Bisedë me trajnerin e klubit

January 21, 2008   | Sporti / Sport

Problemet financiare pengojnë arritjen e sukseseve më të mëdha

Koha javore: Z. Ujkashi, si e vlerësoni zgjedhjen Tuaj si trajneri më i mirë në Ulqin për vitin 2007?
A. Ujkashi: Zgjedhja ime si trajneri më i mirë në vitin 2007 ishte një kompliment shumë i madh, por që njëkohësisht kërkon një angazhim edhe më të madh në të ardhmen. Sa i përket vitit 2007 unë si trajner kam arritur të ruajë kontinuitetin e rezultateve të Klubit “Albulena” vite me radhë. Në këtë aspekt dua tzju kujtoj se zgjedhja e sportistit më të mirë të Ulqinit u bë në vitin 2003, ku sportisti më i mirë për këtë vit u shpall Anel Beganoviq i Klubit “Albulena” dhe punëtori më i mirë i sportit u zgjodha unë.
Në vitin 2004 sportisti më i mirë u zgjodh Jasmin Hoti po nga “Albulena”.
Në vitin 2006 nuk është mbajtur zgjedhja e sportistëve më të mirë, por edhe atë vit unë besoj që rezultatin më të mirë e ka pasur Shkelzen Bisha, kampion i dyfishtë i Ballkanit. Ndërsa në vitin 2007 sportisti më i mirë u zgjodh Anel Beganoviq, sportistja më e mirë Xheneta Vuçiq dhe trajneri më i mirë unë, të gjithë nga “Albulena”.
Në vitin 2007 nga “Albulena” kemi pasur tetë përfaqësues shtetërorë. Shumë medalje të niveleve shtetërore, disa medalje ndërkombëtare të turneve dhe kupave të ndryshme, ndërsa nga kampionatet e rregullta tri medalje të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta. Medaljet e arta i fituan Anel Beganoviq, kampion i Mediteranit, dhe Xheneta Vuçiqi dhe Shkelzen Bisha kampionë të Ballkanit.

Koha javore: Si e vlerësoni sportin shqiptar në Mal të Zi gjatë vitit 2007?
A. Ujkashi: Sportin shqiptar në Mal të Zi e vlerësoj si një kulturë me perspektivë shumë të madhe për ne shqiptarët. Ka me të vërtetë rezultate shume të mëdha. Këtu mund të nënvizoi sportet luftarake të cilat me të vërtetë kanë arritje të shumta.Mirëpo, mungesa financiare e klubeve pengon arritjen e sukseseve më të mëdha. Mendimi im është se të gjitha institucionet kompetente në Mal të Zi duhet të kontribuojnë në avancimin e sportit sepse sporti është edukimi më i mirë për brezat e ardhshëm.

Koha javore: Po rezultatet e klubeve nga Ulqini?
A. Ujkashi: Mund të ceki rezultatet e tre klubeve të karatesë në Ulqin, të Klubit të juijitsu-së, sukseset e klubeve të taekwondosë, si të klubit “Besa” nga Tuzi, ashtu edhe të klubit të ri të taekwondo-së “Ulqini” të cilët kanë arritur rezultate shumë të mira. Gjithashtu të kënaqshme janë edhe rezultatet e basketbollit dhe të futbollit.

Koha javore: Cilat janë planet për vitin e ardhshëm?
A. Ujkashi: Planet për vitin e ardhshëm janë që të vazhdohet kontinuiteti i sukseseve dhe pjesëmarrjet e shumta në gara të niveleve ndërkombëtare. Këtë vit kemi në plan që për herë të parë të startojmë me pjesëmarrje në gara me Klubin e Kick Box-it “Albulena”, pjesëmarrjen në turneun ndërkombëtar të rangut botëror “Croatia Open 2008” në Zagreb nga ku shpresoj se do të kthehemi me medalje.

Bisedoi: Rr. Dushaj