Intervistë me kryetarin e UDSH-së Ferhat Dinoshën

February 11, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ferhat DinošaDinosha rizgjedhet kryetar
Ulqin – Lideri aktual i UDSH-së, Ferhat Dinosha, është rizgjedhur për kryetar të ardhshëm të partisë në Kuvendin e Pestë Zgjedhor, i cili u mbajt të shtunën në Qendrën e Kulturës në Ulqin.
Kuvendi Zgjedhor, përveç kryetarit, zgjodhi edhe 25 anëtarë të rinj të Këshillit Qendror, miratoi Raportin e punës në mes dy kuvendeve, Statutin partiak, Programin politik të partisë, Rezolutën për Kosovën, Rezolutën për grupin e shqiptarëve të paraburgosur në aksionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, si dhe Apelin drejtuar partive të tjera shqiptare për bashkëpunim.



Kreu i UDSH-së Dinosha në fjalën e tij përshëndetëse paraqiti Raportin e punës në mes Kuvendit të Katërt dhe të Pestë zgjedhor, ku theksoi Të arritjet dhe angazhimet e kësaj partie gjatë periudhës së kaluar pesëvjeçare.
Dinosha tha se ndjehet i privilegjuar dhe me fat që ka qenë bashkëkohës dhe bashkëveprues i dy tribunëve popullorë, në krye të dy ngjarjeve historike, strategut të pavarësisë së Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe strategut të pavarësisë së Kosovës, të ndjerit president historik, dr. Ibrahim Rugova, duke shtuar se këto dy projekte më madhore në fazën e përmendur të proceseve demokratike në Mal të Zi e në rajon kanë determinuar pozicionimin politk dhe veprimin konkret të UDSH-së, krahas luftës parlamentare për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Dinosha ndër arritjet e partisë në mes dy kuvendeve përmendi Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave, themelimin e Degës së Mësuesisë në gjuhën shqipe në Podgoricë, Ligjin mbi kryeqytetin, i cili Tuzit i siguron status të komunës urbane, me elemente të rëndësishme të vetëqeverisjes lokale dhe me pjesëmarrje të dukshme në buxhetin e kryqytetit, hapjen e maternitetit në Ulqin, vendkalimet e reja me Republikën e Shqipërisë, Panairin e Librit në Ulqin, Festivalin e Këngës për Fëmijë dhe objektet e shumta të infrastrukturës.
Lideri i UDSH-së premtoi se në periudhën e ardhshme subjekti që ai drejton do të angazhohet për decentralizimin e pushtetit lokal, pjesëmarrjen proporcionale të shqiptarëve në organet dhe administratën shtetërore, privatizimin e drejtë dhe valorizimin e vërtetë të resurseve turistike dhe ekonomike në Ulqin dhe mjediset e tjera.
Dinosha po ashtu u zotua se UDSH do të vazhdojë bashkëpunimin e partneritetit me pushtetin demokratik në Mal të Zi mbi bazën e Platformës së saj të vitit 200 dhe të programit të saj të rinovuar politik.
Numri një i UDSH-së pozitën aktuale të shqiptarëve e vlerësoi tepër të mirë.
“Qysh prej ilirëve shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë në situatë më të mirë e më me shumë miq. Viti 2008 do të jetë vit i shqiptarëve, vit i pavarësisë së Kosovës, vit i akumulimit të energjive të reja për të vazhduar proceset demokratike në Mal të Zi dhe në rajon?”, theksoi Dinosha.
Kuvendin Zgjedhor e përshëndetën Nard Ndoka, ministër i Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, njëherazi edhe kryetar i PDK-së së Shqipërisë, Pëllumb Xhufi, nënkryetar i LSI-së, Predrag Sekuliq, drejtor politik i PDS-së dhe deputet në Parlamentin republikan, Aleksandër Damjanoviq, përfaqëseus i PPS-së, Rafet Husoviq, lider i Partisë Boshnjake, Vasel Sinishtaj, lider i Alternativës Shqiptare, Nada Drobnjak, drejtoreshë e Zyrës për Barazi Gjinore në Qeverinë e Malit të Zi, Luigj Shkreli, deputet i PDS-së, Mirsad Gjokaj, përfaqësues i Lëvizjes “Atdheu na Bashkon” me seli në Nju-Jork dhe Mirosllav Mariq, përfaqësues i Iniciativës Qytetare Kroate.
Të pranishëm në Kuvend, përveç 172 delegatëve të Kuvendit nga 179 sa ishin ftuar, ishin edhe përfaqësuesit e disa ambasadave në Mal të Zi, liderët e dy subjekteve nacionale shqiptare, Forcës së Re Demokratike – Forca, Nazif Cungu dhe i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, Ali Doda, si dhe të ftuar të tjerë, por jo edhe të LD në MZ dhe PPD-së.Gj. Gjonaj