Shpejtove, miku im, dhe e anashkalove dukurinë

January 7, 2008   | Shtypi / Mediji

Polemikë

Ishte ditë feste dhe posa isha kthyer nga vendlindja, ku isha në vizitë te të afërmit e mi. Para muzgut ra telefoni, dhe ja, një mik imi, gazetar, më njoftoi për reagimin dhe njëkohësisht më tha se Radio Ulqini ka organizuar emision special kushtuar figurës së Gjergj Gjokaj-t dhe se gjendet në arkivin e Radios. E falënderova dhe dola të marr gazetën. Mendova, si është e mundur që miku im, Nikolla, nuk më ka njoftuar se do të reagojë në tekstin tim, dhe se çka do të ishte temë dhe qëllim i reagimit.
Nga titulli i artikullit pashë se miku im, Nikolla, s`ia kishte takuar fare asaj që unë tërë kohën isha munduar të paraqes në tekstin tim – një dukuri negative e cila për fat të keq po e përcjell Malësinë kohëve të fundit dhe e cila po thellohet vazhdimisht.
Miku im, Nikolla, kryekëput ishte marrë me kronologjinë e aktiviteteve të organizuara për veprimtarin e shquar, Gjergj Gjokaj.
Nga respekti për të ndjerin Gjergj, nuk dua të polemizoj me rastin konkret, se nuk kam dëshirë që emri i një njeriu që luftoi ndarjet në përgjithësi, e ato konfesionale në veçanti, të shfrytëzohet për këtë shkrim, të cilin nuk do ta quaja as reagim por një apel drejtuar gjithë atyre që kjo dukuri i brengosë dhe jane të gatshëm që të ndërmarrin hapa konkretë në zhdukjen e një sindromi me pasoja te padëshiruara për të gjithë ne.
Miku im, Nikolla, po të kishte dashur të vërejë atë që i ndjeri Gjergj vërejti me rastin e zbulimit të trupores së Nënë Terezës, nuk do të mundohej me çdo kusht të mbrojë atë që syri lehtë e ka dalluar. Çuditërisht këtë nuk ka mund ta vërejë as në inçizimin e kameramanit të TV-Boin-it.
Miku im, Nikollë, në shkrimin tim, çdokush ka mundur të përcaktojë qëllimin e reagimit tim dhe asnjëherë nuk jam munduar të mohoj atë që ju keni bërë për figurën e të ndjerit Gjergj, nga momenti i vdekjes gjer më sot. Po e them edhe tani, se është për t`u lavdëruar puna që keni bërë ju për këtë periudhë. Në anën tjetër dua të them edhe atë, që periudhës nga viti `90 gjer në vitin `97 , që ishte periudhë mjaft e rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi, kur unë bashkëpunova me të ndjerin Gjergj, nuk i është kushtuar rëndësi e posaçme. Gjysma e dytë e viteve `90 është mjaft e trazuar, njerëzit përcilleshin hap pas hapi, ndërsa aktivitetet e intelektualëve në trevat shqiptare studjoheshin nga sistemi i atëhershëm ende monist. Ishte vështirë t`i tubosh intelektualët, sepse ekzistonte friga nga pasojat që mund të kishin. Këtu dua të përmend kontributin e madh që dha Shoqata Kulturo Artistike “Malësia” me koncertet e veta në tërë trevat e banuara me shqiptarë. Njerëzit u tubuan, sallat u mbushën plot e përplot, guximi filloi tia zëjë vendin frikës, edhe pse syri i pushtetit vazhdonte të vështronte dukuritë e reja. Më kujtohet një koncert që u mbajt në Ulqin në sallën verore në Ranë. Gjatë koncertit, nga lart, pra nga përmendorja, na gjuanin me gur. Kjo dhe shiu që filloi më vonë, jo që nuk e larguan popullin, por ata qëndruan besnikë deri në fund të koncertit, duke u duartrokitur këngëtarëve patriotë shqiptarë. E them me plot zë këtë, sepse këndoheshin këngë patriotike dhe atë për të parën herë në këto treva. Pra, në këtë kohë dhe në këto rrethana janë mbajtur mbledhjet parapërgatitore për themelimin e asociacionit të parë shqiptar, pra Forumit Demokratik dhe subjektet e tjera politike shqiptare. Kjo me siguri ka ndodhë ngase nuk kërkuat informacione të hollësishme nga ata me të cilët Gjergji bashkëpunoi vite me radhë.
Se sa unë e nderova Gjergjin për së gjalli dhe çfarë bëmë për periudhën shtatëvjeçare nuk ju interesoi fare, edhe pse unë z. Fran i ofrova bashkëpunim. Ai mu përgjigj se “nuk planifikojmë të bëjmë ndonjë publikim të veçantë për këtë”. Bile ua dërgova edhe një fotografi, ndoshta pak me vonesë, por e cila nuk gjeti vend në publikimin tuaj. Unë për këtë as që kisha dëshirë të flisja, por ma imponuat.
Mund të them se kur Gjergji vinte në Ulqin destinacioni kryesor ishte shtëpia ime, ku edhe i mbanim të gjitha mbledhjet përgatitore, hartonim kumtesa për opinion si dhe mbanim mbledhjet e Kryesisë së Forumit Demokratik, ku në mes të tjerëve bënin pjesë: i ndjeri Elez Nikeziqi, Shaban Dollaku, Mustafë Çapuni, Nikë Palkola e Elez Lamoja, i ndjeri Sulejman Gjoni etj.. Gjergji ishte mirënjohës për të gjitha dhe sa herë që të tjerët e ftonin, ai thoshte se “unë më së miri ndihem te Meti, meqë bashkëshortja e tij është nga Malësia dhe mbesë e Gjokajve”.
Edhe kur ishte në spitalin e Kamenicës kontaktoja me të ose me familje për çdo ditë. Unë jam i lumtur për bashkëpunimin korekt dhe miqësor si dhe për atë që bëra për një personalitet siç ishte Gjergji. Për, këtë do të duhej të flasin ata të cilët herëpashere merrnin pjesë në aktivitetet e asociacioneve të atëhershme shqiptare. Këta i ke të njohura edhe ti, Nikollë, si anëtar i Forumit.
Unë në tekstin tim e kam cekur se rasti i Akademisë përkujtimore, është marrë si rast drastik, ku nuk është dashur të ndodhë kjo dukuri e shëmtuar. Pothuajse në fund të tekstit theksova se ky ka qenë një lëshim dhe se ndasitë datojnë më heret, dhe se fajtorë jemi të gjithë ne etj. etj. Heshtja dhe zhytja e kokës në rërë, për këtë dukuri, do të jetë edhe më e rrezikshme. Kjo ka të bëjë jo vetëm me rastin konkret, por, për dukurinë e përmendur
në përgjithësi.
Komentet e intelektualëve për këtë tekst, sidomos nga Malësia, kanë qenë se e ke vërejtur një dukuri dhe pajtohen me atë që duhet luftuar me të gjitha mjetet.
Kuptoj, miku im, se ti, si njëri nga organizatorët, e ke komentuar Akademinë përkujtimonre ashtu siç e e ke konceptuar ti, por nuk duhet harruar atë, se ata që janë anash vërejnë më shumë, siç ndodh psh. edhe në lojën e shahut, apo, jo.
Çudit fakti se shumë pak, për të mos thënë aspak, nuk je marrë me mënyrën e evitimit të dukurisë që po merr përmasa marramendëse. Ndërkaq poenta ime ishte pikërisht aty, te gjetja e mënyrës së evitimit së kësaj dukurie. Këtë e kam bërë kurdo dhe kudo që kam patur mundësi . Pra, nuk qëndron fakti se nuk e kam ngritur zërin për atë që ka ndodhur në Unionin Demokratik, në degën e Malësisë. Kam sygjeruar që të mos bëjmë ndërrime kadrovike për ato zgjedhje dhe jam i bindur se po të më kishin dëgjuar miqtë e mi nga Malësia, punët do të kishin rrjedhur krejt ndryshe. Se qëllimi im ishte në të mirën e malësorve dhe njëkohësisht të krejt subjektit politik, dëshmon edhe miqësia ime e vazhduar me të gjithë malësorët që u larguan aso kohe nga UDSH. Dera ime është e hapur për të gjithë, por edhe unë jam i mirëpritur nga të gjithë .
Në tekst e kam cekur, se edhe këto ngjarje me siguri kanë ndikuar në ftohjen e marrëdhënieve ndërkonfesionale. Por, a thua vallë duhet të pajtohemi me këtë? Me siguri jo, dhe duhet të kemi kujdes që në organizimet e tubimeve të ndryshme, të jemi shumë të kujdesshëm, ashtu që të mos lëmë hapësirë për lëshime të tilla. Rasti i paraqitur nga i ndjeri Gjergj ka ndodhur në kohën kur këto ndasi nuk ishin të theksuara fare. Çka do të thotë kjo? Është lehtë të konkludohet, se lëshimi i organizatorit ka pru, edhe atëherë, deri te ajo që autori e përshkruan. Kështu pra, edhe rasti i fundit mund të cilësohet si një lëshim i organizatorit. Po ta pyesim veten: pse i ndjeri Gjergj ngriti zërin për këtë, çka iu desh atij kjo? A e kishte më lehtë të heshtëte?
Me siguri që ma lehtë do ta kishte të mos e kishte përshkruar këtë dukuri fare, por si intelektual i rrallë ai nuk ka mundur të heshtë, sepse e ka cilësur dukurinë si rrezik me pasoja të mëdha. Pra, i takon intelektualit të ngrisë zërin, të gjejë shkakun dhe të inicojë mënyrën se si duhet luftuar dukuritë që i sjellin dëm kombit. Tani nuk mbetet tjetër, por veç ta pyesim veten, se a duam të merremi me këtë dukuri, apo duam të rrijmë duar kryq?
Jam i sigurt se pohimi im dhe mohimi yt, për rastin konkret, nuk do të na çojë te evitimi i dukurisë, por është angazhimi im e yti dhe i të gjithë njerëzve qëllimmirë ai që do të çojë drejt harmonizimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndërkonfesionale. Cilët janë hapat konkret të cilët duhet ndërmarrë në këtë drejtim? A thua duhet organizuar një tryezë të rrumbullakët të intelektualëve për të caktuar mënyrën e veprimit?
Unë jam i mendimit se po. Nëse duam që intelektualët t`i paraprijnë evitimit të këtij problemi brengosës. Mendoj se aktivizimi i Forumit Demokratik do të mund të harmonizojë marrëdhëniet ndërnjerzore dhe ndërkonfesionale, do të ulë tensionet ndërmjet subjekteve politike etj. Pra, e kam fjalën për Forumin si një trup mbipartiak, ashtu siç ishte edhe në fillim. Me siguri se nuk do të jetë punë e lehte kjo, sepse duhet ditur se, para dhjetë vitesh, kur vepronin vetëm dy parti shqiptare, puna e Forumit u bllokua nga subjekti i parë politik shqiptar, LD në MZ. A thua sot, kur në trevat shqiptare në Mal të Zi veprojnë gjashtë parti politike dhe përmbi njëqind OJQ, ka nevojë për një subjekt i cili do të sublimojë qëndrimet e partive politike, OJQ-ve dhe të tjerëve, me qëllim që para opinionit të dilet me një qëndrim. Është kjo më se e nevojshme dhe kërkesë e ndërkombtarëve, e sidomos e diasporës sonë, e cila shfrytëzon çdo rast për të bërë apel për harmonizim të marrëdhënieve dhe redukim të partive politike përmes bashkimit të disa partive në një, ashtu që të mos kemi më shumë se dy, eventualisht tri partive politike.
Të gjithë e dimë se, derisa për gjërat madhore nuk do të flasim me një zë, kurrë nuk do ta realizojmë atë që populli pret prej nesh vite me radhë – realizimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.

http://www.kohajavore.cg.yu/ Mr:Met Gjoni

Ulqini me shumë galeri por pa asnjë kinema

Qyteti i Ulqinit, i cili stinën e dimrit, pothuajse është i fjetur për sa i përket aktiviteteve kulturore disponon galeri arti,por ndërkohë që nuk ka asnjë kinema. Të vetmen gjallëri ky qytet e njeh në stinën e verës, falë detit dhe anës turistike që ka. E vetmja kinema, që ishte dhe që shikohej dhe si një alternative për të kaluar kohën e lirë nga qytetarët ulqinakë, tashmë është kthyer në bingo dhe kazino. E ndërsa vazhdojnë të hapen galeri arti, askush nuk e merr iniciativën për të hapur një kinema. Kjo për arsye se galeritë e artit vizitohen në raste ekspozitash vetëm nga njerëzit e artit.Ndryshe nga përpjekjet që po bëhen në hapjen e galerive,Ulqini vijon të mos ketë asnjë kinema.Një kinema, njëra prej tyre verore që ka egzistuar në plazhin e vogel edhe ajo asht mbyllur për shkak të frekuentimit të dobët.

1