Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1)

February 26, 2008   | Reportazh / Reportaža

Nail_DragaNdryshimi i hartës politike të Ballkanit

Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhën Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.

Në aspektin gjeopolitik për opinionin e gjerë është e njohur se në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878) harta politike e Siujdhesës Ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura ku bënte pjesë edhe Mali i Zi.

Në vend që Fuqitë e Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet i ri i njohur ndërkombëtarisht t`i takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta duke i dhuruar këtij shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj, nga kjo kohë me fillimin e rrudhosjes së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse në rastin konkret raportet shqiptaro-malazeze morën një kahje tjetër.

1. Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878

Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e coptimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë (1876-1878) ishin më të mëdha nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhabjaku, Tivari dhe pjesa VP e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe krahina e Plavës dhe Gucisë t`i jepet Malit të Zi, një vendim të tillë nuk u realizua në saje të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP, ku u zhvillua edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompensim për të u bënë pazarlleqe nga Fuqitë e Mëdha që t`i jepet krahina e Grudës por ishte LSHP që organizoi mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por, të ndodhur në situatë të tillë, Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane në prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880.

Viset shqiptare që kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të mbajnë komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar, që ishte qyteti i Shkodrës.

Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, e cila ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane në këto pozicione qëndroi 32-34 vite varësisht prej krahinës, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë, territoret e përfituara nga ana e Kongresit të Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e Kryengritjes në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët por dhe një sinjal se çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas.

2. Ofensiva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës (tetor 1912-prill 1913)

Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhën Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.

Ndërsa aleanca e arritur në mes Malit të Zi dhe Serbisë në Lucernë të Zvicrës (27.IX.1912), me nënshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nënvizuar është se “atë që se cili vend e çliron nga turqit ajo edhe i takon”, dëshmon qartë për objektivat e tyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territoreve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar (tetor 1912-prill 1913) është i veçantë kur, edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe aspiratat e tyre ushtarke e politike që ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje mbreti Nikolla ka ëndërruar se po t`i realizohej projekti i zgjerimit territorial në lindje, madje deri te lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do t`i ulë armët para se lumi Drin të bëhet kufiri jugor i Malit të Zi”. Ndërsa gjatë Luftës I Ballkanike (1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes Serbisë edhe Malit të Zi (në pjesën e dytë të nëntorit 1912) mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në lumin Mat, ndërsa Serbia prej Matit deri te Shkumbini. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912-korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse në këtë formë do i mundësohej Serbisë për të realizuar ëndrrën e tyre për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e mbretit Nikollë – “ose Shkodrën, ose vdekjen”.

Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, më 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë t`i mbetet Shqipërisë. Por malazezët kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin të rrethuar Shkodrën, duke vazhduar operacionet luftarake të bindur se çka fitohet me luftë edhe do t`u takojë. Por, pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij filloi demonstrimi detar, i cili më 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithatë forcat malazeze pushtuan Shkodrën më 24 prill 1913 pasi atë iu dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni i Fuqive të Mëdha ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë pas qëndrimit tri javësh forcat malazeze më 14 maj 1913 pasi e plaçkitën u larguan nga Shkodra ku menjëherë u vendosën forcat ndërkombëtare.

Por edhe pse e humbi Shkodrën, pas luftërave ballkanike Mali i Zi u zgjerua territorialisht, duke përfituar një territor me sipërfaqe prej 4958 km2, që është më tepër se 48% e territorit pas Kongresit të Berlinit (9.475 km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjëruar vazhdimisht, ku një pjesë e konsiderueshme e atyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare

Dr. Nail Draga.

www.kohajavore.cg.yu

1