Intervistë me reisin e bashksisë Islame në Mal të Zi,Efendi Rifat Fejziq

January 2, 2008   | Intervista / Intervju

Statusi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi – më i mirë se para 15 vitesh

Rifat Fejziq u lind në vitin 1974, në Rozhajë . Shkollën fillore e kreu në Rozhajë, ndërsa të mesmen e filloi në Sarajevë dhe e përfundoi në Novi Pazar. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Fejziq regjistrohet në fakultetin e shkencave islamike në Izmir të Turqisë, të cilin e kreu me sukses. Është i martuar dhe ka dy djem.

Koha javore: Z. Fejziq sot është dita e parë e Kurban Bajramit, festës së madhe të myslimanëve. Cili është mesazhiJuaj drejtuar atyre që e lusin këtë festë, para së gjithash besimtarëve në Mal të Zi, por edhe në viset e tjera të botës?
R.Fejziq: Myslimanët në Mal të Zi janë pjesë e gati një milardë e gjysmë njerëzve në botë, të cilët sot i takojnë korpusit islam. Unë sot gjendem pikërisht në vendin e shenjtë, në Mekë, ku po vërej dhe mund të vërej myslimanë nga gjithë bota. Kjo është dëshmia më e qartë, se si Islami di tzi mposhtë të gjitha ndasitë. Sot në Mekë, mund të shikosh njerëz të ngjyrave të ndryshme, të kombësive dhe racave të ndryshme, njerëz që flasin gjuhë të ndryshme, por në anën tjetër mund të shohësh se, në zemrat e tyre, shumë lehtë mund të “merren vesh”, pa marrë parasysh barrierat gjuhësore, që ekzistojnë midis tyre. Andaj, në këtë vend të shenjtë, i cili gjeografikisht është si qendra e botës, dëshmohet qartë se çka do të thotë të jesh mysliman, çka do të thotë të jesh – Islam. Njëkohësisht, nga ky vend i shenjtë, shfrytëzoj rastin që përmes gazetës suaj tzu dërgoj urimet më të sinqerta të gjithë myslimanëve në Mal të Zi, por edhe të gjithë myslimanëve të botës, që në frymën e besimit dhe të traditës, në mënyrën më të mirë, ta festojnë këtë ditë – Kurban Bajramin.
Koha javore: Sot në Mal të Zi jetojnë së paku tri konfesione. Cili është statusi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi?
R. Fejziq: Siç thatë edhe ju, në Mal të Zi jetojnë tri konfesione. Statusi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi është më i mirë seç ka qenë para 15 vitesh. Sigurisht se ai mund të jetë edhe më i mirë. Pra, ende nuk është ashtu siç duhet. Ndryshe nga popujt shumicë të Malit të Zi, popujt pakicë që jetojnë në Mal të Zi kanë besime të ndryshme dhe anojnë nga ajo që marrëdhëniet të jenë në nivel të lakmueshëm dhe të gjithë të jemi të barabartë.
Koha javore: Çfarë do të thotë të jesh mysliman në Mal të Zi? Si ndihen Ju si mysliman?
R.Fejziq: Personalisht mendoj se asnjë mysliman nuk duhet të ketë komplekse, sepse i takon një besimi, siç është Islami. Sot në botë Islami është njëra nga fetë më të mëdha. Pothuaj szka shtet në botë që nuk ka pjesëtarë të Islamit. Unë si mysliman në Mal të Zi ndihem mirë dhe mburrem se jam mysliman. Dikur në Mal të Zi ka qenë vështirë të jesh mysliman, por janë duke ardhur kohë më të mira dhe për këtë jam i bindur.
Koha javore: Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohet Bashkësia Islame në Mal të Zi ?
R.Fejziq: Sa i përket problemeve me të cilat ballafaqohet Bashkësia Islame në Mal të Zi, ato janë të mëdha. Arsyeja është se ne kemi ardhur nga një periudhë komuniste, në të cilën të gjitha bashkësitë fetare kanë qenë të lëna pasdore. E pra, feja është pjesë përbërëse e çdo populli dhe çdo njeriu. Në të gjitha shoqëritë, feja dhe besimi, ndikojnë shumë në disa drejtime pozitive. Kur e them këtë, i kam parasysh njerëzit që jetojnë në këtë rajon, por po shkohet nga ajo që pikërisht njerëzit ta njohin fenë. Ne këtu ende nuk e kemi të rregulluar me ligj çështjen e besimit dhe ende bazohemi në ligjin e periudhës komuniste. Pasurinë e Bashkësisë Islame e kemi të nacionalizuar dhe mendoj se të njëjtin problem e kanë edhe bashkësitë e tjera fetare. Ajo pasuri, si dhe shumë gjëra të tjera, ende nuk na janë kthyer. Pastaj edhe financimi i bashkësive fetare do të duhej që të rregullohej përmes buxhetit.
Koha javore: Çfarë bën Bashkësia Islame për ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë Islame në Mal të Zi ?
R. Fejziq: Ne punojmë shumë për ruajtjen e Islamit, kulturës Islame dhe trashëgimisë së saj në Mal të Zi. Përmes ruajtjes së traditave dhe zakoneve fetare, përmes ruajtjes së atyre objekteve fetare që kanë vlera historike, përmes restaurimit të objekteve të vjetra fetare, përmes ruajtjes së kulturës fetare dhe shumë gjërave të tjera, ne po punojmë në mënyrë aktive për ruajtjen e trashëgimisë së myslimanëve këtu në Mal të Zi.
Koha javore: Në kohën e fundit po flitet mbi paraqitjen e disa rrymave të reja brenda Islamit, fjalën e kam për vehabizmin etj. Cili është qëndrimi i Bashkësisë Islame lidhur me parqitjen e këtyre rrymave?
R.Fejziq: Sa i përket Bashkësisë Islame, ne disa herë e kemi shprehur qëndrimin tonë dhe ai është absolutisht i qartë. Duke shikuar bashkësitë islame të rajonit, në kuadër të Meshihatit të Bashkësisë Islame për myslimanët në Mal të Zi, ne kemi nxjerrë Rezolutën mbi shpjegimin e Islamit. Andaj, ne nuk kemi kurrfarë dilemash. Ne mendojmë se paraardhësit tanë, që kanë qenë në funksione kyçe brenda Bashkësisë Islame dhe ata njerëz të cilët më tepër se 500 vite i kanë takuar Islamit, kanë qenë absolutisht autentikë dhe kanë qenë në rrugë të drejtë. Prandaj, ne punojmë në ruajtjen e një Islami të këtillë, çfarë e trashëguam. Mendoj se Islami është plot demokraci. Në Islam ekzistojnë edhe mendime të ndryshme. Në fund të fundit, Islami atë e mundëson. Jam i bindur se disa rryma të caktuara dhe disa njerëz të caktuar nuk e njohin sa duhet Islamin dhe shumë herë ata devijojnë. Ne për këtë e kemi qëndrimin tonë. Ky qëndrim nuk është vetëm yni, por edhe i të gjitha bashkësive islame në rajon dhe më gjerë. Ne si Bashkësi Islame kemi marrëdhënie të mira me të gjitha bashkësitë islame të botës. Në fund të fundit, në përgjithësi, ne jemi pjesë e Islamit të botës.
Koha javore: Bashkësitë fetare kërkojnë futjen e mësim-besimit në shkolla. Cili është qendrimi i Bashkësisë Islame ?
R.Fejziq: Ne nuk kemi asgjë kundër. Pak më lart thashë se nuk e kemi njohur sa duhet religjionin e shekullit të XX, pastaj u shfaq përnjëherë dhe atëherë ndoshta filluan interpretime paksa në mënyrë të shtrembëruar pët të gjitha komunitetet fetare, kështu që asohere na u shfaqën disa njerëz, të cilët deri dje kishin pasur libreza të kuqe dhe që menjëherë u bënë myslimanë kryesorë, njësoj siç ndodhi edhe në konfesionet e tjera.
Kësisoj, njerëzit shpesh devijojnë në këtë drejtim. Mendoj se duhet të ekzistojë një vazhdimësi e njohjes së konfesionit, që konfesioni, natyrisht, të mos keqpërdoret për çfarëdo qëllimesh. Ne do ta shikonim me dashamirësi futjen e mësim-besimit në shkolla.
Koha javore: Islami dhe myslimanët sot, shpesh, para së gjithash jashtë botës islamike, po identifikohen me terrorizmin. Sipas Jush, sa kanë ndikuar aktet terroriste, që janë bërë në emër të besimit?
R.Fejziq: Në takimet në të cilat kam marrë pjesë, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, disa herë e kam thënë: asnjë besim dhe asnjë komb nuk e ka terrorizmin e vet. Andaj, terorizmi nuk ka as besim, as komb.
Terrorist mund të jetë një njeri nga cilido popull dhe një njeri që mban emrin e cilitdo religjion. Kështu që Islami, konkretisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje me terrorizmin. Vetëm në Europë sot kemi sa e sa organizata terroriste. Në botë janë me qindra, mijëra organizata terroriste dhe asnjërës nuk i atribuohet as besimi, as kombi. Andaj, duhet kuptuar se dikush që mban emër mysliman mund të jetë terrorist, por nuk mund të jetë terrorist Islami dhe nuk mund ta bëjë atë në emër të besimit. Nuk bën që në bazë të 10-15-20, apo 100 personave, të fajësosh një miliardë e gjysmë njerëz.
Koha javore: Si qëndron bashkëpunimi i bashkësive islame në rajon, konkretisht si qëndron bashkëpunimi i BI të Malit të Zi me atë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë ?
R. Fejziq: Jashtëzakonisht mirë. Me këtë rast dua të tregoj se kemi marrëdhënie të mira me të gjitha bashkësitë fetare në rajon. Gazeta juaj është e para përmes së cilës mund të paralajmërojmë se në mars të vitit të ardhshëm ne do të jemi mikpritës të takimit të të gjithë liderëve të besimit Islam në rajon. Kjo më së miri tregon se çfarë marrëdhëniesh kemi me bashkësitë e tjera islame. Konkretisht, në pyetjen tuaj se çfarë marrëdhëniesh kemi me BI-në e Shqipërisë, pastaj të Kosovës dhe atë të Maqedonisë, personalisht mund të them se i kemi të mira. Disa herë kam qenë në vizitë te kryemyftiu i Shqipërisë, z. Selim Muça, pastaj kam qenë në vizitë edhe te kryemyftiu i Kosovës, z. Naim Tërnava, i cili vitin e kaluar ishte edhe mysafiri ynë. Po ashtu jam mik edhe me myftiun e posazgjedhur të BI të Maqedonisë, z. Sulejman Rexhepin.
http://www.kohajavore.cg.yu/ Bisedoi: Rr.Dushaj

1