Iniciativa qytetare ia dorëzoi kuvendit të ku të Tuzit propozimin e vendimit për organizimin e referendumit për komun të plotë

February 19, 2008   | Politika

sinishtajT`u ofrojmë qytetarëve atë që u kemi premtuar
Tuz- Këshilltarët e Kuvendit të KU të Tuzit, në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet më 18 shkurt, do të kenë si temë kryesore diskutimin rreth organizimit të referendumit për Komunë të mëvetësishme të Tuzit, pasi që ditë më parë, Vasel Sinishtaj, në emër të IQ ia dorëzoi Kuvendit të KU të Tuzit Propozimin e vendimit për organizimin e referendumit, dita e mbajtjes së të cilit parashikohet të jetë në datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Mali të Zi.
Lideri i ASH, Vasel Sinishtaj, bën të ditur për “Kohën javore” se ato subjekte politike që kanë marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe kanë paraqitur amendamentet e përbashkëta ndaj Kushtetutës dhe Ligjit për zbatimin e Kushtetutës kanë edhe Marrëveshjen politike me të cilën trevës së KU të Tuzit i garantohet e drejta e organizimit të referendumit, ku vullneti i qytetarëve në atë referendum do të shprehet përmes Ligjit për organizimin territorial.
“Duke u bazuar në Marrëveshje, por edhe në norma ligjore, të cilat nuk janë shumë precize, ne kemi bërë propozim dhe presim që në seancën e ardhshme, më 18 shkurt ta shqyrtojmë këtë, duke marrë parasysh faktin se për këtë propozim do të kemi edhe kundërshtime nga përfaqësuesit e partisë në pushtet”, thotë Sinishtaj. Ai beson dhe shpreson se së paku ata që e kanë nënshkruar Marrëveshjen politike, ku aty është edhe përfaqësuesi i UDSH-së dhe ato subjekte politike, të cilat Komunën e plotë të Malësisë e shohin në programet e veta, do ta mbështesin këtë propozim në Kuvendin e KU.
Sinishtaj sqaron se ekziston mundësia që vendimin e KU të Tuzit ta suspendojë organi shtetëror, qoftë edhe Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, qëllimi kryesor është që qytetarëve të Malësisë t`ua ofrojnë ata që u kanë premtuar në zgjedhje.
Ndërkaq, kryeadministratori i Kryeqytetit, Srgja Raiçeviq, në një deklaratë për “Vijesti” tha se KU e Tuzit nuk ka të drejtë të shpallë referendumin për komunë të mëvetësishme. Sipas tij, për një gjë të tillë është i nevojshëm pëlqimi nga Podgorica.
Rr.D
www.kohajavore.cg.yu/