Seanca e kuvendit të komunës urbane të Tuzit shtyhet për një herë tjetër

February 26, 2008   | Shtypi / Mediji

Camaj LDMZDy ditë pa kuorum Tuz- Këshilltarët e Kuvendit të KU të Tuzit as të hënën dhe as të martën nuk mbajtën mbledhje, pasi që këshilltarët e PDS-së, PSD-së, PB-së, UDSH-së dhe PSP-së nuk morën pjesë.
Kuvendi i KU të Tuzit kishte paraparë që si pikë kryesore e seancës të jetë Propozimi i vendimit për organizimin e referendumit për komunë të mëvetësishme të Tuzit, propozim ky të cilin e kishte dorëzuar kohë më parë, Vasel Sinishtaj në emër të IQ-së.
Seanca e të hënës filloi me urimet për Pavarësinë e Kosovës. Kështu, Nikollë Camaj (LD), Vasel Sinishtaj (IQ) dhe Fadil Kajoshaj (UDSH) uruan Pavarësinë e Kosovës, por ky i fundit deklaroi se “Unioni nuk punon sot, por feston”, me ç`rast këshilltarët e kësaj partie e braktisën mbledhjen. Ndërkohë, dr. Halil Dukoviq (PDS) u shpreh se “ne si parti dëshirojmë që të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën edhe me Serbinë. “Qëndrimin tonë do ta themi kur edhe BE-ja dhe në pajtim me të” tha ai, duke kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj, t`i sqarojë përse këshilltari i PSP-së, Kolë Lulgjuraj, nuk është prezent. Duke parë se Lulgjuraj nuk vinte në mbledhje, Dukoviq së bashku me këshilltarët e tij e braktisën mbledhjen. Për këshilltarin e PB-së, dr. Nexhat Dresheviq, organizimi i referendumit për komunë të mëvetësishme të Tuzit është një gjë joserioze dhe kërkoi që për këtë të angazhohen ekonomistë, e pastaj edhe vetë doli nga seanca. Pasi që kvorumi mungoi, mbledhja u shty për të martën.
Ndërkaq, edhe në seancën e së martës munguan këshilltarët e PDS-së, PSD-së, UDSH-së, PB-së dhe i PPS-së. Vasel Sinishtaj, tregoi se propozimi i tij që Kuvendi i KU të Tuzit të marrë vendimin mbi shpalljen dhe organizimin e referendumit më 6 prill 2008, kur është edhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, ishte i bazuar në Marrëveshjen politike, të cilën e kishte nënshkruar edhe lideri i UDSH-së, i bindur edhe në orientimet programore të LD në MZ dhe të PSP me besim se kjo gjë do të realizohet.
Ai bëri të ditur se në ditët e ardhshme ata do ta njoftojnë opinionin me pozitën e tyre. “Prej sot jemi të gatshëm që mandatin që na e ka besuar populli i Malësisë përsëri t`ia kthejmë “, deklaroi Sinishtaj.
Nikollë Camajt nuk i kishte shkuar ndërmend se lajmi qëllimmirë që Pavarësinë e Kosovës e kishin festuar së bashku me partnerët e tyre mund të shkaktonte një reagim të këtillë. “Obligimi ynë si partner në Koalicion ka qenë që çdoherë ta publikojmë njëri-tjetrin para opinionit shqiptar në dritë sa më të bukur”.
Lindon Gjelaj (IQ) mosardhjen e këshilltarëve të opozitës e karakterizon si frikë nga realiteti.
rr.d.www.kohajavore.cg.yu