Kthimi i Gjukanoviç parë si kyç për unitetin e partisë në Malin e Zi

February 18, 2008   | Politika

Milo Gjukanoviç, udhëheqësi karizmatik malazes që drejtoi lëvizjen e vendit për pavarësi, është gati të marrë përsëri frenat. Me kryeministrin Zheljko Sturanoviç tërhequr për probleme shëndetësore, Gjukanoviç është caktuar ta pasojë atë.
Ai thuhet se do që të kthehet me qëllim që të përshpejtojë zhvillimin e sektorit energjitik nëpërmjet tërheqjes së investitorëve të huaj dhe të nisë ndërtimin e një udhëshpejte veri-jugë. Disa gjithashtu thonë se kthimi i tij është i nevojshëm për të parandaluar grindjet brenda Partisë së tij Demokratike të Socialistëve (DPS).
DPS, e cila ka mbajtur pushtetin në Malin e Zi për 17 vjet, përfshin një numër figurash të fuqishme që nuk duan ta lënë njeri tjetrin të mbizotërojnë. Partia thuhet se do që të shmangë luftën e brendëshme duke i dhënë postin e kryeministrit, posti më i rëndësishëm në Malin e Zi, njeriut të parë si autoritet i pakonkurrueshëm.
Edhe Gjukanoviç ka ndeshur megjithatë në pengesa. Në tetor 2006, kur ai vendosi të tërhiqet si kryeministër për t’u përqëndruar në drejtimin e një biznesi, ai donte të nxirrte Igor Lukshiç, ministrin e ri të financave, për atë post. Por zgjedhja e tij u kundërshtua nga nën kryetarët me ndikim të partisë, Svetozar Maroviç dhe Filip Vujanoviç dhe në vend të tij u zgjodh Sturanoviç.
Detyra e parë e Gjukanoviç kur të rimarrë postin do të jetë të hartojë një seri përparësish qeveritare për të mbuluar periudhën deri në vjeshtë të 2009 kur janë caktuar zgjedhjet parlamentare. Ai ka sinjalizuar tashmë se kërkimi i fondeve për sektorin e energjisë do të jetë një nga fushat e tij kyçe të vëmendjes së tij.
“Ne kemi një problem të madh me mungesat e energjisë gjë që ka shkaktuar një deficit tregtar. Kjo mund të kufizojë zhvillimin tonë,” tha ai, duke paralajmëruar se një projekt rajonal tubacioni ujor rrezikon të dështojë për shkak të furnizimeve të pamjaftueshme me energji.
Analisti politik Svetozar Joviçeviç thotë se dëshira për të privatizuar njësitë e mëdha energjitike është forca lëvizëse prapa kthimit të Gjukanoviç. Privatizimi i energjisë nuk ishte një temë kryesore e administratës paraardhëse të tij, që ishte ndikuar nga partneri i saj i koalicionit, Partia Social Demokratike (SDP).
Sipas Joviçeviç, kthimi i Gjukanoviç është diçka si anomali. “Nuk është e natyrshme për dikë që ishte për kaq gjatë zyrtari më i lartë i institucioneve të vendit në kohë shumë të vështira” të marrë përësri postin e kryeministrit.
“Nuk është normale në demokraci të kesh një njeri si kryeministër pesë herë,” thotë Joviçeviç duke paralajmëruar gjithashtu se riemërimi mund të dërgonte një sinjal shqetësues jashtë pasi Gjukanoviç është nën hetim në Itali për kontrabandë cigaresh.
Por Srxhan Damanoviç, dekan i departamentit të shkencave politike në Universitetin e Malit të Zi thotë se ka kuptim që Gjukanoviç të bëhet kryeministër përësri pasi ai është kreu i partisë qeverisëse.
“Ky është rasti në të gjitha demokracitë parlamentare: kryetari i partisë qeverisëse duhet të jetë një kryeministër,” thotë ai.
www.setimes.com/
Nga Nedjeljko Rudoviç për Southeast European Times në Podgoricë