Nga Java Plus:Hana Cakuli thot – Kam dëshirë të këndoj…..

February 5, 2008   | Lajmet / Vijesti

Hana: Jam pak në siklet ta them biografinë time. Jam Hana, kam 17 vjet dhe nuk e mohoj se së shpeti do të bëj 18 vjet, por kam qejf të them 17J Jam nxënëse e vitit të tretë të gjimnazit, jam një këngëtare, e cila ka dëshirë të këndojë pop, rock dhe alternativë. Kam të realizuara tri këngë dhe një videoklip, me të cilin mora çmimin “Best New Artist” në “Videofest 2007”. Mendoj se kam startuar mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Nuk kam tjetër ç’të shtoj.
JavaPlus: Pse vendose të merresh me muzikë?
Hana: Sepse e kam pasion dhe e kam qetësim të shpirtit…kam dëshirë të këndoj…
JavaPlus: Kur je paraqitur publikisht për herë të parë?
Hana: Paraqitja ime e parë ka qenë në moshën 13 vjeçare në një radio të Ulqinit, ku kam konkurruar me një këngë dhe kam fituar…kështu kam startuar me muzikën, por që zëri ka ndryshuar dhe paraqitja ime e parë do të merrej paraqitja ime në « Top Fest 3 », me këngën “Natën kaloje me ne”.
JavaPlus: Në « Top Fest 3 » je paraqitur me grup. Pse tash je vet?
Hana: Nuk e di, mbase arsyeja ka qenë të mos ndihem vetëm për të parën herë dhe më ka dhënë atë lirinë…më vonë e kam pasë forcën dhe sigurinë të dal vetëm në skenë.
JavaPlus: Çfarë bashkëpunimi ke me kolegët e tu. Cilët i veçon më shumë: ata nga Shqipëria apo ata nga Kosova?
Hana: Kohëve të fundit kam më shumë bisedime për bashkëpunim si me « Jericho », « Cute Babulja » e producentë tjerë. Ata të cilët vlerësoj më së shumti janë « Jericho » dhe « Cute Babulja » nga Kosova, ndërsa nga Shqipëria më pëlqen Alban Skënderaj, Eneida Tarifaj, Jonida Maliqi, Mariza Ikonomi dhe shumë grupe të tjera fantastike që nuk po më kutjohen në këto momente.
JavaPlus: A je prezente në skenen e Malit të Zi ashtu sikur në skenën shqiptare?
Hana: Në skenën e Malit të Zi jo, e në skenën e qytetit të Ulqinit jam prezente nëpër koncerte, ngjarje të ndryshme që organizohen, festivale pothuaj në çdo koncert dhe kam kënaqësi të këndoj para publikut të Ulqinit. Sa i përket Malit të Zi nuk kam qejf të këndoj për malazezë.
JavaPlus: Cilat janë planet e tua?
Hana: Përgjithësisht nuk bëj plane, kam qejf të vendos aty për aty, të vendos cila është gjëja e radhës e duhur për t’u bërë, hapi që të marr, por qëllim kryesor e kam albumin tim të parë ta realizoj gjatë këtij viti, në të cilin jam duke punuar.
JavaPlus: Me kënd po bashkëpunon në realizimin e albumit?
Hana: Kompozitorët me të cilët kam bashkëpunuar deri në këto momente janë Genti Lako dhe Iliros-Ilir Osmani, por ka bashkëpunime edhe me kompozitorin dhe liderin e “Cute Babules », Gencin.
JavaPlus: A do kishe kënduar edhe në ndonjë zhanër tjetër pos alternativë?
Hana: Po, patjetër, kam kënduar edhe në zhanre tjera. Kam kënduar madje në një zhanr që nuk më pëlqen si operë artistike, meqenëse jam në vitin e tretë të solokëndimit, edhe pse nuk ka asgjë të keqe në këtë zhanr dhe ka elemente të shumta dhe disa vokalizma që i përshtaten vokalit tim. Kam kënduar pop dhe nënzhanre të rockut nga më të lehtat në ato dark. Nuk e kam problem të këndoj në shumë zhanre tjera, por nuk dua të iki nga vetvetja dua të mbetem gjithmonë te alternativja besoj.
JavaPlus: Si po shkon puna e konkurrimit në « Top Fest 4 »?
Hana: Në « Top Fest 4 » është paraqitja ime e dytë. Mendoj se këtë herë jam paraqitur me tepër sukses, meqenëse jam këngëtarja e parë që ka shkelë skenën e këtij festivali këtë vit. “Ëndërrat s’ndalen kurrë” është kënga me të cilën konkurroj dhe mendoj se po ec shumë mirë, për faktin se është në klasifikime shumë të mira të « Top Albania » radios.
JavaPlus: Pse po flet në Standardin ’72 kur je gjysmëprishtinase?
Hana: Mamin e kam nga Prishtina dhe i kam dy të folura në kokën time. Puna ime në radio ka ndikuar që të flas më shumë në gjuhën letrare dhe arsyeja pse flas në këtë gjuhë është se dua ta kem një mes….
JavaPlus: Cilat janë aktivitetet tua tjera?
Hana: Merrem edhe me prezentimin në radio. Kam një emision timin “Don’t Worry, Be Happy” tri herë në javë, po ashtu kam edhe një emision tjetër me 20 këngët më të pëlqyera të javës në « Elita Radio » të Ulqinit. Prezentimi në radio është një tjetër pasion imi, por jo sa muzika, mbase njerëzit që merren njëkohësisht me prezentim, muzikë ose film nuk dijnë të bëjnë dallimin midis pasioneve të tyre, por mua gjithmonë muzika më tërheq më së shumti.
JavaPlus: Kush ka ndikim në muzikën tënde?
Hana: Ndikimin më të madh e ka pasë këngëtarja Anouk. Nuk mund ta quaj idhull, por është këngëtarja, muzika e të cilës më së shumti më pëlqen. « Guano Apes” po ashtu më pëlqejnë shumë dhe “System of A Down”. Këta tre hynë në treshen e parë e mandej vazhdojnë tjerët prej kalsikëve, të rinjtë, punk, etj.
JavaPlus: A ke shoqëri në Prishtinë?
Hana: Po, sigurisht, sepse vi në Prishtinë qysh nga mosha 0 dhe kam krijuar shoqëri. Kam shumë shokë e shoqe, e besoj të kem po aq shumë edhe fansa. Kam edhe në Ulqin ku jetoj edhe në Shqipëri, kështu që kam shoqëri në gjithë shqiptarinë.
JavaPlus: Si e prite shpërblimin në « VideoFest »? Ishte kjo hera e parë që shpërblehesh me një çmim?
Hana: Çmimin « Best New Artist » në « VideoFest » mund ta quaj si trofeun tim të parë, ndërsa çmim mora në garën republikane në sferën e solokëndimit në kategorinë e fundit, pasi e kisha moshën e tillë dhe mora vendin e dytë. Këtë mund ta quaj trofe dhe një çmim shumë të mirë, pasi në « Top Fest 3 » isha nominuar në të njëjtën kategori, por ma morën aty dhe këtë nuk doja ta ma merrnin se e dëshiroja shumë dhe shpresoj ta kem merituar. Kur e kam marr shpërblimin kam qenë në shok, kjo ështa fjala e duhur se kam qenë e shokuar. Nuk dija a duhet të dal, a duhet të flas dhe nuk e di nëse e keni pa fjalimin tim e kam filluar me ‘A duhet të flas bash?’, sepse s’dija si të reagoja, si të besoja. E kam pritë çmimin se kam punuar me shumë dashuri dhe punë në këtë videoklip dhe këngë gjithashtu. E prisja këtë çmim dhe kisha komente të mria nga njerëzit, por prapë nuk mund ta besoja, sepse isha e shokuar dhe ky ishte shok pozitiv.
JavaPlus: A pret shpërblim në “Top Fest 4”?
Hana: Sa i përket “Top Fest 4” nuk i di, nominimet ka kohë për t’u lajmëruar ato dhe nuk di nëse do nominohem ose të vazhdoj me konkurrim ende.
JavaPlus: Sa ke kritika për muzikën tënde?
Hana: Kam pak kritika negative dhe pozitive për këngët e mia. Secili ka qenë në shijen dhe mendimin e vet. Kritikat që i kam vlerësuar sigurisht më së shumti janë nga muzikologët dhe këngëtarët e ndryshëm të mëdhenj që i çmoj. Nga ta kam marrë kritika negative fillimisht, por edhe pozitive, të cilat i marr me një përqafim të mirë.
JavaPlus: Sa është e rëndësishme pamja për një këngëtare, sipas teje?
Hana: Pamja patjetër duhet të jetë shumë e rëndësishmë për një këngëtare. Unë e di për veten time si kam ndonjë pjesëmarrje kam pyetjen në kokën time se çfarë do të vesh. pyetja ‘çfarë do të vesh” do të gjejë një përgjigjje që pamja do të jetë sa më komforte për mua dhe patjetër duhet të përshtatësh pamjen me këngën tënde. Kënga “Mendoj të fluturoj” është këngë e gjallë dhe për këtë kam menduar të vesh këpucë të rrafshta dhe të vesh diçka komfore që të jem e lirë të bëj lëvizje sa më shumë për videoklipin e saj. Për këngë më të lehta do të kisha veshur diçka jo të rehatshme si këpucë të larta. Kam vërejtje për këngëtaret që po përqëndrohen te ekspozimi i bukurise së tyre e jo te kënga e tyre, edhe pse bukuria e tyre nuk ka nevojë për ekspozim të tepërt. Modeleve u lejohet ekspozimi, por të mos shkojmë te modelet, por te kënga, te këngëtaret. Pamja flet edhe për karakterin e këngëtarit, tregon se si ndiheshe dhe me një detal të vogël tregon se si e mendon një gjë dhe e mendon një gjë kur paraqitesh te publiku.Pamja tregon çfarë stili ke dhe çka ka brenda teje.
© by Gazetajava.com