Intervistë me Ismet Karamanagën,kryetar i shoqatës së miqve të kalas

January 6, 2008   | Intervista / Intervju

Kalaja e Ulqinit e ka vendin në UNESCO

Koha javore: Z. Karamanaga, çfarë ka bërë deri tani Shoqata “Kalaja” në mbrojtjen, ruajtjen dhe prezantimin e vlerave të Kalasë së Ulqinit?
I. Karamanaga: Që në vitin 1995 kur e kemi themeluar këtë shoqatë multietnike, shumëkonfesionale, me një qëndrim kosmopolit, qëllimi ynë kryesor ka qenë ruajtja dhe mbrojtja e Kalasë tonë, si dhe futja e saj nën mbrojtje të UNESCO-s, d.m.th. si një vlerë universale për tërë njerëzimin. Ne mendojmë se pa dyshim Kalaja jonë e ka vendin aty, sepse ajo është një ndër kalatë më të vjetra dhe më të bukura në Mesdhe. Kështu thotë Plini Plaku, por edhe shumë personalitete të tjera që kanë jetuar në këto treva.
Kalaja jonë është vlerë universale, një kombinim prej shkëmbit dhe gurit, d.m.th. diçka çfarë dora e njeriut e ka punuar në mënyrë të mrekullueshme duke filluar prej atyre muranave apo mureve ilire, të cilat unë nuk i quaj greko-ilire, por ashtu siç janë, pra ilire, sepse grekët kanë punuar për ilirët. Këto mure i përshkruan edhe Plini Plak, i cili thotë se Kalaja jonë është ndërtuar në shekullin V p.e.s.
Ne mundohemi ta ngrisim nivelin e jetesës dhe qytetërimit në Kala, ashtu siç ka qenë dikur dhe mundohemi tzia kthejmë vlerat universale të cilat i ka pasur Kalaja shekuj me radhë.

Koha javore: Megjithatë është fakt se Kalaja e Ulqinit ndodhet sot shumë larg hyrjes në UNESCO, ndoshta edhe më larg seç ishte në vitin 1995, pra në kohën e themelimit të Shoqatës “Kalaja”?
I. Karamanaga: Ne jemi munduar dhe e kemi fituar prej të gjitha institucioneve relevante përkrahjen që ta radhisim Kalanë tonë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Mirëpo, ka kaluar një kohë e gjatë dhe ne nuk mund të radhitemi nën mbrojtjen e UNESCO-s, sepse ne nuk kemi të holla. Për tzu radhitur nën mbrojtjen e UNESCO-s duhet të kandidoheni. Neve na mungojnë planet, hartat, mungon një monografi e këtij qyteti, mungojnë shumë gjëra të cilat na frenojnë ne, na largojnë prej UNESCO-s.
Për hir të vërtetës dua të them se edhe ne si kalalinj kemi ndikuar që të jemi sa më larg UNESCO-s, duke përdorur plastikën, duke ndërtuar dritaret e mëdha, ashtu siç nuk e lejon ligji, dhe duke mos respektuar Ligjin Republikan për mbrojtjen e monumenteve të kulturës. Unë nuk i fajësoj vetëm qytetarët të cilët punojnë në mënyrë stihike, por edhe institucionet përkatëse të cilat duhet të kenë kontroll në Kala, duke filluar që nga institucionet Republikane si Enti për Mbrojtjen e Monumenteve nga Cetina, pastaj Komuna e Ulqinit. Ne jemi me të vërtetë nën mbrojtjen e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve nga Cetina, por Kalaja i takon Ulqinit.
Unë kam kërkuar shpesh ndihmë nga inspeksionet, sepse në Kala ndërtohen shtëpi me tulla, në çdo hap përdoret betoni, suvatohen muret dhe përdoret plastika, por edhe shumë gjëra të tjera që janë në kundërshtim me ligjin. Ligjet ekzistojnë, por ne nuk i respektojmë. Në fushën legjislative, ne i kemi të gjitha ato çfarë i kërkon bota, por ne nuk kemi disiplinë. Kjo është ajo çfarë na mungon edhe neve në Kala.

Koha javore:
Si e shihni daljen nga kjo gjendje? Çfarë hapash duhet ndërmarrë për të realizuar synimin kryesor, futjen e Kalasë së Ulqinit nën mbrojtjen e UNESCO-s?
I. Karamanaga: Ndër hapat kryesorë është që pushteti vendor të vendosë në buxhetin e komunës një zë, ku duhet të caktohet një shumë e të hollave për revitalizimin, restaurimin e Kalasë, ashtu siç janë restauruar Kalaja e Budvës, Kotorrit e edhe ajo e Tivarit. Më duhet ta pranoj se pushteti vendor ka dhënë këtë vit një kontribut të madh në përmirësimin e infrastrukturës. Ne kemi tani drita, muret janë pastruar nga një grup nga Nikshiqi, kështu që Kalaja nuk ka më mbeturina të cilat i kemi hedhur ne pas bedeneve, sepse nuk i ka sjellur askush nga jashtë. Bedenet tani janë të pastra e edhe Kalaja sot është e pastër.
Por ne nuk jemi të kënaqur me atë çfarë bën Komuna në këtë pikëpamje, sepse siç e thashë, Kalasë i nevojiten mjete.
Pra, ajo çfarë mungon është kandidimi nën mbrojtjen e UNESCO-s. Për këtë qëllim duhet të hartohen harta, monografi, si dhe duhet të bëhen edhe mjaft gjëra të tjera, sepse përndryshe nuk mund të kandidoni.
Të gjithë duhet pasur parasysh faktin se në qoftë se Kalaja e Ulqinit hyn nën mbrojtjen e UNESCO-s, do të ketë dobi Ulqini por edhe Mali i Zi në përgjithësi.

Koha javore: Cilat janë projektet më të rëndësishme që ka realizuar deri tani Shoqata “Kalaja”?
I. Karamanaga: Projekti më i madh është pa dyshim kalldrëmimi i rrugës së hyrjes së sipërme të Kalasë dhe një pjese të rrugëve të Kalasë deri te Sheshi i Servantesit. Ndihmesë të madhe në këtë projekt ka dhënë IRD-ja, kurse ne si qytetarë kemi kontribuar me 6 600 euro. Por projekti nuk është përfunduar tërësisht pasi që nuk është mbaruar hyrja te porta e Kalasë. Për këtë arsye, projekti nuk është pranuar teknikisht. Ky është projekt madhështor të cilin e kemi realizuar ne dhe për këtë jemi shumë krenarë.
Ne kemi realizuar edhe disa projekte të tjera. Njëri prej tyre është ndërtimi i mureve në anën jugore tek Pallati i Venedikut.
Një projekt tjetër me rëndësi është publikimi i udhërrëfyesit për mysafirë.

Koha javore: Pikërisht kur flasim për këtë, shpesh herë ndodh të shtrembërohen faktet apo të dhënat historike sa i përket prezantimit të Kalasë. Çfarë mendoni se duhet bërë për prezantimin e historisë së vërtetë të Kalasë dhe sa do të ndikojë ky udhërrëfyes në këtë drejtim?
I. Karamanaga: Është e vërtetë se neve na vijnë grupe me ciceronë nga Budva apo Podgorica, të cilët flasin në mënyrë negative apo ashtu siç nuk është për historinë tonë. Ne duhet të flasim historinë e vërtetë dhe jo historinë të cilën e shkruan politika e përditshme.
Për këtë arsye edhe nuk jam i kënaqur me punën e Muzeut, ku flitet për këtë histori.
Nga ana tjetër, mendoj se Muzeu duhet të reformohet dhe të ndahet prej Qendrës së Kulturës. Duhet të jetë njësi e posaçme, kurse emrat e eksponateve duhet të shkruhen edhe në gjuhën angleze. Ai është një muze shumë i bukur sikur të kishte kush ta udhëhiqte dhe duhet të jetë natyrisht në një nivel më të lartë sepse vizituesit do ta vizitonin sikur të kishte kush tzua shpjegonte historinë.
Dua të them edhe diçka tjetër lidhur me Muzeun. Pjesa e Muzeut ku gjendet Kalaja, siç e quajmë ne, është e paprekur. Ajo pjesë mund të radhitet nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Koha javore: Dhe një pyetje e fundit lidhur me turizmin pasi që jeni punëtor i vjetër i turizmit. Cili është vlerësimi Juaj rreth sezonit të sivjetshëm turistik?
I. Karamanaga: Unë nuk jam i kënaqur sepse ky është një sezon i shkurtër. Po ashtu ne duhet të luftojmë për një turizëm kualitativ, jo kuantitativ.
Në përgjithësi ne duhet të luftojmë që të na vijnë mysafirë të huaj. Punëtorët e turizimit në Ulqin duhet të marrin pjesë nëpër panaire, por edhe nga panairet duhet të vijnë me kontrata, e jo të dalin atje, siç e them unë, të shtrojnë sofra dhe të thonë se e prezantojnë Ulqinin.
Në këtë mënyrë Ulqini nuk ka nevojë të prezantohet. Duhet bashkëpunuar me ministrinë përkatëse të turizmit. Ministri i turizmit, Predrag Neneziq, si duket nuk sheh asgjë tjetër jashtë Budve dhe Podgorice. Por ne duhet të bashkëpunojmë me to dhe të mos ndodhë si në vitin 2006 kur Mali i Zi është prezantuar pa Ulqinin në Panairin e Turizmit në Beograd. Ulqini është në Mal të Zi, kurse ne si popull shqiptar dhe si qytet kemi dhënë kontribut të madh që ky shtet ta ngrisë flamurin e tij në East River në Nju Jork. Për këtë arsye duhet të na konsiderojnë si të gjitha qytetet tjera.

Bisedoi: I. Kallaba

Koha javore