Kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, bisedoi të mërkurën me kryetarin e komunës italiane

February 18, 2008   | Lajmet / Vijesti

eurodistrictQëllimi, thithja e fondeve të BE-së
Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, bisedoi të mërkurën me kryetarin e Komunës Guilionese të rajonit Molisa të Italisë, Cloridano Bellochio, rreth mundësisë së krijimit të Euro Distriktit “Adritiku”, i cili ka për qëllim thithjen e fondeve të BE-së të destinuara për këtë rajon.
Sipas projektit, në këtë organizëm parashikohen të marrin pjesë 16 qytete të rajonit të Adriatikut, tetë prej të cilave nga rajoni Molisa në Itali, gjashtë komunat bregdetare në Mal të Zi dhe qytetet Shkodra dhe Kruja në Shqipëri.
Beloçio tha se bëhet fjalë për një projekt unik dhe shprehu kënaqësi që në bisedimet e zhvilluara me kryetarët e komunave në Mal të Zi që parashikohen të përfshihen në projekt ka hasur në përgjigje pozitive.
“Jemi të kënaqur që kemi hasur në përgjigje pozitive në Mal të Zi dhe në njerëz që janë të hapur për bashkëpunim. Të gjithë këtë e shikojnë me një energji pozitive”, tha Beloçio.
Projekti parashikon që deri në fund të muajit shkurt, kryetarët e qyteteve të japin pëlqimin për përfshirje në Euro Distrikt, kurse në muajin mars në Itali pritet të nënshkruhet Konventa.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, nënvizoi gatishmërinë e Komunës së Ulqinit për pjesëmarrje në projekte të tilla rajonale që kanë për qëllim zhvillimin e tij.
“Ne si komunë jemi të hapur për bashkëpunim dhe normalisht me kënaqësi kemi pranuar që të jemi njëra prej atyre komunave në Mal të Zi që do të jenë në këtë organizëm”, theksoi ai, duke shtuar se vendimi do të merret pas shqyrtimit në detaje të anëve pozitive dhe detyrimeve që burojnë nga Konventa dhe përfshirja në këtë organizëm.
I.K
www.kohajavore.cg.yu