Qëndrimi i bashkësive joshqiptare dhe joserbe ndaj statusit të ardhshëm të Kosovës

January 21, 2008   | Anketë / Anketa

Boshnjakët, turqit dhe romët për pavarësi
Realiteti i situatës kosovare pas luftës këtu është faktori vendimtar për mosekzistimin e mendimit alternativ të këtyre pakicave lidhur me statusin e Kosovës. Këtë përcaktim gjithësesi duhet vështruar edhe në kontekstin më të gjerë. Me këtë rast, në radhë të parë duhet marrë parasysh dëshirën e pjesëtarëve të këtyre popujve pakicë që edhe tani e tutje të mbesin për të jetuar në vatrat e tyre shekullore.
Nuk ka dyshim se përfaqësuesit e vjetër / të rinj të boshnjakëve, si dhe të turqve dhe romëve në Parlamentin e Kosovës do të mbështesin vendimin mbi shpalljen e pavarësisë. Mbase, të gjithë parametrat flasin në favor të këtij pohimi. Njëri nga këta është edhe fakti se në fund të procesit të ndërmjetësimit të Marti Ahtisarit, të gjithë përfaqësuesit e pakicave në Parlamentin e Kosovës (përpos dr. Numan Baliq, por jo nga motive antikosovare), votuan së bashku me përfaqësuesit shqiptarë për miratimin e këtij plani. Një tregues tjetër thelbësor është ai që, përkrah qëndrimit të sipërpërmendur të përfaqësuesve të politikës zyrtare, deri tani nuk është regjistruar publikisht asnjë mendim tjetërfare as në sektorin joqeveritar, si dhe as në qarqet intelektuale të bashkësive minoritare.
Realiteti i situatës kosovare pas luftës këtu është faktori vendimtar për mosekzistimin e mendimit alternativ të këtyre pakicave lidhur me statusin e Kosovës. Këtë përcaktim gjithësesi duhet vështruar edhe në kontekstin më të gjerë. Me këtë rast, në radhë të parë duhet marrë parasysh dëshirën e pjesëtarëve të këtyre popujve pakicë që edhe tani e tutje të mbesin për të jetuar në vatrat e tyre shekullore. Një rol tjetër të rëndësishëm e luan shkalla e të drejtave të garantuara minoritare (dhe implementimi i tyre në njëfarë dore pas lufte) si dhe prezenca, respektivisht garancia e Bashkësisë Ndërkombëtare për procesin e demokrtizimit të Kosovës.
Në këtë kontekst është me rëndësi të theksohet se në vitet e fundit është evidente se në ndërgjegjen e elitës politike në Kosovë dhe të shtresave më të gjera të popullit shqiptar ka depërtuar ideja se ekzistenca e këtyre popujve pakicë në asnjë mënyrë nuk i rrezikon interesat kombëtare të shqiptarëve, por përkundrazi – se vetëm mund tzu sjellë dobi. Nuk duhet lënë pas dore as kontekstin historik, përkatësisht marrëdhëniet shumëshekullore dhe afërsinë e këtyre bashkësive minoritare, në radhë të parë të të gjithë boshnjakëve dhe turqve me shqiptarët, por edhe me romët një pjesë e madhe e të cilëve e përdorin gjuhën shqipe si gjuhën e vet të komunikimit dhe përkatësinë e tyre të përbashkët – të njëjtës traditë fetare – asaj islame. Nga ana tjetër, shikuar nga prizmi i historisë së afërt dhe të largët, ka ekzistuar shpeshherë një armiqësi e fuqishme e boshnjakëve dhe turqve ndaj projekteve nacionaliste – shtetëmadhe të regjimeve serbe, pasojat e të cilave kanë qenë fatale për këta popuj në Ballkan, sidomos për atë boshnjak.
Në këtë drjtim parashtrohet edhe pyetja se sa ka qenë në realitet i sinqertë angazhimi i përfaqësuesve serbë gjatë tërë këtyre viteve rreth mbrojtjes së të drejtave të “bashkësive joserbe dhe joshqiptare”, të cilin shpeshherë e kanë përsëritur si frazë me rastin e theksimit të “shkeljes së të drejtave të serbëve dhe të joshqiptarëve në Kosovë”? Ta lëmë mënjanë atë që pohimet e gjithëpranishme edhe nga inteligjenca e shumtë dhe nga disa politikanë nga radhët e popullit serb) se edhe vetë serbët në Kosovë kanë qenë të instrumentalizuar nga ana e autoriteteve serbe për qëllimet e tyre shtetërore.
Zëra të tilla, ndonëse më rrallë, mund të dëgjohen edhe nga vetë pjesëtarët e popullatës serbe në Kosovë.
Si shembull i posaçëm i mossinqeritetit të politikës së Qeverisë së Beogradit ndaj pakicave në Kosovë mund të theksohet rasti nga bisedimet përfundimtare rreth planit të Marti Ahtisarit. Me atë rast, sipas thënieve të përfaqësuesve të pakicave në këto sesione, delegacioni i Beogradit shprehu kundërshtimin për faktin që gjuha boshnjake dhe ajo turke janë parashikuar për përdorim zyrtar në ato komuna kosovare ku jetojnë pjesëtarët e këtyre popujve minoritarë!
E çfarë të thuhet atëherë për vazhdimin e manipulimit nga ana e qeverisë serbe të pjesëatarëve të popullit boshnjak në Gorë të cilët regjimi i Millosheviqit, pavarësisht nga përcaktimi i tyre nacional në regjistrimet e popullsisë i shpalli goranë. Ky manipulim edhe tani e tutje mbështetet financiarisht nga ana e autoriteteve serbe. Paradigma e këtij manipulimi është rrënimi i mësimit në gjuhënë boshnjake dhe transformimi i tij në gjuhën serbe në fshatrat e Gorës në komunën e Dragashit, që është bërë me mbështetjen e madhe materiale të Beogradit. Të gjitha këto aksione janë bërë krahas rolit “vëzhgues” si nga pushteti aktual në Kosovë ashtu edhe nga përfaqësuesit boshnjakë nga Gora, që kanë pasur për pasojë ndarjen e boshnjakëve të Gorës, bllokimin e proceseve pozitive në radhët e popullatës së atjeshme, por edhe ndër boshnjakët e Kosovës, numri i të cilëve është zvogëluar mjaft në prag dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.
Këto probleme të numëruara dhe të gjitha problemet e tjera kolektive të boshnjakëve dhe të pakicave të tjera, si dhe vetë çështja e ardhmërisë së tyre në Kosovë, gjithësesi lidhen me statusin e saj të ardhshëm.
Sipas të gjitha gjasave, do të vijë deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe te një situatë e re politiko-juridike, e ndoshta edhe deri te kriza. Nga vetë ky fakt hapen edhe çështje të reja, e bashkë me to edhe droje të reja, por do të ushqehen edhe shpresat e të ashtuquajturave bashkësi joshqiptare dhe joserbe në Kosovë. Me gjithë ndjenjat e përziera, askush as nga bota zyrtare, e sipas të gjitha gjasave as nga bota e zakonshme në radhët e popujve pakicë, gjykuar në bazë të disponimit të gjerë në kontaktet e përditshme, nuk e kundërshton të drejtën e popullsisë shqipare që përbën nëntëdhjetë përqindëshin e popullatës në Kosovë që përfundimisht ta realizojë ëndrrën e vetë shumëshekullore për pavarësi.
Sido që të jetë, është e pakontestueshme se pasiguria që është duke zgjatur vite me radhë reflektohet negativisht në të gjithë banorët e Kosovës. Dhe, nëse ekziston diçka që i bashkon të gjithë së bashku – kjo është dëshira që përfundimisht ta dinë statusin e Kosovës dhe bashkë me të pozitën e vet në të që më në fund të mund tzu kthehen edhe të gjitha çështjeve të tjera ekzistenciale dhe jetike dhe të ardhmes e cila për të gjithë në Kosovë duhet të jetë më e favorshme në krahasim me ngjarjet në dekadat e kaluara.
Qerim Bajrami
Autori është publicist nga Prizreni dhe kryetar i Shoqatës – Informative të Boshnjakëve të Kosovës “Selam”