Kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, përshëndet fitoren e boris tadiqit në zgjedhjet presidenciale në serbi

February 12, 2008   | Shtypi / Mediji

Fitore kundër izolimit

Mehmet Bardhi1Ulqin – Kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, ka përshëndetur rizgjedhjen e Boris Tadiqit për kryetar të Serbisë, duke thënë se kjo për momentin mund të jetë më shumë se fitore.
“Fitorja e ngushtë e kryetarit të deritashëm Tadiq, për më tepër ndaj Tomisllav Nikoliqit, përfaqësuesit të radikalit Sheshel, në këtë kohë mund të jetë më tepër se fitore, ndoshta jo aq e fuqishme sa do të duhej të ishte përcaktimi politik proeuropian, por që sigurisht përbën fitore kundër izolimit”, ka thënë Bardhi.
Sipas tij, Serbia ka shpëtuar edhe një herë në momentin e fundit.
“Me këtë Serbia ka treguar se megjithatë shumica është e orientuar drejt rrugës europiane”, është shprehur Bardhi.
Kryetari i LD në MZ e ka ftuar Presidentin serb Tadiq që të pranojë realitetin dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Mendoj se presidenti Tadiq duhet të gjejë fuqinë politike dhe vullnetin njerëzor që Serbia t`i pranojë fqinjtë ashtu siç janë dhe se është koha e fundit që të pranojë dhe t`u tregojë të gjithëve se ka vend që të sundojë e drejta. Realiteti është fakt. Kosova nuk është pjesë e Serbisë. Kosova është përcaktuar qartë për integrimet euroatlantike. Mendoj se as Serbia nuk duhet të zgjedhë ndonjë rrugë të gabuar. Edhe Serbia e ka vendin në Europën e bashkuar demokratike dhe të prosperuar”, ka thënë Bardhi.
(Kohapress)