Kuvendi i Kosovës miraton qeverinë e re

January 9, 2008   | Rajoni / Region

Paralmenti i Kosovës ka miratuar të mërkurën qeverinë e re të Hashim Thaçit dhe ka rizgjedhur Fatmir Sejdiun si president.Për z.Thaçi dhe kabinetin e tij qeveritar kanë votuar 85 deputetë nga 112 sa ishin në sallë. Komandanti i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të udhëheqë qeverinë e koalicionit PDK-LDK për një mandat katërvjeçar. Kabineti i z.Thaçi do të ketë dy zëvendëskryeministra, Hajredin Kuçin nga Partia Demokratike dhe Ramë Manajn nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Shtatë ministri do të udhëhiqen nga PDK-ja, pesë nga LDK-ja ndërsa tri të tjera u janë lënë pakicave, prej të cilave dy pakicës serbe ndërsa një pakicave të tjera.

Kuvendi ka zgjedhur sot edhe kryetarin dhe kryesinë e Parlamentit.

Në krye të organit ligjvënës të Kosovës do të jetë Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm PDK-së.

Rizgjidhet Sejdiu

Ndërkohë, Fatmir Sejdiu është rizgjedhur president i Kosovës për një mandat pesëvjeçar. Për zotin Sejdiu, 56 vjeç u votua tri herë, pasi në dy raundet e para ai nuk arriti të marrë dy të tretat e votave.Në raundin e tretë për të votuan 68 nga 118 deputetë sa ishin të pranishëm në sallë.Kandidati tjetër për postin, Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, morri 39 vota.Për miratimin e kandidaturës së presidentit nevojiteshin 2/3 e votave.

Presidenti i dytë

Fatmir Sejdiu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është president i dytë i Kosovës.Ai pasoi në post në shkurt të vitit 2006 Ibrahim Rugovën, pasi ai u nda nga jeta.Para votimit të së mërkurës në parlamentin e ri të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e nëntorit, z. Sejdiu ishte ende në mesin e mandatit të parë presidencial.

www.bbc.co.uk/albanian