Nacionalistët serbë boshnjakë kërcënojnë për shkëputje

February 18, 2008   | Rajoni / Region, Shtypi / Mediji

Një grup nacionalist serb boshnjak paralajmëroi të enjten (14 shkurt) se do të shtyjë që Republika Srpska (RS) të shpallë pavarësinë nga Bosnje dhe Herzegovina (BiH) po qe se Kosova shkëputet nga Serbia.
“Në qoftë se Kosova shpall pavarësinë, ne do të kërkojmë pavarësi për Repubikën Serbe po ashtu,” tha kryetari i Lëvizjes Serbe të Shoqatave të Pavarura (SPONA) Branislav Dukiç në një konferencë shtypi në Banja Luka.
Në rast se ndonjë ish republikë jugosllave njeh deklarimin e njëanshëm që ligjbërësit e Prishtinës pritet të miratojnë të dielën, autoritetet e RS duhet të marrin hapa për të rifituar të gjitha pushtetet e transferuara nga niveli i njësisë në atë shtetëror në vitet e fundit, tha ai.
Duke cituar burime diplomatike, e përditshmja maqedonase Utrinski Vesnik raportoi të premten se Shkupi do ta njihte pavarësinë e Kosovës brenda tre javësh të shpalljes së saj. Kroacia tregoi këtë javë se do të ndiqte politikën e BE në këtë çështje por nuk do të ishte midis të parave që njoftonte njohjen e shtetit që lind.
Sllovenia, e cila mban aktualisht presidencën e rradhës të BE, është midis grupit të vendeve anëtare të bashkimit 27-vendesh që kanë sinjalizuar gatishmërinë e tyre për të njohur një Kosovë të pavarur pa miratimin e OKB-së.
Në qoftë se BE merr këtë masë “kundër ligjit ndërkombëtar”, parlamenti i RS duhet të deklarojë pavarësinë e njësisë pa një referendum, tha kreu i SPONA e cila përbëhet nga disa grupe veteranësh serbë boshnjakë.
“Në qoftë se parlamenti i paligjshëm i Kosovës mund të deklarojë pavarësinë, nuk ka arsye pse parlamenti i ligjshëm i Republika Srpska të mos e ketë atë të drejtë,” Reuters e citonte Dukiç.
Një tjetër grup nacionalist, Zgjedhja është Juaja, është thënë se gjithashtu po bën plane të shtyjë ligjbërësit e RS për të ndjekur shembullin e Kosovës. Përveç kësaj, ai po premton të ngrejë protesta paqësore po qe se krahina shkëputet nga Serbia.
Kryeministri i RS Milorad Dodik, i cili është kritikuar për deklarime të ngjashme shkëputëse në të kaluarën, tha të enjten se njësia do të gjykojë “me shumë kujdes” reagimin e saj ndaj shpalljes së pavarësisë nga Kosova.
“Në rast të një shpalljeje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës, të tjerë mundet gjithashtu të zhvillojnë ide të tilla,” shtoi ai.
Gjëja më e rëndësishme, tha Dodik, është të mbahet paqja dhe siguria në RS. Ai theksoi gjithashtu se qeveria e tij do të bllokonte çdo përpjekje që BiH të njihte Kosovën si një shtet të pavarur.
I dërguari i lartë ndërkombëtar në BiH, Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajçak ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e cila i dha fund konfliktit të 1992-1995, garanton integritetin territorial të BiH dhe nuk parashikon për ndryshime kufijsh.
“Republika Srpska nuk ka të drejtë të shkëputet nga Bosnja, në të njëjtën kohë, askush nuk mundet njëanshmërisht të shfuqizojë Republika Srpska,” tha Lajçak kohët e fundit.
Përpara shpalljes së pritur të pavarësisë së Kosovës, forcat policore në RS filluan përgatitjet këtë javë për t’u marrë me një përshkallëzim potencial të tensionit në njësi.
“Policia është në alarm me një numër të mjaftueshëm policësh me qëllim që të reagojë ndaj çdo trazire dhe dhune të mundshme,” citoi AFP kreun e administratës së policisë penale të ministrisë së brendshme, Gojko Vasiç të thoshte të premten. “Ne nuk presim ndonjë trazirë të madh, por në qoftë se do të ketë protesta, policia do t’i sigurojë këto veprimtari siç duhet.”

www.setimes.com