Gëzim i mbytur në Malin e Zi

February 20, 2008   | Politika

Shqiptarët fshehin flamujt kombëtarë. Festa, vetëm në ambiente të mbyllura
Shqiptarët në Mal të Zi e kanë festuar të mbyllur në lokale e diskoteka festën e pavarësisë së Kosovës. Kjo, sipas liderëve politikë shqiptarë të Malit të Zi, është kërkuar nga Ministria e Brendshme, diplomacia ndërkombëtare dhe në veçanti nga Ambasada Amerikane në Podgoricë, për të mos provokuar dhe shmangur incidentet me serbët që përbëjnë 32 për qind të popullsisë së shtetit të vogël. Ndërkohë, në zonën në kufi me Shqipërinë, ku popullsia është tërësisht shqiptare, janë parë policë malazezë dhe njerëz të shërbimeve sekrete duke fotografuar flamujt shqiptarë dhe njerëzit që festonin.

Në ndryshim nga atmosfera që ishte në gjithë trevat shqiptare, ku në rrugët kryesore ishin vendosur flamujt kombëtarë dhe mbizotëronte atmosferë festive, në Ulqin dhe Tuz, dy komuna këto të Malit të Zi që popullohen nga shumicë shqiptarësh, atmosfera ishte krejt ndryshe. Në rrugë apo në banesa nuk shihej asnjë flamur shqiptar. Dita të ngjasonte më një të diel tipike pushimi. Shumica e dyqaneve ishin të mbyllura dhe shumë pak njerëz lëviznin nëpër rrugë. Vetëm në mesditë, në selitë e Lidhjes Demokratike Shqiptare, në Vladimir dhe në selinë e Unionin Demokratik Shqiptar, në Ulqin, janë vendosur flamujt kombëtarë. Këta dy flamuj ishin të vetmit në të gjithë Komunën e Ulqinit dhe nuk kishin sesi të tregonin atmosferë feste, kur njerëzit nuk mund të festonin në rrugë. Të shtunën, më 16 shkurt, ministri i Brendshëm i Malit të Zi, në gazetën më të madhe në vend “Vijesti”, u ka bërë thirrje shqiptarëve të mos dalin në rrugë për të festuar, por të festojnë vetëm në ambiente të mbyllura. Liderët kryesorë shqiptarë në republikën buzë Adriatikut thonë se ka qenë këshilla e diplomatëve të huaj, e në veçanti e ambasadës amerikane dhe e Ministrisë së Brendshme Malit të Zi, që të mos ketë festime në rrugë, për të mos provokuar serbët e Malit të Zi. Por më tepër se sa këshilla e diplomacisë së huaj, te shqiptarët dallohej frika për të folur hapur për pavarësinë e Kosovës. Njerëzit ndiheshin si të ishin të survejuar në të gjitha veprimet e tyre dhe më pas mund të jepnin llogari për atë çfarë kishin bërë. Kjo situatë aspak e zakontë në komunat shqiptare të Malit të Zi të kujton vetëm kohën kur Mali i Zi ishte në varësi të Serbisë, nën diktaturën e Sllobodan Millosheviçit. Frika kuptohej edhe nga shmangia që u bënin qytetarët e Ulqinit gazetarëve shqiptarë. Por kishte nga ata qytetarë që e përshëndesnin hapur pavarësinë. “Është një ditë e shënuar për gjithë shqiptarët pavarësia e Kosovës. Jemi tepër të gëzuar dhe ndihemi krenarë sot”, tha Jonuz Muharremi, një banor i Ulqinit. Kosovarët që punojnë e jetojnë në Ulqin janë shprehur tepër të pakënaqur me mënyrën e festimit. Njëri prej tyre, Arduan Shaqiri, tha se së bashku me dy shokët, po nisej për Kosovë, pasi në Ulqin nuk po festohej. “Nuk e dimë pse këtu nuk po festohet, në një kohë kur në të gjithë botën ku ka shqiptarë festa ka nisur”, tha Arduani.

Në Ulqin, festa filloi në orën 15.50 minuta, kur Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë e vendit. Por kjo festë, e organizuar nga Unioni Demokratik Shqiptar, u zhvillua në ambientet e mbyllura të një diskoteke, pranë plazhit të vogël. Diskoteka dukej si territor i ambasadës shqiptare. Gjithandej shihje flamuj kuqezi. Por jashtë atyre mureve, duhej të harroje gjithçka që kishte të bënte me festën.

Liderët kryesorë politikë shqiptarë në Mal të Zi kanë dhënë disa deklarata për të përshëndetur pavarësinë e Kosovës. Kështu, pavarësinë e Kosovës e përshëndetën nëpërmjet gazetës “Shqip”, deputeti Ferhat Dinosha, ministri i Pakicave në Mal të Zi, Fuat Nimani, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, kreu i Partisë Forca e Re Demokratike, Nazif Cungu, kryetari Lidhjes Demokratike për anën e malit në Vladimir, Hajredin Kovaçi etj.

Këshilla

Diplomacia ndërkombëtare ka kërkuar që festa e pavarësisë së Kosovës të mos festohet me shumë bujë, sidomos në zonat e nxehta. Por kjo nuk u mor parasysh në Maqedoni, ku shqiptarët festuan në rrugët dhe në sheshet kryesore të qyteteve. Vetëm shqiptarët e Malit të Zi u qëndruan besnikë këshillave për të mos festuar nëpër rrugë

Pozitat

Shqiptarët përbëjnë 7 për qind të popullsisë në Malin e Zi dhe janë të vendosur në pjesën jugore të vendit. Shumica e popullsisë, 44 për qind, janë malazezë, 33 për qind janë serbë dhe 14 për qind boshnjakë. Megjithëse janë komuniteti më i vogël, shqiptarët luajtën rol vendimtar në referendumin për shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia

GazetaShqip