Këng dhe këngëtar Ulqinak (1)

January 30, 2008   | Kulturë / Kultura

“Gusharaveli” – valle e harapëve të Ulqinit
(Portret, bisedë me Hilmi Hoxhën, solist)
Është një fotografi e moçme, shihet orkestri artistik; në bateri është një djalosh, një fare i ri. Ai është Hilmi Hoxha, bashkëbiseduesi ynë, tash një veteran i folklorit të Ulqinit.
Për ta bërë portretin e tij, Hilmiu (Ulqin, 1939) thotë se duhet kthyer nja 50 vjet prapa. Shpjegon:

– Ajo fotografi është nga pritja e Vitit të Ri 1960. Kallëzon: – Rexhep Abazi i binte kitarës; Seit Hasanaga, më i moshuari instrumentist i Ulqinit, i binte primit; Tefë Doçi i binte kontrabasit (violonçelos); Xhemal Fici, ishte mjeshtër i fisarmonikës; Ragip Milla i binte kitarës; unë e mbaja taktin me bateri; isha më i riu.
Në orkestrën popullore, si solist, këngëtar, isha edhe me Beto Kashoxhën, fisarmonikë; Ali Zhygjelin, violinë; vëllezërit Rifat dhe Vehbi Llazorja i binin fisarmonikave në duet dhe këndonin; Durgut Kokotoviqi ishte dajrexhi, dhe të tjerë që në këtë çat po i harroj. Shumë prej tyre sot nuk janë me ne, nuk janë në këtë jetë.
Në fillim. Pas Luftës II Botërore, në Ulqin muzikë, ballo, vallëzime, aheng dhe mbrëmje argëtuese, në fillim bëheshin në Shtëpinë e Kulturës (ishte ndër të parat në Mal të Zi dhe moderne), pastaj në hotelin “Koop” (tash “Galeb”) dhe në tarracën (oborrin) e hoteleve “Jadran” dhe “Republika” (“Korzo”); këta dy hotele tani nuk ekzistojnë, janë rrënuar pas termetit të prillit 1979.
Informatori – nxënës. Hilmi Hoxha, u kujtohet aktiviteteve si nxënës i Tetëvjeçares. Ishte anëtar i korit të shkollës dhe anëtar i grupit dramatik, me të cilat programe dhe shfaqje janë prezentuar më shumë herë. Korin e udhëhiqte Llolla Zhivanoviqi, në program ishin vetëm këngë serbisht, asnjë shqip.
Një dramë për fëmijë e pati përgatitur Antonia Rogin – Markoviqi, e cila na jepte gjuhën shqipe, edhepse ishte kroate. Në atë dramë kanë luajtur edhe: Alush Llunji, Kabil Mehmeti, Hajro Pufja e të tjerë. Ka qenë viti 1953.
SHKA “Boshko Strugar”. – Duke u rritur, tregon – kemi formuar SHKA “Boshko Strugar”, nën udhëheqjen e Bajram Selit, mësues. Kryetar i parë ishte Hasan Gorana.
Në grupin e folklorit kanë qenë: Sulejman Lika, Gani Lika, Xhemail Resulbegu, Muhamet Hasa, ndërsa vajzat ishin: Zumreta Resulbegu, Sadije Uruçi, Kadrije Brashnja, Lafe Brashnja; këto këndonin fort bukur.
(Më herët në grupin folklorik të Ulqinit kanë marrë pjesë edhe motrat Drecuni; më e madhja ishte Bagjoja. Ato kanë luajtur dhe kënduar para vitit 1953).
Ndërsa në fillime këndoheshin këngë partizane e të kombeve dhe të kombësive, siç e kërkonte dita, Hilmi Hoxha me kënaqësi kujtohet se, në program u vuan edhe valle e këngë shqipe.
– Kemi luajtur “Vellen e Rugovës”, “Shotën”, “Vallen me pushkë”, “Vallen me shpata”. Xhemail Resulbegu e ka luajtur “Vallen me pushkë”. Me shpata kanë luajtur: Gani Lika, por partneri nuk po më kujtohet. “Vajza e Rugovës” ka qenë Elma Leskovci, pastë ndjesë.
“Dasma e Ulqinit”. Më vonë ansambli popullor e merr emrin “Dasma e Ulqinit”, sipas programit të koncipuar si dasmë. Të zotin e shtëpisë e luante me mjeshtri vetareni i ndjerë Rexhep Abazi.
“Gusharaveli”
Vallja “Gusharaveli” (jo “Dumsharaveli”, sepse nuk ka kuptim; fjala është për gusarin (kusarin), bëhet temë e diskutimit.
– E ka vënë në skenë, e ka futur në program, Bahri Brisku, kryetar i SHKA-së, (pas Hasan Goranës). Në udhëheqje ka qenë edhe Qamo Gorana, si dhe unë e do të tjerë. Kjo ka qenë në vitin 1965, – thotë informatori.
Fejzo Hoxha, korist veteran, na ndihmon, na e plotëson bisedën.
– “Gusharaveli” (vallja e kusarëve), para vitit 1947, në Ulqin është luajtur nëpër dasma, si valle popullore, e më pastaj është vënë në skenë me koreografi artistike, në programin e SHKA-së.
Me këtë valle Ulqini ka korrur simpati të mëdha nëpër turne, sidomos në Shkodër dhe Durrës, në vitin 1980.
“Gusharavelin” e Ulqinit, po me të njëjtën koreografi, e kanë venë në program edhe disa ansamble të tjera, si në Tuz e tjerë.
“Gusharavelin” duhet konsideruar si valle karakteristike, tipike e Ulqinit, ashtu siç njihet “Shota” ose “Vallja e Rugovës”, si valle kosovare.
Hilmiu shton: – Më 1968 “Gusharaveli” luhet për herë të parë jashtë Ulqinit, në një turne nëpër Kosovë, ndërsa në Ulqin e kemi luajtur gjatë verës, çdo javë, në mbrëmje, në Bahçen verore, në Ranë, për mysafirët e shumtë, sidomos për ata gjermanë.
Repertori. Hilmi Hoxhës i kujtohet:
– E kemi pritur Vitin e Ri 1960. Në hotelin “Jadran” kemi bërë muzikë vallëzimi, kemi bërë një ballo të madhe, që szmbahet në mend, që szharrohet. – Në ato vite, kujtohet, jemi mbledhur vetëm për data, festime, vit të ri. Natyrisht – pa pagesë, – shton.
Ritmet e vallëzimit kanë qenë: tango, valcer, bugivugi, ritme të asaj kohe. Vallëzohej çdo natë verore në tarracën e “Jadranit”, mysafirët e Ulqinit dhe të rinjtë ulqinakë, që e shfrytëzonin të njiheshin me të reja nga mbarë Jugosllavia e asaj kohe dhe, sidomos, me gjermanesha. Ashtu e ka rinia e bregdetit.
Programi folklorik përbëhej me këngë dalmatine, maqedone dhe shqipe.
Hilmi Hoxha i kujton me kënaqësi këngët që i kishte në repertor. Me tërë shpirtin i këndonte këngët: “Si dukati i vogël je”, “Përmidis pazarit tz Durrcit” , “Kur tzi shof dy sytë e tu” e të tjera.
Hilmi Hoxha ishte solist, por ka kënduar edhe në duet, me Elma Leskovcin e Ragip Millën.
Turnetë. – Verës kemi qenë edhe në Budva, por sidomos nuk harrohet kurrë turneja nëpër Kosovë, në vitin 1968, me rastin e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që ishte një manifestim gjithëpopullor. Koncerte jashtëzakonisht të sukseshme kemi pasur në qytetet më të mëdha të Kosovës: në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në Prishtinë, në Gjilan, në Podujevë (Besianë). Autobusi ka qenë plot, me 50 veta. Pritja ka qenë e jashtëzakonshme. Publiku ka qenë i befasuar me programin tonë. Mikpritja në Kosovë szharrohet. Në Gjakovë kemi qenë mysafirë në shtëpinë e Rizvanollëve, ishte një pritje e paharrueshme. Në Prishtinë takimi me ulqinakë ka qenë ngazëllyes. Na kanë pritur e përcjellë: Ismet Lamoja, Alush Llunji, Hajro Ulqinaku e tjerë. (Është një fotografi bardhezi nga Prishtina, fotografi tash dokumentare). Nuk mund ta harroj shkrimtarin Rifat Kukaj, Kemi qenë mysafirë, kemi bujtur në banesën e tij në Prishtinë. Kjo szharrohet, shënoje!
Më 1980 Hilmi Hoxha e le orkestrën dhe këndimin. Ishte 45-vjeçar.
Në fund. – Kam edhe shumë me të diftu, por u vanova, ka me më bërtitë gruja, – thotë.
Dhe ikën.

Përgatiti: Hajro Ulqinaku