Dy organizata joqeveritare nga Ulqini kërkojnë nga kryetari i komunës së ulqinit,Gëzim Hajdinaga
January 21, 2008 by Ulqini
Filed under Lajmet / Vijesti
Të themelohet Fondi për shpëtimin e Port Milenës
Ulqin - Organizatat joqeveritare “Hapi i gjelbër” dhe “Bojana” i kanë propozuar kryetarit të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, që të themelohet Fondi për shpëtimin e Port Milenës. “Propozojmë që të themelohet Fondi për shpëtimin e këtij kanali, i cili dikur ka qenë baseni më i madh i peshkut ne Mesdhe, kurse sot është bomba më e madhe ekologjike e cila mund të shndërrohet lehtë në burim të ndonjë epidemie të rrezikshme”, thuhet në letrën e këtyre dy organizatave drejtuar kryetarit të Komunës së Ulqinit.
Sipas këtyre dy organizatave, Komuna duhet të jetë bartëse e të gjitha aktiviteteve për zgjidhjen e problemit të kanalit Port Milena.
“Hapi i gjelbër” dhe “Bojana” propozojnë që mjetet financiare të Fondit të grumbullohen nga ndotësit kryesorë të Port Milenës si dhe nga shitja e objekteve në Plazhin e Madh dhe dhënia me qira e plazheve.
Dy organizatat joqeveritare kanë kërkuar po ashtu nga kryetari i Komunës së Ulqinit që të angazhohet për kandidimin e këtij projekti pranë Qeverisë së Malit të Zi në kuadër të Programit IPA për vitin 2008, i cili financohet nga Bashkimi Europian.
(Koha Press)



Comments
Tell us what you're thinking...
and oh, if you want a pic to show with your comment, go get a gravatar!