George Clooney dhe Sharon Stone, kundër pavarësisë së Kosovës

January 24, 2008   | Shtypi / Mediji

George Clooney-Sharon StoneAktori i famshëm i Hollywoodit, George Clooney, ka bërë të ditur se, bashkë me kolegët e tij, do të organizoj një protestë kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. “Së shpejti, bashkë me kolegen time, Sharon Stone, dhe miqtë e saj nga fëmijëria, që kanë prejardhje serbe, do të organizojnë një protestë për shkak të përpjekjes së Kosovës për ta shpallur pavarësinë”, ka thënë aktori amerikan për gazetën serbe të Franfurtit “Vreme”. Edhe aktorja Stone, ditë më parë në një intervistë për të përjavshmën serbe “Evropa”, ka paralajmëruar mundësinë e organizimit të një lloj proteste kundër pavarësisë së Kosovës. Madje aktorja ka dhënë edhe detaje nga fëmijëra e saj, duke shpjeguar se është rritur me fëmijët e një familje serbe, që i kishte në fqinjësi – e të cilët edhe e kanë furnizuar “me fakte” për ngjarjet e fundit në Kosovë. Megjithatë, Stone ka thënë se lobi kosovar është shumë i fortë në SHBA. “Lobi kosovar është shumë i fortë, ndërsa fatkeqësish edhe interesat amerikane janë në anën e tyre. Të presim përfundimin e bisedimeve dhe të shohim se çka mund të organizohet”, ishte shprehur ajo.

Gazeta Lajm

George ClooneyThashethemet e fundit se George Clooney është kundër pavarësisë së Kosovës janë mohuar nga zëdhënësi i tij, që ka treguar se ato kanë qenë thjesht propagandë e shtypit serb. Në një deklaratë dhënë të përditshmes Koha Ditore, zëdhënësi i Clooneyt, Stan Rosenfile, ka mohuar se aktori ka folur ndonjëherë për të ardhmen e Kosovës dhe as që ka autorizuar dikë të flasë në emër të tij. “Sapo fola me George. Ai tha se nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë dhe nuk ka autorizuar askënd për të lëshuar deklaratë të tillë në emër të tij”, është përgjigjur Rosenfield në pyetjen që gazeta kosovare ia ka parashtruar atij përmes e-mailit zyrtar. Lajmi se Clooney dhe Sharon Stone dëshirojnë të organizojnë një protestë kundër pavarësisë së Kosovës, duket se nuk kanë qenë gjë tjetër, përveçse një propagandë tashmë e njohur e mediave serbe.

Koha Ditore