KK “Champion” mori pjesë në turneun VII ndërkombëtar “sretenje 2008” në Arangjellovac të Serbisë

February 21, 2008   | Sporti / Sport

Adonis MarkashiChampion” – i treti në renditje, Markashi – garuesi më i mirë
Megjithëse KK “Champion” mori pjesë në Turne vetëm me gjashtë garues, ai arriti sukses të lakmueshëm duke u renditur në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, ndërsa garuesi i këtij klubi, Adonis Markashi, u shpall garuesi më i mirë i Turneut.
Fundjavën e kaluar në Arangjellovac të Serbisë u mbajt Turneu VII Ndërkombëtar “Sretenje 2008”, i cili u organizua nga Federata e Karatesë së Serbisë. Në këtë turne morën pjese rreth 680 garues nga 48 klube të ndryshme të rajonit, në mesin e të cilëve edhe KK “Champion”.
Megjithëse “Champion” mori pjesë vetëm me gjashtë garues, ai arriti sukses të lakmueshëm duke u renditur në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, ndërsa garuesi i këtij klubi, Adonis Markashi, u shpall garuesi më i mirë i Turneut. Për Markashin kjo nuk është hera e parë që kurorëzohet me këtë titull, gjë që dëshmon kualitetin e tij në këtë sport.
“Champion” fitoi nëntë medalje të arta, pesë të argjendta dhe dy të bronzta, si dhe dy kupa.
Kështu ekipi i katave në përbërje: Genc Murati, Edmond Mehmedi dhe Adonis Markashi, si zakonisht u kurorëzua me medalje të artë, ku në finale me rezultatin e pastër 3:0 fitoi ndaj një ekipi nga Bosnja e Hercegovina.
Edhe ekipi i femrave në lufta, grupmosha z91-z92, në përbërje: Selma Gurzakoviq, Jozefina Briskoviq dhe Xheneta Vuciq, arriti sukses të lakmueshëm duke u kurorëzuar me medalje të argjendtë.
Në konkurrencën individuale suksesin më të madh natyrisht e arriti Adonis Markashi. Përveç medaljes së artë në kata ekipore, ai fitoi medalje të arta edhe në kata individuale dhe luftra individuale në grupmoshën z97-z98, në kategorinë deri 30kg. Vlen të theksohet se në finale ai u takua me shokun e tij të KK “Champion”, Edmond Mehmedi. Kjo nuk është hera e parë që këta dy garues takohen në finale në gara të ndryshme.
Garuesi tjetër i KK “Champion”, Genc Murati, përveç medaljes së artë të fituar në kata ekipore, fitoi medalje të artë edhe në kata individuale në kategorinë e tij dhe medalje të argjendtë në luftra individuale, në peshën +30kg, kurse Edmond Mehmedi përveç medaljes së artë në kata ekipore, u kurorëzua me medalje të argjendtë në luftra individuale dhe me medalje të bronztë në kata individuale.
Përveç medaljes së argjendtë në lufta ekipore, garuesja Jozefina Briskoviq në kata individuale, në një konkurrencë mjaft të madhe, arriti të kurorëzohet me medalje të artë, si dhe me atë të bronztë në luftra individuale.
Edhe garuesja tjetër e këtij klubi, Selma Gurzakoviq, përveç medaljes së argjendtë në lufta ekipore, fitoi medalje të artë në luftra individuale, në grupmoshën z92, në kategorinë -50kg.
Trajnerët e KK “Champion”, Lekë Markiqi dhe Nail Kurtoviqi, duke mos e fshehur kënaqësinë për rezultatin e arritur në këtë turne, vlerësojnë posaçërisht si sukses renditjen në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme “duke marrë parasysh se u përfaqësuan vetëm me gjashtë garues në në një turne ndërkombëtar dhe në një konkurrencë tepër të fortë”.
Ata e vlerësojnë këtë sukses jo vetëm si arritje të KK “Champion”, por edhe të tërë Ulqinit.
Markiqi dhe Kurtoviqi falënderojnë kompaninë “Hollegro” për mbështetjen financiare si dhe sponsorin e përgjithshëm “Prva Banka”.

(Kohapress)