Delegacioni i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi u takua me delegacionin e komisionit evropian

January 28, 2008   | Reportazh / Reportaža

Çështja shqiptare në Mal të Zi vazhdon të jetë e hapur
Podgoricë- Kryetari i LD në MZ z.Mehmet Bardhi me bashkpunëtorët z.Tahir Gjonbalaj, nënkryetar, z.Hajrullah Hajdari e Tahir Tahiri, funksionarë të lartë të LD në MZ dhe njëheri këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, u takuan të enjten më 17. 01. 2007, në Podgoricë me përfaqësuesit e Delegacionin të Komisionit Evropian për Malin e Zi, z.Clive Rumbold dhe znj.Shpela Cimerman, ekspertë të Seksionit për politikë, integrime evropiane dhe tregti (punë).Tahir Tahiri LDMZ
Gjatë këtij takimi, të inicuar nga vetë përfaqësuesit e Komisionit Evropian, z.Bardhi i njoftoi z.Rumbold e znj. Cimerman me aktivitetin politik të LD në MZ, subjektit të parë politik shqiptarë në Malin e Zi, në pika të shkurta, që nga themelimi e deri më sot, e në veçanti për situatën politike në Malin e Zi pas Referendumit të 21 majit 2006, pas shpalljes së pavarësisë dhe për pozitën e shqiptarëve në MZ, e cila është e pavolitshme dhe lë shumë për të dëshiruar. Shqiptarët në Mal të Zi janë popull autokton në këto troje dhe pjesë e pandarë e kombit shqiptar. Bardhi tha se LD-ja – shqiptarët ishin kundër luftës dhe refuzuan të shkojnë në luftën okupuese në Dubrovnik e BeH që udhëheqi Beogradi e Podgorica e asaj kohe, për çka me qindra të rinj shqiptarë u detyruan të ikin jashtë etj. Shqiptarët ishin ata që ndihmuan pavarësimin e Malit të Zi, por që fatkeqësisht përkundër premtimeve e nënshkrimeve nga pushtetarët, për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, një gjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, këtë e dëshmon fakti që Parlamenti Malazias, pa votën as pjesëmarrjen e përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve (asnjëri nga tre deputetët e partive shqiptare nuk morën pjesë), me shumicë votash aprovoi Kushtetutën, e cila nuk siguron që Mali i Zi të jetë shtet i qytetarëve të barabartë dhe i popujve të barabartë. Shqiptarëve nuk u siguron të drejtën e përdorimit të lirë të gjuhës dhe shkrimit shqip ashtu sikur u garantohet, bie fjala, malazezëve. Nuk siguron përfaqësimin autentik proporcional në Parlament, decentralizimin e pushtetit, pengimin e diskriminimit, okupimin e kolonizimin e ri përmes të ashtuquajturit privatizim (Shembull drastik Riviera e Ulqinit, Kriporja e Ulqinit me mbi 15 milionë metra katrorë, politika qendrore, për ne diskriminuese, ia dorëzoi kupollës së vet, për më pak se 1 million €. Në prak janë Gjiri i Valdanosit, që Lidhja Demokratike me ngulm kërkon që t`ju kthehet ish- pronarëve, ishulli i Adës, plazhi i gjatë ranor; për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, që për herë të par nuk ka asnjë shqiptar, për Këshillin e Lartë të Mbrojtjes që është njënacional malazias, e që më së miri pasqyron situatën e marrëdhëniet në Mal të Zi, të njëanshme, njënacionale etj. etj. Mysafirët u njoftuan edhe me qëndrimet e veprimet që po bëjnë disa subjekte politike, që veten e quajnë shqiptare, si dorë e zgjatur e Qeverisë, në dëm të interesave të shqiptarëve dhe të zhvillimeve demokratike në përgjithësi… LD në MZ si subjekt i cili që 18 vite orientim kryesor ka avancimin e pozitës së shqipëtarëve në Malin e Zi, nuk do të pajtohet kurrë me një pozitë të tillë diskriminuese dhe se çështja shqiptare në Malin e Zi vazhdon të jetë e hapur.
Në pyetjen e z.Rumbold lidhur me çështjen e Kosovës, Bardhi u përgjegj se zgjidhja e vetme është pavarsia e Kosovës si shtet demokratik për të gjithë popujt që jetojnë në të. Pakica serbe duhet t`i gëzojë të gjitha të drejtat dhe nga ajo që është paraparë shihet se ato të drejta janë më të avancuara se ato që kanë sot shqiptarët në Mal të Zi.

  • Nënkryetari i LD në MZ z.Tahir Gjonbalaj shprehu shqetësimin e Lidhjes Demokratike dhe tërë banorëve të Komunës së Plavës për tentativën e Qeverisë malazeze për të shpallur zonën e Bjeshkëve të Nemuna park nacional.

Me krijimin e Parkut Nacional që përfshin territorët ku jetojnë shqiptarët do të bëhej atak në pasurinë e tyre. Dega e Lidhjes për Plavë e Guci ka bërë vërejtjet e veta me shkrim, të cilat u janë dërguar kompetentëve të Qeverisë, ku shprehim qartë mospranimin dhe kundërshtimin tonë për këtë dhe krijimin e Parkut në këtë mënyrë.
Përfaqësuesit e Delegacionit të Komisionit Evropian z.Rumbold dhe znj. Cimerman falënderuan përfaqsuesit e LD në MZ për bisedën e sinqertë dhe premtuan se në të ardhmen takime të tilla do të jenë më të shpeshta, pasi që edhe stafi i tyre së shpejti do të rritet në mbi dyzet nëpunës e ekspertë, shtoi në fund z. Rumbold.
Kjo dëshmon se Mali i Zi do të jetë nën një mbikqyrje të rreptë dhe se zhvillimet demokratike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe ato nacionale (të pakicave) individuale e kolektive, lufta kundër korrupcionit dhe kriminalitetit të organizuar nuk ka alternativë.

Këshilli për informim