Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1)
February 26, 2008 by Ulqini
Filed under Reportazh / Reportaža
Ndryshimi i hartës politike të Ballkanit
Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhën Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.
Në aspektin gjeopolitik për opinionin e gjerë është e njohur se në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878) harta politike e Siujdhesës Ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura ku bënte pjesë edhe Mali i Zi.
Në vend që Fuqitë e Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet i ri i njohur ndërkombëtarisht t`i takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta duke i dhuruar këtij shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj, nga kjo kohë me fillimin e rrudhosjes së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse në rastin konkret raportet shqiptaro-malazeze morën një kahje tjetër.
1. Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878
Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e coptimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë (1876-1878) ishin më të mëdha nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhabjaku, Tivari dhe pjesa VP e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe krahina e Plavës dhe Gucisë t`i jepet Malit të Zi, një vendim të tillë nuk u realizua në saje të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP, ku u zhvillua edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompensim për të u bënë pazarlleqe nga Fuqitë e Mëdha që t`i jepet krahina e Grudës por ishte LSHP që organizoi mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por, të ndodhur në situatë të tillë, Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane në prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880.
Viset shqiptare që kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të mbajnë komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar, që ishte qyteti i Shkodrës.
Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, e cila ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane në këto pozicione qëndroi 32-34 vite varësisht prej krahinës, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë, territoret e përfituara nga ana e Kongresit të Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e Kryengritjes në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët por dhe një sinjal se çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas.
2. Ofensiva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës (tetor 1912-prill 1913)
Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhën Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.
Ndërsa aleanca e arritur në mes Malit të Zi dhe Serbisë në Lucernë të Zvicrës (27.IX.1912), me nënshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nënvizuar është se “atë që se cili vend e çliron nga turqit ajo edhe i takon”, dëshmon qartë për objektivat e tyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territoreve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar (tetor 1912-prill 1913) është i veçantë kur, edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe aspiratat e tyre ushtarke e politike që ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje mbreti Nikolla ka ëndërruar se po t`i realizohej projekti i zgjerimit territorial në lindje, madje deri te lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do t`i ulë armët para se lumi Drin të bëhet kufiri jugor i Malit të Zi”. Ndërsa gjatë Luftës I Ballkanike (1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes Serbisë edhe Malit të Zi (në pjesën e dytë të nëntorit 1912) mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në lumin Mat, ndërsa Serbia prej Matit deri te Shkumbini. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912-korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse në këtë formë do i mundësohej Serbisë për të realizuar ëndrrën e tyre për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e mbretit Nikollë - “ose Shkodrën, ose vdekjen”.
Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, më 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë t`i mbetet Shqipërisë. Por malazezët kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin të rrethuar Shkodrën, duke vazhduar operacionet luftarake të bindur se çka fitohet me luftë edhe do t`u takojë. Por, pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij filloi demonstrimi detar, i cili më 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithatë forcat malazeze pushtuan Shkodrën më 24 prill 1913 pasi atë iu dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni i Fuqive të Mëdha ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë pas qëndrimit tri javësh forcat malazeze më 14 maj 1913 pasi e plaçkitën u larguan nga Shkodra ku menjëherë u vendosën forcat ndërkombëtare.
Por edhe pse e humbi Shkodrën, pas luftërave ballkanike Mali i Zi u zgjerua territorialisht, duke përfituar një territor me sipërfaqe prej 4958 km2, që është më tepër se 48% e territorit pas Kongresit të Berlinit (9.475 km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjëruar vazhdimisht, ku një pjesë e konsiderueshme e atyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare
Dr. Nail Draga.
www.kohajavore.cg.yu



Ulqini on Tue, 26th Feb 2008 8:51 pm
Pabarazia gjuhësore e shqiptarëve në Mal të Zi (2)
Kjo nuk është çështje partiake dhe private, por ekskluzive kombëtare. Dhe ata të cilët nuk patën guxim që këtë çështje për vite të tëra ta vënë në rendin e ditës të pushtetit lokal, nuk kanë të drejtë morale të premtojnë se në të ardhmen do të punojnë në këtë drejtim, sepse kësaj propagande parazgjedhore nuk i beson më askush.
Papërgjegjësia e pushtetit vendor të Ulqinit
Sa i përket kësaj çështjeje me të drejtë është pritur që të bëhen kthesa pozitive në komunën e Ulqinit, sepse nga viti 1990-2006, pushtetin lokal e kanë pasur shqiptarët përmes subjekteve të ndryshme apo në koalicion LDMZ (1990-1996), LDMZ-LLMZ (1996-1998), LDMZ-UDSH(1998-2002), UDSH-LDMZ-PPD (2002-2006), por me gjithë premtimet e dhëna në fushatat parazgjedhore pothuaj çdo gjë është si më parë, që është për çdo kritikë. Madje jemi dëshmitarë se në parlamentin lokal të Ulqinit në rend të ditës janë vënë shumë çështje, madje edhe stërpikja e mushkonjave ndërsa çështja e barazisë së gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj nuk është trajtuar asnjëherë.
Edhe pse në lidhje me këtë temë mund të flitet gjatë, me këtë rast po theksoj vetëm tre raste që dëshmojnë në mënyrë transparente papërgjegjësinë e pushtetit vendor të Ulqinit.
1. Në qershor të vitit 2003 me iniciativën e Ministrisë së Turizmit edhe në territorin e komunës së Ulqinit janë vendosur tabelat për monumentet kulturo-historike dhe turistike. Tabelat kishin mbishkrimin në dy gjuhë, atë malazeze dhe angleze, por jo edhe ne gjuhën shqipe.
2. Ndërsa në muajt gusht- shtator 2006 nga ana e NP “Crnagoraput” u vendosën tabelat e vendbanimeve e atë vetëm në gjuhën malazeze, duke injoruar në tërësi gjuhën shqipe. Si në rastin e parë ashtu edhe në atë të dytin ka munguar reagimi i pushtetit vendor të Ulqinit, duke demaskuar një veprim të tillë të subjekteve përkatëse që është në kundërshtim flagrant me barazinë e gjuhëve në këtë mjedis.
3. Ndërsa kulmi i këtji turpi nga ana e pushtetit vendor të Ulqinit arrin me rastin e votimeve të 10 shtatorit 2006. Fjalën e kemi për një vendvotim të ri, i cili i shtohet regjistrit të vendvotimeve të komunës së Ulqinit. Vendimi për të themeluar një vendvotim të ri për fshatin e Selitës ishte i qëlluar, sepse një nevojë e tillë ka qenë edhe më herët, por është skandaloz emërtimi i këtij vendvotimi, në saje të emrit të një lagjeje apo të një patronimi të banorëve të fshatit Selitë e atë në variantin sllav Gjonoviq (!), Nëse kanë dashur ta emërtojnë këtë vendvotim me emrin e lagjes atëherë është dashur Gjonaj si njihet në popull e jo në variantin sllav (!).
Një veprim i tillë absurd është turp për të gjithë ne por në veçanti për punuesit e administratës komunale në Ulqin. Por, nuk është për të befasuar një veprim i tillë i kësaj administrate, sepse në mënyrë identike kanë vepruar edhe më heret. Sepse ne vend që të evidentohet vendvotimi i fshatit Brajshë e kanë evidentuar si vendvotimi Objekti Osmanoviq, e po ashtu edhe vendvotimi në Bojkë si vendvotimi Objekti Smajloviq (!).
Nuk ka dilemë se veprimet e tilla të administratës komunale të Ulqinit janë anakronike, të bëra nga individë të papërgjegjshëm, të cilëve u mungon dinjiteti njerëzor dhe profesional.
E tërë kjo papërgjegjësi nuk ka dilemë se u takon atyre subjekteve të cilat kanë udhëhequr pushtetin vendor (2002-2006) ku në këtë mandat madje kanë pas formuar koalicionin trepartiak (UDSH-LDMZ-PPD) të quajtur me emrin “Shqiptarët bashkë”. Për fat të keq koha e dëshmoi se një koalicion i tillë ishte vetëm formal, sepse nuk ka ekzistuar sinqeriteti dhe gatishmëria për bashkëpunim korrekt për një qeverisje optimale lokale, sepse janë manifestuar në mënyrë perfide interesat personale, klanore e partiake.
Madje ekzistojnë argumente të mjaftueshme për të konkluduar se ky mandat ishte qeverisja më e dobët lokale që ka pasur Ulqini nga viti 1990 e këndej.
Andaj përbërjes së re parlamentare e cila ka dalë nga zgjedhjet lokale të 10 shtatorit 2006 e atë kryesisht Forcës si subjekti më i madh politik në kuadër të subjekteve që përbëjnë shumicën në kuvendin komunal të Ulqinit, i takon të përpiqet për të eliminuar këto devijime, të cilat janë të dëmshme për të gjithë qytetarët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti.
Gjuha nuk është çështje private
Një veprim i tillë thënë më së buti është papërgjegjësi e subjekteve përkatëse politike, sepse kjo nuk është çështje partiake dhe private, por ekskluzive kombëtare. Dhe ata të cilët nuk patën guxim që këtë çështje për vite të tëra ta vënë në rendin e ditës të pushtetit lokal, nuk kanë të drejtë morale të premtojnë se në të ardhmen do të punojnë në këtë drejtim, sepse kësaj propagande parazgjedhore nuk i beson më askush.
Deri sa shqiptarët dokumentet e tyre personale si letërnjoftimi, pasaporta, çertifikatat dhe dokumente të tjera t`i kenë vetëm në gjuhën sllave, kjo dëshmon në mënyrë transparente diskriminimin praktik të gjuhës shqipe. Veprimet e tilla të pushtetit duke injoruar elementin kryesor të identitetit kombëtar të një populli dëshmojnë për aspiratat asimiluese të atij pushteti.
Hipokrizia e pushtetit republikan
Se pushteti republikan mund të veprojë në mënyrë të drejtë kur ata duan dhe është në interesin e tyre, dëshmon e dhëna se me rastin e votimeve të përgjithshme parlamentare republikane, apo siç ishte rasti i referendumit (21 maj 2006) shqiptarët fletëvotimet e tyre i kanë të shtypura edhe në gjuhën shqipe. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se është pozitiv dhe në favor të barazisë gjuhësore të shqiptarëve, por një veprim i tillë është iritues sepse ka dimensionin e veçantë e atë kryesisht për të fituar pikë politike te elektorati votues, por edhe të faktori ndërkombëtar.
Nuk ka dilemë se nga një veprim i tillë del qartë hipokrizia e pushtetit që paraqet një manipulim momental, sepse kur i njëjti vendim është i marrur nga Kuvendi i Republikës për fletëvotimet edhe në gjuhën shqipe, pse nuk veprohet në të njëjtën mënyrë edhe me dokumentet e identitetit personal për shqiptarët në Mal të Zi. Por, edhe pse një hipokrizie të tillë i ka dalë boja dhe është transparente për çdo kënd, me të drejtë bëhet pyetja deri kur do të vazhdohet me të vjetrën duke injoruar barazinë gjuhësore në mënyrë praktike të qytetarëve shqiptarë ne ketë mjedis.
Qëndrim indiferent nga Ministria e Pakicave
Edhe pse nga data 10 maj 2006, në Kuvendin e Malit të Zi është miratuar Ligji për Liritë dhe të Drejtat e Pakicave, deri më tash nuk kemi asnjë ndryshim pozitiv edhe pse nga data 10 nëntor 2006, ka qenë e udhës për të filluar zbatimi praktik i tij që do të ishte në favor të barazisë së popujve pakicë në Mal të Zi. Qëndrimi indiferent nga ana e Ministrisë së Popujve Pakicë pikërisht në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme dëshmon paaftësinë e tyre për t`u ballafaquar me realitetin.
Nëse edhe më tutje veprohet si më parë, duke qenë dekor i qeverisë e jo duke u marrë me çështjet kyçe që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, në rastin konkret të shqiptarëve, me të drejtë bëhet pyetja se për çka është dhe kujt i shërben një ministri e tillë.
Të miratohen standardët ndërkombëtare
Strukturat qeveritare në Mal të Zi, janë nonsens i veçantë, sepse janë në kundërshtim flagrant edhe me kushtetutën dhe ligjet që kanë miratuar vetë. Nuk ka dilemë se për ndryshime pozitive duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit ku pjesëtarët e popujve pakicë t`i trajtojë si partner e jo si element i huaj, duke zbatuar në praktikë standardet më të avancuara demokratike ndërkombëtare ndërsa për Malin e Zi, në aspektin e barazisë gjuhësore sipas mendimit tim më i përshtatshëm është modeli i Belgjikës, Zvicrës apo Finlandës ku ekziston barazi e plotë gjuhësore.
Dr.Nail Draga
