Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, tha ambasadori malazez në Kroaci

January 2, 2008   | Lajmet / Vijesti

Podgoricë, 26 dhjetor Partitë politike proserbe në Mal të Zi kërkuan nga Parlamenti malazez miratimin e një rezolute ku do t’i jepte mbështetje Serbisë në ruajtjen e Kosovës si pjesë integrale të saj. Kjo është përpjekja e tretë e partive proserbe në Mal të Zi që përpiqen të imponojnë një rezolutë kundër pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, shumica parlamentare në Mal të Zi i ka injoruar kërkesat e tyre dhe ata jo vetëm që nuk e kanë përfillur kërkesën për një rezolutë të tillë, por nuk kanë marrë asnjë fazë debati për çështje të Kosovës. Ndërkaq, zyrtarët e lartë të Podgoricës mbështesin çdo zgjidhje të çështjes së Kosovës duke nënvizuar se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sipas rekomandimeve të bashkësisë evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke sugjeruar se ata nuk do të ndërhyjnë dhe nuk do të vëhen në pozitë që t[i ndihmojnë Serbisë apo Rusisë. Ata thanë se interesi i Malit të Zi është në bashkësinë evropiane. Ndërkaq ambasadori malazez në Kroaci Branko Vukovac para pak ditësh tha se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Ai tha se nuk ka kthim prapa dhe se Kosova duhet të pavarësohet njëherë e përgjithmonë.

http://www.kosova.com/