Për shkollat shqipe në Mal të Zi

February 26, 2008   | Kulturë / Kultura

Asllan Bisha-UlqinU lejuan edhe 20% kulturë nacionale
Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Malit të Zi lejoi që në shkollat me mësim në gjuhën shqipe të lejohet mësimi i historisë, letërsisë, muzikës, artit figurativ etj. – për 20% më shumë. Këtë do ta përzgjedhin arsimtarët e lëndëve në aktivet e tyre. Mirëpo, mësimdhënësit u zunë gafil, ngase udhëzimet ishin të pakta, mirëpo edhe përvoja e hidhur nga e kaluara i stepi ata. Mësimdhënësit shqiptarë në Mal të Zi nuk arritën ta themelojnë as shoqatën e arsimtarëve. Për habi të madhe kjo iniciativë lindi në vitet e 1990-ta, por s`u realizua asnjëherë. Në Ulqin u themeluan mbi 100 (njëqind) shoqata joqeveritare, por shoqata e arsimtarëve ende s` lindi.
Nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe në Mal të Zi iu lejuan edhe 20% të mësojnë nga kultura kombëtare.
Programet mësimore me mësim në gjuhën shqipe në vitin shkollor 1981/82 pësuan ndërrime të mëdha. Programet u ndryshuan, posaçërisht nga gjuha e letërsia shqiptare dhe historia. U ndaluan tekstet e atëhershme mësimore që siguroheshin nga Kosova. Mësimdhënësit shqiptarë kundërshtuan dhe kërkuan që shkolla shqipe të mos privohet nga e drejta të mësojë kulturën e mirëfilltë kombëtare. Fjala e mësimdhënësve s`u dëgjua, bile disa prej tyre u burgosën dhe u akuzuan për nacionalizëm dhe irredentizëm. Të tjerëve iu dha kartela e verdhë – parapërjashtim nga puna. Nga plan-programet mësimore u hoqën edhe kolosët e letërsisë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu etj., të gjithë ata që ishin nga Shqipëria.
Në lëndën e historisë mësohej vetëm historia serbe dhe ajo botërore. Ashtu vazhdoi edhe në mileniumin e ri. Në këtë lëndë gati nuk ndryshoi asgjë. Dhe nxënësit shqiptarë mësonin 2-4% të historisë kombëtare. Intelektualët, shoqatat joqeveritare, subjektet politike shqiptare kërkuan vazhdimisht që kjo gjendje të ndryshohet, të përmirësohet.
Tani Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Malit të Zi lejoi që në shkollat me mësim në gjuhën shqipe të lejohet mësimi i historisë, letërsisë, muzikës, artit figurativ etj. – për 20% më shumë. Këtë do ta përzgjedhin arsimtarët e lëndëve në aktivet e tyre. Mirëpo, mësimdhënësit u zunë gafil, ngase udhëzimet ishin të pakta, mirëpo edhe përvoja e hidhur nga e kaluara i stepi ata. Mësimdhënësit shqiptarë në Mal të Zi nuk arritën ta themelojnë as shoqatën e arsimtarëve. Për habi të madhe kjo iniciativë lindi në vitet e 1990-ta, por s`u realizua asnjëherë. Në Ulqin u themeluan mbi 100 (njëqind) shoqata joqeveritare, por shoqata e arsimtarëve ende s` lindi. Ajo tani do të ndihmonte dhe sqaronte shumëçka, por sidomos do të bënte kërkesa që historia kombëtare të mësohet me më shumë dinjitet. Nxënësit shqiptarë kanë nevojë ta dinë historinë nacionale, të mësojnë siç e mësojnë të tjerët të kaluarën nacionale, por ta mësojnë edhe atë botërore dhe të shtetit ku jetojnë. Tani ka kaluar koha që të frikësohet dikush nga historia. Popujt e Ballkanit po përpiqen që të integrohen në Europë. Dhe vetëm njohja dhe pikat e përbashkëta çojnë përpara. Tani nxënësit, nëse mësimdhënësi i ka zgjedhur mirë njësitë, mund të mësojë për historinë e Ulqinit, të Shasit, për të kaluarën e Malësisë, për Dedë Gjo` Lulin, për luftën që bënë shqiptarët për t`u çliruar nga turku, për Ali pashë Gucinë etj.
Ndërkaq, nga lënda e gjeografisë mësimdhënësi i mirë nxënësit do t`i njoftojë me Bunën, me detin, me liqenin e Shasit dhe liqenin e Shkodrës, do t`u flasë për botën bimore e shtazore, për llojet e peshqeve, të zogjve, pasi që në këto hapësira ka edhe të tillë si pelikani që gjendet vetëm në këtë anë dhe në Afrikë.
Sistemi shkollor në Mal të Zi ka nisur të pësojë ndërrime, sepse edhe vetë malazezët nuk e mësonin sa duhet historinë e tyre, ngase dominonte historisa serbe. Deri në vitin shkollor 1991/92, kur komunat kishin vetadministrim, ekzistonte Sekretariati për arsim e kulturë. Mirëpo, nga ajo kohë u fik ky sektor dhe tani duhet të përtërihet. Ai do të përcillte gjendjen në arsim, sepse këto shkolla nuk janë vetëm të Republikës, por më së pari janë të Komunës. Dihet se shkollat fillore do t`i kthehen komunave, prandaj ky sekretariat për arsim duhet themeluar. Ai do të luante një rol me rëndësi për shkollat dhe fëmijët shqiptarë.
Në Ministrinë e Arsimit të Republikës nuk ka asnjë resor, as te zëvendësministri. Po ashtu, edhe në Entin Republikan nuk ka specialist për botimin e teksteve. Kjo gjë lihet pas dore. Dhe shqiptarët që janë pakicë nuk janë të përfaqësuar as 2% në këto Ente, edhe pse kanë të drejtë 7%. Shoqata e Arsimtarëve, Sekretariati për arsim i Komunës, Ministria e Popujve Pakicë dhe Këshilli Nacional do të mundësojnë që të përmirësohet gjendja e arsimimit të nxënësve shqiptarë, ashtu si e të tjerëve që jetojnë në republikë. Tekstet shkollore duhet të ndryshohen, duke përfshirë kulturën e mirëfilltë nacionale. Në disa lëndë, siç u theksua – të historisë, letërsisë shqiptare, duhen bërë edhe më shumë ndryshime, edhe pse nga letërsia shqiptare është arritur një ndryshim, b.f. në program mësimor ka hyrë edhe poeti i madh Gjergj Fishta, i cili ishte i anatemuar nga komunizmi shqiptar.
Nxënësit shqiptarë në Mal të Zi nuk kanë asnjë revistë për fëmijë. Revistat “Fati” dhe “Zana” të Art Clubit të Ulqinit nuk botohen – në mungesë të mjeteve. Ato ishin një ndihmesë e madhe. Shkollat shqipe në Mal të Zi tani kënaqen me një revistë të tyre vjetore. Them se edhe kjo s`është keq, por është pak. Pra, duhet bërë dhe ndryshuar shumëçka, sepse dështimet në arsim janë të dëmshme, ngase nxënësit shqiptarë në këtë republikë duhet të kenë po ato të drejta si moshatarët e tyre. Do të jetë shumë e dëmshme sikur të mbesin pas moshatarëve të tyre në Prishtinë, Tetovë, Tiranë dhe do ta kenë të vështirë, në të ardhmen, që të regjistrohen në shkolla të larta dhe fakultete. Nesër nuk do të ketë pranim me çelës, por me test. Dhe të gjithë ata që mendojnë për ardhmërinë e fëmijëve duhet t`i paraprijnë ose me kohë t`i eliminojnë gabimet. Mosdituria dhe mospërgatitja kanë kosto të madhe, prandaj arsimimi është primar.

Asllan Bisha
www.kohajavore.cg.yu