Me rastin e pavarësimit të kosovës, shoqata e gruas “Anima” në ulqin organizoi një mbrëmje të posaçme

February 25, 2008   | Intervista / Intervju

zylfie durakuE paçi përjetë e mot!
Gratë e Ulqinit, Anës së Malit dhe Krajës të tubuara në Shoqatën e Gruas “Anima”, në ambientet e Bibliotekës së Ulqinit shprehën mesazhe urimi dhe gëzimi me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ato ia uruan gjithë popullit të Kosovës dhe institucioneve më të larta të shtetit këtë fitore të madhe historike dhe theksuan se pavarësia e Kosovës erdhi pas një sakrifice dhe mundi të madh shekullor të popullit të Kosovës. Kryetarja e shoqatës “Anima”, dr. Zylfie Gjoni Duraku, në fjalën e saj përshëndetëse me emocion përgëzoi këtë fitore të madhe të të gjithë shqiptarëve dhe falënderoi popullin e Kosovës, dëshmorët e saj të lirisë dhe akterët që kanë ndihmuar realizimin e kësaj ëndrre shekullore të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, e në veçanti të popullit liridashës të Kosovës. “Nga ky tubim i grave në Ulqin, i përcjell një urim dhe mesazh të përbashkët popullit të Kosovës, ideatorëve të pavarësisë, luftëtarëve të Kosovës, familjarëve të luftëtarëve të rënë për Kosovën, të gjitha nënave, baballarëve dhe motrave kosovare, udhëheqësisë së Kosovës të rënë për Kosovë, kurse 17 shkurtin e vlerësojmë si ditë historike – Gëzuar pavarësia! E paçi përjetë e mot ! Vuajtjet dhe sakrifica qofshin për ju të harruara! Paçi gjithmonë gëzime, lumturi dhe prosperitet në familjet e tuaja! Lulëzoftë dhe e bekoftë Zoti Kosovën!” theksoi zonja Duraku, me besimin se kosovarët do t`i kontribuojnë shumë paqes në Ballkan. Më pas fjalën e mori Shefika Gjoni, kryeredaktore e revistës “Nora”, e cila në këtë mbrëmje solli çaste e emocione nga atmosfera e ngrohtë e dasmës shqiptare në Prishtinë ditën e shpalljes së pavarësisë. Jo më pak emocionuese ishin edhe përshëndetjet e grave nga Kosova, të cilat i lexoi Vera Gorana dhe ato të grave ulqinake, Paulina Jankoviq, Bedrie Osmani, Angjelina Lleshi, Nepe Peraj dr. Sadie Hollaj, Zana Sarvan, Fatbardhe Katana dhe Hatixhe Gjoni.
Në këtë mbrëmje të organizuar mirë, ku merrnin pjesë rreth 100 gra intelektuale, përjetimet ishin aq të mëdha sa që përveç buzëqeshjes nuk munguan as lotët e gëzimit. I gjithë ky aktivitet organizuar nga shoqata ” Anima” për nder të shpalljes së pavarësisë së Kosovës u shoqërua edhe me piano dhe këngë të shkëlqyera, ekzekutuar nga profosoresha e muzikës Merita Subashiq dhe sopranoja Maida Resulbegu.

Gj. Gjonaj
www.kohajavore.cg.yu