Mali Zi i përmbajtur për Kosovën

February 17, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ulqin-Podgoricë:Zyrtarë të lartë të Malit të Zi si dhe përfaqësues të subjekteve politike shqiptare, thanë të shtunën se Podgorica konsideron që procesi izgjidhjes së çështjes së Kosovës nuk ka përfunduar, por Mali i Zi nuk do të ngutet as nuk do të vonojë reagimin ndaj këtij zhvillimi. Miodrag Vukovic i partisë në pushtet, tha se “…Mali i Zi nuk do të bie nën ndikimin e provokimeve, as të kërkesave politikaneske të rezolutave të ndryshme për, gjoja mbrojtjen e Kosovës”, tha Vukovic, duke nënvizuar se është diçka joserioze që Mali i Zi të deklarohet para se vetë palët në këtë proces ta thonë fjalën përfundimtare. Vukovic ka shtuar se kur të miratohet vendimi mbi statusin e Kosovës, pa marrë parasysh cili do të jetë ai, qëndrimi i Malit të Zi do të dalë nga dialogu i Kuvendit dhe Qeverisë, duke përfshirë këtu edhe hapjen e diskutimit në parlament. “Pra, nuk do të ketë vendime të njëanshme të të cilitdo organ të Malit të Zi lidhur me çështjen e Kosovës”, tha ai. Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi,Jusuf Kalamperovic, tha se në Mal të Zi nuk ka ndonjë paralajmërim protestash, por janë ndërmarrë masa përkatëse “përkujdesjeje”.”Gjendja në Malin e Zi është stabile dhe nuk ekzistojnë vlerësime se mund të ketë destabilizim të mundshëm,qoftë në zonat ku jetojnë shqiptarët, ose në viset tjera të Malit të Zi”, tha Kalamperovic.