Intervistë me shefin e misionit të kombeve të bashkuara në kosovë, Joachim Ruecker

January 21, 2008   | Intervista / Intervju

Kosova, gati për t`u bërë shtet

Nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe UNMIK-u apo KFOR-i janë tërësisht të përkushtuar në këto parime.
Zoti Ruecker, Ju prezantuat raportin tuaj për Kosovën para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ?
Raporti është një dokument publik, një raport teknik mbi përmbushjen e standardeve dhe mbi të natyrisht, është raporti politik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut. Mesazhi kryesor ka të bëjë me përparimet që ne kemi arritur në rrafshin e përmbushjes së standardeve, se gjërat janë në binarë dhe gjithashtu, përmban dhe mesazhin kryesor se UNMIK-u ka arritur atë që është e arritshme, duke pasur parasysh rrethanat. Përparimi i mëtejshëm tani varet nga statusi.

A do të përmendet çështja e statusit në këtë raport?
Në atë mënyrë siç e ka përmendur Sekretari i Përgjithshëm, në raportin e të cilit thuhet se na duhet zgjidhja e statusit urgjentisht. Kështu, natyrisht, mendojmë edhe ne në UNMIK. Përparimi i mëtejshëm në përmbushjen e standardeve varet nga statusi në shumë, shumë mënyra. Kjo është pra situata në terren dhe këtë duhet ta raportojmë.

Debatet mbi statusin e Kosovës tani janë përqendruar në atë që tash njihet si deklaratë e koordinuar e pavarësisë. Prishtina ka dhënë shenja se shpallja e kësaj deklarate është çështje javësh. Kur mendoni se mund të ndodhë kjo dhe në çfarë rrethanash?
Ju e dini se ne s`jemi të mandatuar të komentojmë përmbajtjen e statusit dhe as që jemi të mandatuar të përshkruajmë se si do të ndodhë ky proces. Kjo natyrisht i takon komunitetit ndërkombëtar dhe atyre që janë të angazhuar në procesin e statusit. Megjithatë, ne kemi mandat për të ndihmuar procesin e statusit dhe në këtë kuadër, shpresoj se ky proces do të përmbyllet shumë shpejt. Në këtë drejtim, disa kanë tërhequr vërejtjen se Kosova ka hyrë në një periudhë sfidash, duke marrë parasysh kundërshtimin e zyrtarëve serbë në raport me deklaratën e pavarësisë.

Ju keni kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit shqiptarë dhe serbë, cili është mendimi juaj?
Unë mendoj se duhet të shikojmë ngjarjet që kanë ndodhur javët e fundit. Treshja Ndërkombëtare i ka dhënë fund periudhës së angazhimit të saj pa ndonjë rezultat, NATO-ja tashmë ka deklaruar se do të mbetet e angazhuar në Kosovë, Këshilli Evropian ka shpallur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të vendosur misionin dhe për t`i kontribuuar Zyrës Civile Ndërkombëtare. Kemi parë gjithashtu edhe takimin e Këshillit të Sigurimit më 19 dhjetor, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat mbi këtë çështje. Prandaj, mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të niset prej këtyre ngjarjeve, por nuk është UNMIK-u ai që mund ta përshkruajë se si do të ndodhë. Derisa Misioni i Kombeve të Bashkuara përgatitet për t`u larguar nga Kosova, një prej sfidave më të mëdha që prej ardhjes së këtij misioni më shumë se 8 vjet më parë, mbetet integrimi i Mitrovicës dhe i Veriut në përgjithësi.

Pse ky problem është ende i gjallë, kush është përgjegjës?
Mendoj se, nëse më lejoni, nuk mund ta adresojmë këtë çështje në një formë aq të përgjithshme. Duhet të shikojmë, natyrisht, edhe faktin se UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet e përkohshme kanë mandat mbi tërë Kosovën. Ka pasur një numër hapash, gjatë të cilave kjo çështje është shprehur në muajt dhe madje edhe vitet e fundit. E kemi fenomenin e strukturave paralele në Veri, por në anën tjetër, gjithashtu kemi suksese në vendosmërinë se ekziston vetëm një Kosovë, ajo është integrale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne synojmë që në këtë frymë të zbatojmë mandatin tonë.

Sa i vështirë mendoni se do të jetë integrimi i Veriut dhe kur them integrim, mendoj të paktën në aspektin institucional…
Veriu i Kosovës, është pjesë e Kosovës dhe, siç e dini, ky është edhe një nga parimet mbi bazën e të cilave është zhvilluar procesi i statusit. Pra, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet e përkohshme janë tërësisht të përkushtuar në këto parime.

Misioni juaj pritet të zëvendësohet me një mision të ri të Bashkimit Evropian, i cili do ta mbikëqyrë procesin e pas-statusit në Kosovë. Në cilat çështje mendoni se institucionet në Kosovë kanë nevojë për mbikëqyrje dhe udhëzime ndërkombëtare?
Nëse si dokument reference shikojmë planin e zotit Ahtisaari, atëherë padyshim është ai elementi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë, civile dhe ushtarake. Pavarësisht nga natyra e kësaj pranie, unë e parashoh se kjo do të mbetet kështu, deri në një afat të mesëm kohor. Së fundi, janë duke u zhvilluar disa debate mbi vendimin tuaj për të ndryshuar Kornizën Kushtetuese, në mënyrë që të zgjatet mandati i institucioneve të reja.

Pse janë bërë këto ndryshime?
Mendoj se i referoheni një ndryshimi dhe kjo ka pasur të bëjë me mandatin e Presidentit të Kosovës, nga 4 në 5 vjet. E kam bërë këtë me kërkesën e koalicionit politik, i cili përfaqëson përafërsisht dy të tretat e Parlamentit. Kjo ka qenë dëshira e tyre politike dhe nuk ka pasur arsye pse të mos zgjatet nga katër në pesë vjet. Kjo është edhe në frymën e vendimeve që Ekipi i Unitetit ka marrë më parë dhe në frymën e planifikimit tranzicional.

A mendoni se marrëveshja nuk do të mund të arrihej pa këto ndryshime?
Nuk e di. Por, kjo ka qenë një kërkesë e arsyeshme dhe shefi i Administratës Ndërkombëtare mund ta bëjë një gjë të këtillë i vetëm, por unë nuk do ta bëja një gjë të këtillë. Nëse më kërkohet nga grupimi politik që përfaqëson një shumicë të këtillë në Parlament për të bërë një ndryshim të vogël, që është në një vijë me vendimet e Ekipit të Unitetit, në një vijë me frymën tranzicionale, siç ka qenë edhe çështja e listave të hapura që kemi bërë në të kaluarën, nuk ka pasur arsye për ta refuzuar këtë kërkesë.

Zoti Ruecker, sipas planit të Ahtisaarit, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja nëntë muaj pas përcaktimit të statusit. A vlen ende ky opsion apo jo?
Nëse e marrim planin e Ahtisaarit si bazë, atëherë mendoj se u takon institucioneve të ardhshme të Kosovës që të vendosin mbi këtë çështje.

Ju keni kohë që jeni në Kosovë. Çfarë mendoni, është Kosova e gatshme për t`u bërë një shtet i ri?
Ajo që mund të them, është se Kosova është e gatshme ta bëjë hapin tjetër dhe mendoj se institucionet e saj janë të pjekura për statusin politik