Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi përgëzon popullin e Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë

February 25, 2008   | Politika

Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve në Mal të ZiU korrigjua padrejtësia historike
Ulqin – Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi e ka uruar popullin e Kosovës me rastin e shpalljes së aktit historik të Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
BDSH vlerëson se pavarësia e shtetit të Kosovës u lind nga rrugëtimi i stërmundimshëm i popullit shqiptar të Kosovës rreth një shekulli, duke u përballur me sfidat më çnjerëzore e gjenocidale të llojit bizantin nga regjimi serb.
“Pavarësia e Kosovës është akt historik i popullit të Kosovës dhe mbarë shqiptarëve kudo që janë si dhe rrezaton majat më të larta të historisë sonë kombëtare. Padrejtësia historike që iu bë popullit shqiptar në fillim të shekullit që shkoi është ndër precedentët e diplomacisë europiane, dhe pikërisht më 17 shkurt 2008, u korrigjua kjo padrejtësi historike, që sido kudo merr një udhë të mbarë në zgjidhjen e përgjithshme të çështjes kombëtare shqiptare. Çdo shqiptar në botë me gëzim dhe krenari të ligjshme uron pavarësinë e Kosovës si shtet demokratik dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e saj”, thuhet në deklaratën për shtyp të BDSH në MZ të nënshkruar nga kryetari i saj, Ali Doda.
Kjo parti u ka dërguar me këtë rast telegrame urimi drejtuesve më të lartë të Kosovës, Presidentit Fatmir Sejdiu, kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

(Kohapress)