, të arrestuarit i shpalli terroristë.
“Sjellja brutale e pjesëtarëve të policisë, sidomos ndaj familjarëve të të arrestuarëve, ndaj pleqve dhe fëmijëve të pafajshëm, është dashur të nxiste reagime të institucioneve relevante, në radhë të parë Ombudspersonit, si mbrojtësit të autorizuar të lirive dhe të të drejtave të njeriut. Aq më parë, pasi që për një gjë të tillë reaguan institucionet më relevante ndërkombëtare”, veçoi ai, duke shtuar se “heshtja e institucioneve adekuate vendase ndaj sjelljes së këtillë, natyrisht se ndikoi në rritjen e distancës etnike ndaj shqiptarëve.
“Edhe uzurpimi i tokave dhe moskthimi i tyre, pronarëve të mëparshëm, si rasti i planatacioneve, bie fjala, janë dukuri të cilat e dëshmojnë qartë qendrimin ndaj të drejtave elementare njerëzore. Pushtetit malazias do të duhej që, në praktikë, e jo vetëm në teori, të dëshmojë ndryshimin e qendrimit ndaj kërkesave të qytetarëve (nëse ka?), aq më parë pasiqë fjala është për pjesëtarë të pakicave”, theksoi Camaj, duke insistuar në shkrimin origjinal të emrave personal dhe mbiemrave pa procedurë, pastaj shkrimi i toponimeve në shqip origjinal, (psh: nuk mund të qendrojë emërtimi Vuksanlekiqi për fshatin Vuksanlekaj, as Omerbozhoviqi për Omerbozhaj e shumë raste tjera, sepse fjala është për toponime që rrjedhin nga emra personash, ku prefiksi “iq”, nuk ka vend për shqiptarë), kurse në rastet kur toponimet përkthehen, si përshembull Nënhelm në Podhum e raste tjera të ngjashme, mund të shkruhen në të dy gjuhët.
Pasi që prof. Ivana Jeliq prezantoi Strategjinë për mbrojtjen e popujve pakicë, Camaj kërkoi që me strategji të sigurohen kuota për regjistrimin e studentëve shqiptarë si dhe kuota të duhura për punësim në institucione publike, në frymën e aksionit afirmativ. “Strategjia pra do të duhej të siguronte edhe implementimin, e jo vetëm formalisht të parashohë të drejtat që na takojnë dhe të kërkonte përgjegjësi për mosrespektimin e obligimeve që dalin nga kjo strategji, donëse as ajo, si e tillë, nuk i përmbushë standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave”, theksoi ai.
“Strategjia e propozuar duhet të merret rrënjësisht me çështjen e decentralizimit, si shtyllën kryesore të demkoratizimit të shoqërisë, në realizimin e të drejtave themelore, aty ku pakica është shumicë dhe autoktone. Pastaj, do të duhej të siguronte ekskluzivitet në ndonjë lloj prodhimtarie, me të cilën do të sigurohej ekzistenca në trevat ku ata jetojnë. Me këtë rast Camaj mori si shembull Laponët e Norvegjisë të cilët kanë të drejtë ekskluzive në prodhimet blegtorale, konkretisht në mbajtjen e deleve.
“Praktikë e deritashme në Mal të Zi ishte që integrimet të çonin drejt asimilimit dhe sdo mend se edhe kjo strategji le vend dhe mundësi të tillë. Integrimi pa asimilim, definitivisht mbeten midis dëshirës dhe realitetit” konstatoi Camaj.
Sidoqoftë, shqyrtimi i kësaj problematike në tubime dhe tryeza të ngjashme, me pjesëmarrje të individëve dhe përfaqësuesve relevenat gjithësesi avancon zgjidhjen e çështjes së pakicave në Mal të Zi.

http://www.kohajavore.cg.yu/

Gj. Dukaj