Intervistë me Osman Subashiqin, ndihmësministër i punve të brendshme dhe i administratës publike

February 19, 2008   | Politika

Osman SubashiqMPB-ja ka pësuar transformim pozitiv
Koha javore: Z. Subashiq, Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar para do kohe Ligjin mbi letërnjoftimin, ndërkohë që në hartim e sipër janë edhe disa projektligje të tjera që rregullojnë lëndën që ka të bëjë me dokumentet personale. Si e vlerësoni Ju Ligjin mbi letërnjoftimin dhe cilat janë risitë e tij?
O. Subashiq: Brenda këtij viti dhe deri në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të hartohen të gjitha ligjet në mënyrë që të harmonizohen me standardet europiane. Siç dihet, tashmë është nxjerrë Ligji për letërnjoftimin. Risia është se me këtë ligj është rregulluar që çdo pjesëtar, çdo qytetar, shtetas i Malit të Zi, ka të drejtë të kërkojë që emri dhe mbiemri i tij të shkruhet në gjuhën shqipe. Po ashtu e njëjta gjë do të jetë edhe me Ligjin për pasaporta.
Po ashtu për herë të parë në Mal të Zi, nëse kemi parasysh periudhën që prej vitit 1945 e këndej, këto ditë do të dalin çertifikatat e lindjes, martesës apo kurorëzimit, nënshtetësisë, etj. edhe në gjuhën shqipe, d.m.th. në dy gjuhë, në gjuhën malazeze dhe në atë shqipe. Më duhet të potencoj se këto nuk janë kushte që neve na i ka vënë dikush, mendoj Europa, por kjo është politika e vetë Ministrisë.

Koha javore:
Ka pasur polemika të shumta rreth Projektligjit që rregullon marrjen e shtetësisë së Malit të Zi. Duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e shqiptarëve në Mal të Zi jetojnë jashtë ka ekzistuar një lloj frike, një lloj droje, se ndoshta mund ta humbin shtetësinë e Malit të Zi. Çfarë parashikon konkretisht Projektligji mbi shtetësinë?
O. Subashiq: Në Parlamentin e Malit të Zi këto ditë është duke u shqyrtuar Projektligji për shtetësinë e Malit të Zi. Dua të them se nuk ekziston kurrfarë problemi në këtë drejtim. Me Projektligj parashikohet që ata shtetas të Malit të Zi që më 3 qershor 2006, do të thotë ditën kur është nxjerrë Rezoluta për pavarësinë e Malit të Zi, e kanë pasur shtetësisnë e Malit të Zi dhe shtetësinë e ndonjë shteti tjetër do tzi mbajnë të dy nënshtetësitë.

Koha javore:
Qytetarët shqiptarë jashtë Malit të Zi në të kaluarën kanë pasur probleme me marrjen e shtetësisë. Kam parasysh këtu në radhë të parë rastet kur një një qytetar shqiptar në Mal të Zi është martuar me dikë nga Shqipëria, Kosova, etj. ku ka pasur raste që për marrjen e shtetësisë kanë pritur edhe dhjetë vjet. Çfarë parashikon Projektligji për shtetësinë në këtë aspekt?
O. Subashiq: Fitimi i shtetësisë në bazë të martesës ka qenë i rregullar edhe me parë me Ligjin e shtetësisë së Malit të Zi, i cili është në fuqi që në vitin 1999. Kjo çështje do të jetë e rregulluar në mënyrë të njëjtë edhe me Ligjin e ri të shtetësisë. Domethënë, kur një qytetar që nuk e ka shtetësinë e Malit të Zi martohet me një shtetas të Malit të Zi, duhet të banojë në Mal të Zi pesë vjet që ta fitojë shtetësinë e tij.

Koha javore:
Megjithëse Mali i Zi është pavarësuar që më 21 maj 2006, pra kanë kaluar 20 muaj, qytetarët e tij nuk i posedojnë ende dokumentat personale të këtij shteti. Madje është absurde sepse, për shembull, ne ende përdorim pasaporta në të cilat shkruan SR Jugosllavija, pra të një shteti i cili ka kohë që nuk ekziston. Kur mund të pritet që qytetarët e Malit të Zi tzi fitojnë dokumentet personale?
O. Subashiq: Është e njohur se menjëherë pas shpalljes së pavarësisë është shpallur tenderi publik për punimin e dokumentave të reja: letërnjoftimit, pasaportës, lejes së qarkullimit, etj. Mirëpo tenderi për shkaqe tashmë të njohura është anuluar.
Përsëri është shpallur tenderi kështu që në shtator të vitit të kaluar është nënshkruar kontrata me një firmë amerikane për punimin e këtyre dokumentave. Këto ditë janë duke u bërë përgatitjet e fundit për fillimin e lëshimit të dokumentave të reja. Besoj se kjo punë sa i përket përgatitjeve teknike dhe administrative do të përfundojë së shpejti dhe kah fundi i prillit, eventualisht në fillim të majit të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të fillojë me lëshimin e dokumenteve të reja.
Këto dokumente janë mjaft bashkëkohore, biometrike, kanë çipin e vet, etj. Pra me siguri do të kemi ndër dokumente më bashkëkohore në Europë.

Koha javore:
Cila do të jetë procedura që do të ndiqet për marrjen e dokumenteve të reja personale? Brenda çfarë periudhe duhet që qytetetarët tzi zëvendësojnë dokumentat e tyre të vjetra?
O. Subashiq: Prej fillimit të lëshimit të dokumenteve të reja do të lihet një periudhë për zëvendësimin e dokumentave. Pse? Sepse nëse dikush ta zëmë në pasaportën e tij posedon një vizë e cila zgjat për një periudhë, ne nuk të themi se prej sot vlejnë dokumentet e reja, kurse ato të vjetrat nuk vlejnë më. Domethënë kjo është arsyeja se pse do të lihet një periudhë në dispozicion për qytetarët për zëvendësimin e dokumenteve. Mirëpo që nga ajo ditë që do të fillojmë me lëshimin e dokumentave të reja, nuk do të lëshohen më dokumenta të vjetra. Sa i përket konkretisht pasaportës, besoj se pasaportat e vjetra do të vlejnë deri në vitin 2009.
Sa i përket procedurës që duhet zbatuar për marrjen e dokumentave të reja, ajo do të jetë mjaft e thjeshtë. Për shembull, për letërnjoftim duhen vetëm dy dokumente: çertifikata e lindjes dhe ajo e shtetësisë.
Një lehtësim për qytetarët është se ata më nuk kanë nevojë, por as mundësi, që të shkojnë të fotografohen në një studio fotografike. Të gjitha këto shërbime do të kryhen në përfaqësitë e MPB-së, me çzrast do të merren edhe karakteristikat personale biometrike, si shenja e gishtit, syri, etj. E gjithë kjo bëhet edhe për një arsye tjetër. Sepse, për shembull, në rast të lidhjes së marrëveshjeve bilaterale apo multilaterale me shtetet e tjera, qytetari i Malit të Zi mund të udhëtojë me letërnjoftim edhe në shtete të huaja.
Kur flasim për letërnjoftimin, më duhet të nënvizoj një gjë mjaft të rëndësishme që ka të bëjë me kushtet që duhet plotësuar për marrjen e letërnjoftimit të Malit të Zi. Me Ligjin që është në fuqi, të drejtën e posedimit të letërnjoftimit të Malit të Zi e ka pasur çdo qytetar i cili e ka pasur shtetësinë e Malit të Zi, Serbisë ose të Jugosllavisë, ose ka qenë e mjaftueshme që ai të banojë në Mal të Zi. Mirëpo me Ligjin e ri, i cili hyn në fuqi dhe do të fillojë të zbatohet prej momentit të lëshimit të dokumentave të reja, të drejtën e posedimit të letërnjoftimit të Malit të Zi do të ketë vetëm shtetasi i tij.

Koha javore: Ekzistenca e sektorit për lëshimin e dokumentave personale në kuadër të godinës së policisë ka krijuar në të kaluarën efekt negativ për shumë qytetarë shqiptarë duke pasur parasysh ndjesinë dhe përvojën e tyre me policinë. A jeni duke punuar për ndarjen fizike të këtij sektori nga policia?
O. Subashiq: Në disa komuna të Malit të Zi kemi arritur që tzi ndajmë tërësisht, domethënë sektori ynë nuk është në kuadër të një ndërtese me policinë. Ndërsa në disa komuna të tjera, ku kemi pasur kushte për zyra, sportele, ato kanë mbetur në kuadër të asaj ndërtese, mirëpo juridikisht ne jemi sektor i posaçëm dhe jemi të ndarë nga policia.

Koha javore:
Duke pasur parasysh faktin që thashë më lart se shqiptarët në të kaluarën kanë pasur një ndjesi të keqe ndaj policisë dhe MPB-së në përgjithësi, si ndjeheni Ju si shqiptar tani që gjendeni në strukturën drejtuese apo në kupolën e MPB-së?
O. Subashiq: Që prej vitit 2006 MPB-ja ka pësuar një transformim në krahasim me situatën e mëparshme dhe strukturën e mëparshme organizative. Pse? Sepse policia dhe Agjencia për Sigurinë nacionale janë persona të tjerë juridikë, kështu që MPB-ja sot mund të quhet edhe Ministria për Administratën Shtetërore.
Sa më përket mua personalisht, unë drejtoj sektorin për administratën e punëve të brendshme, që ka në kompetencë lëshimin e dokumenteve personale, rregullimin e çështjes së shtetësisë, azilit dhe të huajve. Dhe besoj se të gjitha pakicat, por posaçërisht shqiptarët, do të përfitojnë me prezencën time këtu. Për shembull, një ndër ato çështje që janë rregulluar dhe për të cilat unë ndjehem krenar është fakti se për herë të parë në Mal të Zi shqiptarët do të kenë mundësi që dokumentat e veta personale, domethënë çertifikatën e lindjes, shtetësisë, kurorzimit, etj. tzi marrin edhe në gjuhën shqipe.
Në këtë drejtim më duhet të përmendi po ashtu se ne jemi duke përgatitur edhe Ligjin për emrin. Në bazë të këtij Projektligji, pakicat, konkretisht edhe ajo shqiptare, kanë të drejtë ta shkruajnë emrin edhe në alfabetin dhe gjuhën shqipe, përpos nëse prindi nuk dëshiron.
Unë besoj se çështjet e rregullimit të të drejtave të njeriut dhe të një kolektiviteti nacional nuk mund të zgjidhen jashtë institucioneve, por duke marrë pjesë në to.
Bisedoi: I. Kallaba
www.kohajavore.cg.yu