Tkurrja e shqipes vazhdon
February 26, 2008 by Ulqini
Filed under Kulturë / Kultura
Teksti “Rrezikimi i gjuhës shqipe” ka karakter kërkimor-shkencor, i përket fushës së studimeve sociolinguistike, por ka rëndësi multidisiplinare. Libri është rezultat i hulumtimeve sistematike, shumëvjeçare, që Haxhi Shabani bëri gjatë përgatitjes së tezës së magjistraturës, të cilën e mbrojti me sukses në vitin 2006 në Universitetin e Prishtinës.Plot 452 vjet pas botimit të të ashtuquajturit “Meshari” të Dom Gjon Buzukut - për të cilin shkencëtarët supozojnë se ka jetuar (vepruar) diku jo larg Ulqinit, nga qyteti i lashtë me histori 2500 vjeçare, vjen konstatimi alarmues se gjatë decenieve të fundit, pra edhe në ditët tona, në Ulqin dhe në trevat e tjera të banuara nga shqiptarët në Malin e Zi - gjuha shqipe është e rrezikuar!
Dhe ky konstatim vjen në kohën kur, më në fund, shqiptarët e këtyre trevave jetojnë në një shtet me sistem parlamentar dhe kur gjuha shqipe është gjuhë e arsimit dhe e mediave. Çpo ndodhë kështu dhe cilat janë argumentet e studiuesit H. Shabani për të dhënë mesazhe kaq shqetësuese?
Teksti “Rrezikimi i gjuhës shqipe” ka karakter kërkimor-shkencor, i përket fushës së studimeve sociolinguistike, por ka rëndësi multidisiplinare. Libri është rezultat i hulumtimeve sistematike, shumëvjeçare, që Haxhi Shabani bëri gjatë përgatitjes së tezës së magjistraturës, të cilën e mbrojti me sukses në vitin 2006 në Universitetin e Prishtinës.
Studimi ka nëntë krena (kapituj), si dhe hyrjen, bibliografinë, shtojcën dhe biografinë e autorit. Kreu i fundit, që titullohet “Përfundime dhe perspektiva”, është i përkthyer edhe në anglisht dhe në gjuhën malazeze, një praktikë kjo karakteristike e punimeve shkencore. Siç tregon nëntitulli i librit, objekt i hulumtimit është dygjuhësia te shqiptarët e Ulqinit, e jo dygjuhësia në komunën e Ulqinit - ku do të përfshiheshin edhe hulumtimet e dygjuhësisë te popullsia sllave e kësaj zone. Mirëpo, nisur nga fakti se shqiptarët përbëjnë pjesën dërmuese të banorëve të Ulqinit, mund të thuhet se projekti është i qëndrueshëm dhe se i përmbushë kriteret e domosdoshme për një kërkim të këtij lloji.
Në kapitujt e parë, duke ndjekur metodën deduktive, autori jep disa të dhëna të përgjithshme mbi shqiptarët në Malin e Zi, pastaj mbi historinë e Ulqinit - ku përmendë shpërnguljet e ulqinakëve në vitet 1571, 1880-1906 dhe atë të decenieve të fundit të shekullit XX. Natyrisht që këto lëvizje të popullsisë, krahas rrethanave të tjera, gjatë shekujve ndikuan në ndryshimin e shpeshtë të strukturës kombëtare dhe fetare. Në vazhdim, pasi sqaron se dygjuhësia është një dukuri sociolinguistike, studiuesi merret me shpjegimin e terminologjisë kryesore të përdorur në tekst, siç janë: ndikimet ndërgjuhësore, huazimi gjuhësor, ndryshimi i kodit, dygjuhësh dhe dygjuhësi (biling e bilinguizëm), gjuhë mbizotëruese - gjuhë e nënshtruar etj.
Konkretisht, në temë të ngushtë autori fokusohet duke filluar nga kreu i katërt, ku flet për pozitën e gjuhës shqipe në Malin e Zi. Aty ai diagnostifikon çështjet thelbësore që tregojnë statusin e mirëfilltë të shqipes në këtë shtet. Studiuesi konstaton”: ” niveli i përdorimit institucional të saj është mjaft i kufizuar” sepse shqipja, një nga përbërëset e dygjuhësisë në këtë kontekst, në raport me gjuhën malazeze ka pozitë më të ulët institucionale.
Ndikimet e një gjuhe mbi një gjuhë tjetër, që ndikojnë në “krijimin e modeleve sipas gjuhës tjetër”, mund të jenë në fushën e leksikut, të fonologjisë dhe të fjalëformimit, por edhe në morfologji, sintaksë, semantikë… Këto ndikime herë janë rezultat i marrëdhënieve të natyrshme të gjuhëve fqinje (gjeografikisht) me njëratjetrën, herë pasojë e dominimit të një gjuhe në dimensionin global (përmes pop- kulturës dhe ekonomisë, si anglishtja sot), e nganjëherë mund të ketë edhe ndikim të një apo disa gjuhëve përmes fesë (p.sh latinishtja e greqishtja te të krishterët, arabishtja te myslimanët, etj.).
Shoqëritë moderne, përveç demokratike e multietnike, janë edhe shumëgjuhëshe. Pothuaj s`ka shtet në botë ku flitet vetëm një gjuhë - këtu si përjashtim H. Shabani përmend Korenë.
Mali i Zi është një shtet ku fliten disa gjuhë, shumica e të cilave janë versione (të mos them gati - dialekte), me disa specifika origjinale, të së njëjtës gjuhë - sllave (malazezishtja, serbishtja, kroatishtja, boshnjakishtja…) sepse folësit e atyre gjuhëve pa kurrfarë vështirësie komunikojnë me njëritjetrin, i lexojnë librat dhe mediat e njëritjetrit etj.
Gjuha shqipe është një gjuhë krejtësisht ndryshe, ajo nuk bën pjesë në grupin e gjuhëve sllave, por është një rremb (i lashtë), më vete, në trungun e gjuhëve indoeuropiane.
Haxhi Shabani te “Rrezikimi i gjuhës shqipe” publikon rezultatet e hulumtimeve që ka bërë në terren mbi marrëdhëniet e shqipes me gjuhën malazeze në situatat e zakonshme të jetës private, në përditshmërinë afariste - ekonomi, në administratë, në politikë, në jetën kulturore, zbavitëse etj., me ç`rast nxjerr përfundime për ndikimet ndërgjuhësore dhe huazimet gjuhësore në këtë regjion (Ulqin me rrethinë), me domethënie shumëplanëshe, që për dashamirët e shqipes mund të tingëllojnë alarmuese. Studiuesi gjatë hulumtimeve ka aplikuar metodën e anketimit dhe atë të vëzhgimit të drejtpërdrejtë, por duke pasur parasysh edhe literaturën e nevojshme dhe njohuritë përkatëse teorike-shkencore nga lëmi i sociolinguistikës, të domosdoshme për të nxjerrë analiza të sakta dhe të paanshme shkencore.
Kontaktet e para të shqipes (si trashëguese e ilirishtes, ose iliro-trakishtes, siç mendojnë shumica e studiuesve të kësaj problematike, megjithëse ende ka individë që e kontestojnë këtë vazdimësi) me gjuhët sllave duhet të datojnë që nga koha e ardhjes së fiseve të para sllave në rajonin e Europës Juglindore, pra në Ballkanin e sotëm, rreth 14 shekuj më parë. Thellë në shekuj duhet kërkuar edhe kontaktet e para të shqipes me sllavishten në territorin që përfshin shteti i sotëm i Malit të Zi.
Haxhi Shabani duke folur për kufijtë e shqipes rithekson veç tjerash se shqipja paraqet një rast të rrallë, ku më shumë folës të saj jetojnë jashtë kufijve politikë të shtetit (amë) sesa brenda, si dhe se kufijtë aktualë të gjuhës shqipe janë edhe kufij historikë dhe natyrorë të saj. Ky tekst fakton se territori i kufijve gjuhësorë të shqipes është vazhdimisht në rrudhje dhe ky proces i ngushtimit vazhdon edhe sot. Këtë studiuesi e argumenton duke bërë një krahasim të thjeshtë të rezultateve të anketës që bëri në vitin 2006 me ato të vitit 1996, e në mënyrë edhe shumë më bindëse përmes krahasimit të hartës gjuhësore të shqipes sot me atë të 50-60 vjetëve më parë.
Haxhi Shabani thotë se shqipja është e rrezikuar në Malin e Zi dhe këtë e bazon në faktin se në disa komuna veriore të Malit të Zi, Rozhajë dhe Plavë (e Guci), numri i shqipfolësve ka rënë shumë në deceniet e fundit, kurse gjuha shqipe atje gjendet në situatën e një gjuhe të injoruar dhe në zhdukje. E njëjta diagnozë vlen edhe për komunën e Tivarit.
Shqipja vazhdon të jetë gjuhë e komunikimit të përditshëm (në shtëpi, në rrugë dhe - krahas gjuhës malazeze, në shkollë) në Ulqin dhe në Tuz, por edhe në këto dy kështjella (të fundit) të shqipes në Malin e Zi, ajo bën jetë të kufizuar institucionale - apo siç thotë studiuesi duke folur mbi Ulqinin: “përdorimi i shqipes në administratë krahas gjuhës malazeze është tepër i rrallë”.
Libri në fjalë jep të dhëna se shqipja është më e ndikuar nga gjuha malazeze në qytetin e Ulqinit sesa në zonën rurale - të rrethinës.
Në krenat V-VII, libri sjell informacione dhe analiza interesante. Kështu, një përdorim më stabil të shqipes, përveç në familje dhe në institucionet shkollore, autori regjistron në gëzimet familjare dhe vdekjet, ku mund të ndodhë që edhe folësit e gjuhës sllave, urimet, apo ngushëllimet t`i thonë në gjuhën shqipe, gjë që ndodhë shumë më rrallë në fushat e tjera të jetës private e publike.
Se interesi material ndjek një filozofi të posaçme dëshmon edhe ky studim, kur thotë se, sipas anketave dhe vëzhgimeve të realizuara, personat që ofrojnë shërbime të ndryshme nuk e kanë problem që të komunikojnë në gjuhën e klientit, mirëpo edhe në sferën ekonomike komunikimi zyrtar me shkrim ndërmjet palëve afariste dhe zyrtare bëhet kryesisht në gjuhën malazeze - pra edhe këtu gjuha malazeze është dominuese ndaj shqipes.
Lidhur me gjendjen në administratë, konstatohet se shqipfolësit në komunën e Ulqinit e përshtasin kodin, domethënë se shqipja përdoret fare rrallë. Nëpunësit shqiptarë në komunikimin gojor flasin gjuhën e palës, kurse në mbledhje shqipja nuk përdoret shpesh. Në shkresat zyrtare, të shumtën e rasteve përdoret gjuha malazeze, nganjëherë edhe të dy gjuhët, por asnjëherë nuk ndodhë që shkresat zyrtare të bëhen vetëm në gjuhën shqipe.
Po në çfarë shkalle përdoret zyrtarisht shqipja, me gojë dhe me shkrim, në institucione?
Studiuesi ka vërejtur se në institucionet të cilat janë në kompetencën e Komunës së Ulqinit ka një shkallë
të përdorimit të shqipes, por jo edhe në ato institucione themelues i të cilave është pushteti qendror. Studiuesi thotë: ” në dyert e zyrave të inspekcioneve të shumta republikane që janë të vendosura në godinën e Komunës së Ulqinit, nuk ka të shkruar asnjë fjalë shqip e jo më të respektohet zbatimi i dygjuhësisë. E njëjta situatë është edhe në postë, në banka, polici etj., ku shqipja nuk është gjuhë përdorimi.”
Në shkolla ndërkaq shqipja është e pranishme bashkë me gjuhën malazeze, duke filluar nga mbishkrimet e deri te dokumentet zyrtare.
Në fushën e politikës, H. Shabani konstaton se në Kuvendin e Komunës së Ulqinit dominon shqipja. Mirëpo në KK të Ulqinit autori ka vënë re edhe dukurinë kur folësi, pasi ka folur shqip, bën vetë edhe përkthimin në malazezisht. Duket se disa folës e kanë më kollaj, kur është në pyetje diskursi politik, që të shprehen në gjuhën malazeze sesa shqip. Mirëpo, edhe në Komunën e Ulqinit gjuhë origjinale e shkrimit në administratë është gjuha malazeze.
Syrit të Haxhi Shabanit nuk i shpëton as dukuria mjaft interesante, për shumë arsye, kur shqiptarët e Ulqinit (sidomos popullata katolike, por edhe ndonjë mysliman) përdorin shumë emra, si p.sh.: Pjetër-Petar-Pero, Gjergj-Gjorgje-Gjoko, por edhe Shyqyri-Shuqurija-Shuqo etj. Përveç emrit, disa bëjnë edhe përshtatjen e mbiemrit, kështu kemi Resulbegoviq-Resulbegu, Bisheviq-Bisha etj. Ky fenomen është aq më absurd kur dihet se në vetë popullatën malazeze (sllave) ka një mori mbiemrash pa mbaresën karakteristike “-iq” apo “-viq” (p.sh. Shoq, Kilibarda, Marash, Roqen, Strugar, Drecun, Kuç etj.). Ky transformim (apo laramani moderne) i emrave dhe mbiemrave, sipas studiuesit bazohet në përpjekjen e disa subjekteve (individëve) “për të fshehur identitetin kombëtar, gjuhësor e fetar përmes një emri neutral.”
Veçanërisht është shqetësues konstatimi se në vitin 2006, në komunën e Ulqinit, shqipja përdoret “61 herë më pak, në krahasim me vitin 1996″. Këtë përfundim studiuesi e nxjerr në bazë të dy anketave që i realizoi në vitin 1996 dhe 2006. Për të shmangur konfuzionin, duhet thënë se autori me këtë nuk ka dashur të thotë se në Ulqin vetëm për një decenie numri i shqipfolësve është zvogëluar madje për 61 herë, por - të anketuarit (gjithsej 30 të anketuar më 1996 dhe 30 më 2006) janë përgjigjur në 13 pyetje se kur e përdorin gjuhën shqipe dhe kur gjuhën malazeze (serbe) dhe se përgjigjet e 30 të anketuarve të vitit 2006 kanë treguar se ata shqipen e përdorin në 377 raste të caktuara, që krahasuar me shifrën 438, të 30 të anketuarve të vitit 1996, është për 61 herë (raste) më e vogël.
Rezultatet e studimit të Haxhi Shabanit faktojnë tendenca dhe zhvillime të cilat duhet të interesojnë dikë, dhe jo vetëm gjuhëtarët, por edhe sociologët, demografët, e pse jo edhe njerëzit e politikës. Lidhur me këtë studiuesi në kapitullin e fundit apelon për marrje masash për stabilizimin e shqipes në trevën e Ulqinit, por edhe në trevat e tjera ku flitet shqipja në Mal të Zi, që e parafytyron në formën e hartimit të një platforme në nivel ekspertësh.
Ky tekst, padyshim, vjen në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe sjell të dhëna që nuk duhet të merren me indiferencë as të injorohen, por të analizohen me kujdes dhe të kihen parasysh, sidomos nga dashamirët.
Anton Gojçaj
www.kohajavore.cg.yu


Ulqini on Tue, 26th Feb 2008 8:18 pm
Haxhi Shabani u lind në vitin 1963 në Anë të Malit. Studimet universitare i kreu në Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë në vitin 1987, ndërkohë që është duke ndjekur studimet pasuniversitare po në Prishtinë në Degën e Gjuhës Shqipe.
Ka punuar si gazetar apo korrespondent për shumë media shqipe në Mal të Zi dhe në Kosovë. Aktualisht punon si korrespondent nga Ulqini në Redaksinë Shqipe të Televizionit të Malit të Zi dhe korrespondent për Malin e Zi për gazetën ditore “Zëri” të Prishtinës. Në Ulqin mban kurse të gazetarisë për fëmijë dhe të rritur.
Deri më tash ka botuar dy përmbledhje me poezi: “Të kërkoj” në vitin1995 dhe “Natë e portokalltë” në vitin 1998.
Që nga hapja e Programit Studimor për Përgatitjen e Mësuesve në Gjuhën Shqipe në Podgoricë, në shtator të këtij viti, është asistent i gjuhës shqipe.
Koha javore: Z. Shabani, Ju jeni njëri ndër poetët shqiptarë në Mal të Zi që me sukses e lëvroni gjininë e poezisë. Çfarë duhet për të shkruar një poezi të mirë?
H. Shabani: Kësaj pyetje secili nga krijuesit besoj se i përgjigjet në forma të ndryshme, kështu edhe unë. Së pari, këtu nuk ka ndonjë rregull të shkruar se duke ndjekur nje rrugë të caktuar do të shkruhet nje poezi e mirë. Në këtë drejtim as unë nuk kam një rrugë të përcaktuar mirë nëpër të cilën po të shkoj do të lindë një poezi me vlera. Nga përvoja ime më kujtohen raste te ndryshme që më kanë ndodhur gjatë procesit, gjegjësisht aktit krijues. Kështu kam pasur raste kur një poezi e kam shkruar në autobus. Një poezi tjetër e kam parë në ëndërr dhe ndjenja ka qenë aq e fuqishme saqë jam zgjuar nga gjumi dhe e kam shkruar poezinë ashtu siç e kam parë në ëndërr, pra vetëm e kam rishkruar sepse atë e kam ditur përmendsh duke e përjetuar në ëndërr. Kurse kur kam shkruar poezinë “Amerika më merr me të mirë”, motivin e saj e kam mbajtur me vjet në mendje e në ndjenjë, saqë kur e kam shkruar më duket se jam liruar nga një barrë e rëndë që nuk është vetëm e imja… Kjo poezi që është pëlqyer jo vetëm nga kolegët e mi poetë, por edhe nga lexuesit, e nganjëherë edhe është keqkuptuar… ka lënë mbresa gjithandej. Një shkrimtar nga Ulqini që jeton në Evropë, gjatë verës së shkuar më tha se kur e ke shkruar këtë poezi duhet ta kesh pasur fjalën jo vetëm për shqiptarët e Amerikës… Duket se njerëzit në këtë poezi e kanë gjetur veten e tyre. Në anën tjetër ka poezi të cilave ju rikthehem disa herë, si për ta saktësuar ndonjë ide apo mendim, për të nuancuar ndonjë fjalë a togfjalësh, sidomos në aspektin gjuhësor, ku përpiqem të punoj me gjuhën, gjë që rrjedh mbase edhe për faktin se thelbësisht në mua jeton poeti dhe gjuhëtari. Në këtë drejtim unë kam mendim se janë poetët, shkrimtarët e vërtetë që e kanë bërë gjuhën shqipe. Janë ata të cilët edhe do ta ruajnë, lëvrojnë dhe përparojnë atë.
Koha javore: Megjithëse shumë shkrimtarë ia fillojnë së pari të shkruajnë poezi, për disa prej tyre poezia mbetet megjithatë gjinia letrare më e vështirë. Sa është për Ju i drejtë ky konstatim?
H. Shabani: Është e vërtëtë se shumë shkrimtarë karrierën e tyre letrare e kanë nisur me poezi, për të vazhduar pastaj me gjinitë e tjera, para së gjithash me prozë. Shumica nga të këtillët nuk kanë lënë gjurmë në poezi. Konstatimi se poezia është gjinia më e vështirë e letërsisë për mua është pjesërisht i saktë. Unë mendoj se çdo gjini letrare në mënyrën e saj është e vështirë. Ka mendime që thonë se romani është më i vështiri. Por, unë mbroj mendimin se secili lloj letrar është i ndërlikuar, para së gjithash, sepse të shkruash poezi, prozë, apo kritikë letrare me vlera është e vështirë. Këtu e kam fjalën për atë fond që do tzi mbesë letërsisë. Aktualisht, sidomos në letërsinë shqipe, por edhe në letërsitë e tjera të Ballkanit është duke “lulëzuar” një letërsi e shpifur. Një sërë autorësh e librash kanë mbushur vitrinat e librarive dhe bibliotekave që nuk i plotësojnë as kriteret më minimale për tzu botuar, i kanë mbushur vetrinat e librarive dhe bibliotekave… Ose edhe më keq, në kohën kur është bërë modë për të shkruar libra, që quhen letrarë, shtresa e shkrimtarëve që shkathtësitë e tyre i kanë bërë biznes në kuptimin e keq të fjalës, shkruajnë libra në emër të atyre që dëshirojnë patjetër të bëhen poetë. Kjo dukuri është e shtrirë edhe në fushat e tjera, sidomos në shkrimet e temave të diplomës, që nga shkollat e mesme e deri në tezat e magjistraturës e doktoratës. Për tziu rikthyer thelbit të pyetjes suaj, mendoj se përpara se poezia të jetë gjinia më e vështirë, është art elitar, sikurse piktura ta zëmë.
Koha javore: Çfarë vendi zë poezia që shkruhet nga poetët shqiptarë në Malin e Zi në kuadër të poezisë së sotme shqipe?
H. Shabani: Unë në një shkrim për problemet e letërsisë shqiptare jam shprehur se letërsia shqipe krahas domodoshmërisë për njohje në nivel ndërkombëtar ka nevojë të njihet edhe brenda vetes së saj. Procesi i njohjes së letërsisë shqipe brenda shtratit të saj gjuhësor është ende i papërfunduar, së pari pasi ende në nivel kombëtar nuk ekziston një rrjet i zhvilluar i shpërndarjes së librit. Së dyti, në nivel të dy qendrave shqiptare siç janë Prishtina e Tirana vazhdon të ekzistojë një mendësi se vlerat e vërteta krijohen vetëm atje, që është si rezultat i krijimit të një oligarkie letrare e kulturore, që herë-herë nuk bazohet në vlera. Unë mendoj se poezia shqiptare mund të krijohet edhe në një ishull gjuhësor të shqipes, siç është Ulqini. Vlerat e saj pastaj përcaktohen në bazë të kritereve, para së gjithash, estetike. Dhe së fundi, problemi i vendit të një numri të caktuar poetësh që krijojnë në Ulqin apo Malësi është edhe fakti se edhe ata vetë, apo institucionet që do duhej të merreshin me komunikimin e këtyre librave me poezi, bëjnë pak në këtë drejtim. Se faktet janë kështu dëshmojnë emrat e njohur të letërsisë shqiptare që kanë lindur apo janë me origjinë nga trevat shqiptare në Malin e Zi. Së fundi Shekspiri, Markezi, Buxati apo ndonjë tjetër janë bërë të njohur për faktin se kanë bërë letërësi të vërtetë dhe jo sepse i takojnë një kombi apo vendi.
Koha javore: Përveç që merreni me letërsi, Ju punoni edhe si gazetar. Pse pas një bumi që pësuan mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi, kohëve të fundit vërehet një rënie e tyre?
H. Shabani: Është e vërtetë se mund të flitet për disa arritje në gazetarinë shqiptare në Malin e Zi. Këtu e kam fjalën për zgjerimin dhe rikonceptimin e redaksive shqipe në Radiotelevizionin e Malit të Zi, pastaj në lindjen e disa mediave të shkruara dhe elektronike private dhe së fundi në nisjen e botimit të gazetës “Koha javore”. Por, me kaq nuk është plotësuar as afërsisht nevoja për mjetet informative në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Problemi më i mprehtë i mediave shqipe këtu ndër ne është problemi financiar, prandaj është utopi që me një lexues të kufizuar, duke pasur parasysh edhe numrin e banorëve shqiptarë, këto media të jetojnë në baza të tregut. Mendoj se në këtë drejtim e ardhmja e informimit shqip në këtë republikë është kanali televiziv dhe gazeta ditore në shqip, me burime të sigurta që do të ishin nga qeveria, duke ditur se shqiptarët janë taksapaguesit më të mirë në Malin e Zi, zgjidhje që do të mund të zbatohej edhe në fushë të botimeve në shqip.
Koha javore: Cilat janë problemet e tjera me të cilat përballen sot mediat në gjuhën shqipe te ne?
H. Shabani: Mediat në gjuhën shqipe përballen edhe me probleme të tjera të cilat fillojnë që nga mënyra e trajtimit të problemeve. Ende ekziston një gazetari gjysmëpasive që merret me veprimtaritë e zyrtarëve, me pohimet e mohimet e tyre, kurse kryesisht mungon gazetaria problemore. Në këtë kah sidomos lajmi origjinal në emisionet e lajmeve të mediave elektronike është i pakët në krahasim me lajmet e marra nga agjencitë. Në anën tjetër në ndonjë nga mediat elektronike niveli profesional i gazetarëve është i ulët. Drejtuesit e këtyre mediave duhet të punojnë për edukimin e kuadrit, sepse vrapimi vetëm pas urimeve, kërkesave e reklamave, do të thotë mosrespektim minimal i kritereve profesionale të gazetarisë. Kuadri i sotëm i gazetarisë vuan shumë sidomos nga mos njohja e bazave themelore të gazetarisë. Kështu gazetari në vend që të bëjë pyetje, duke nisur me fjalë pyetëse në një fjali pyetëse, bën konstatime apo pyetje hipotetike. Duke folur për problemet e gazetarisë nuk mund të lihet pa përmendur edhe një e metë tjetër që thuajse është bërë dukuri. Kështu që ai pronar i një medie private që ka bërë radio, mendon se mund të bëjë edhe televizion, apo një gazetar që ka nivel në media të shkruara mendon se i këtillë mund të jetë edhe në mediat elektronike. Pastaj niveli gjuhësor i disa gazetarëve është në nivel shumë të ulët. Aq më keq, për këtë problem nuk janë të vetëdijshëm, me ndonjë përjashtim as redaksitë e as mjetet e informimit. Përndryshe si mund të arsyetohet fakti se lektori apo korrektori janë tepër të rrallë nëpër këto media. Edukimi i kuadrit ekzistues dhe atij të ri është i nevojshëm. Duke udhëhequr kurse gazetarie për fëmijë dhe të rritur kam vërejtur me kënaqësi se ka persona shumë të talentuar për gazetari. Fjalën e kam për Ulqinin ku i kam mbajtur këto kurse. Mirëpo, që këta talentë të zhvillohen në gazetarë të vërtetë nuk është e mjaftueshme të mbahen një apo dy kurse që zgjasin nga tre muaj. Ata duhet edukuar e përcjellë një kohë më të gjatë duke iu dhënë mundësi që të punojnë konkretisht.
Koha javore: Përveç poezisë dhe gazetarisë merreni edhe me problemet e gjuhës shqipe, sidomos me problemet aktuale të saj në fushë të sociolinguistikës. Cilat janë problemet kryesore të sotme të shqipes në Malin e Zi?
H. Shabani: Unë jam marrë deri më tash pjesërisht me botimin e leksikut e frazeologjisë së Anës së Malit, pastaj me studimin e gjuhës së disa veprape të shkrimtarëve bejtexhinjë që kanë lindur apo kanë qenë me origjinë nga Ulqini, si Ali Ulqinaku e Hysejn Bushati dhe jam duke u marrë me dygjuhësinë e shqiptarëve të Ulqinit, por fushat që presin për analiza dhe studime janë të shumta. Problemet janë të llojllojshme, por unë duhet përmendur kryesoret. Së pari, në trevat shqiptare në Malin e Zi janë ende të pastudiuara të folmet në tërësi në sistemet e ndryshme, të cilat janë të pasura dhe të rëndësishme. Studimi i tyre do të ndikonte në hartimin e veprave përmbledhëse të gjuhësisë shqiptare. Në këtë drejtim duhet studiuar edhe gjuha e veprave të autorëve, sidomos letërsisë së traditës. Së dyti, është e nevojshme të studiohet shqipja e folur në krahasim me standardin dhe ndikimet e gjuhës malazeze sepse kështu do të dilnin problemet themelore që i ka sidomos shqipja e folur. Së treti, studimet në fushë të dygjuhësisë kanë shumë hapësira, duke ditur se shqiptarët në Malin e Zi, shumica dërmuese e tyre janë dugjuhësorë. Dhe së fundi, sipas meje, më kryesor është fakti se shqipja në Malin e Zi ende nuk ka status të gjuhës institucionale, prandaj përkufizimi i saj juridik në nivel kushtetues-ligjor është përcaktues për fatin e saj. Përcaktimi i statusit ligjor të shqipes do të ishte hapi i parë që do të hapte pastaj dritare për ngritjen e një institucioni gjuhësor e kulturor të shqipes në nivel republikan për ruajtjen, studimin, kultivimin dhe përparimin e saj. Nuk duhet harruar se harta gjuhësore e shqipes ka qenë shumë më e shtrirë në Malin e Zi sesa është sot.
Bisedoi: I. Kallaba
Ulqini on Tue, 26th Feb 2008 8:20 pm
MR. HAXHI SHABANI FLET PËR LIBRIN E TIJ TË FUNDIT

Shqipja e kërcënuar nëse nuk merren masa
Para disa ditësh doli nga shtypi libri “Rrezikimi i gjuhës shqipe” i mr. Haxhi Shabanit, në të cilin ai trajton problemin e dygjuhësisë te shqiptarët e Ulqinit. Duke u bazuar në treguesit e ndryshimeve që kanë ndodhur vetëm për një dhjetëvjeçar, Shabani parashikon të ardhme të errët të gjuhës shqipe, nëse nuk ndërmerren masa të gjithanshme e të menjëhershme. Madje, sipas tij, nëse prirjet e rrezikimit vazhdojnë, duhet pritur që gjuha shqipe në Malin e Zi të bëhet gjuhë jashtinstitucionale.
Koha javore: Z. Shabani, vetëm disa ditë më parë ka dalë nga shtypi libri Juaj me titull “Rrezikimi i gjuhës shqipe”, ku Ju trajtoni problemin e gjuhës shqipe në komunën e Ulqinit. Cili ka qenë motivi për tzu marrë me këtë problem socio-linguistik deri tani pak apo gati aspak të trajtuar?
H. Shabani: Motivet që më kanë shtyrë të merrem me dukurinë e dygjuhësisë te shqiptarët e Ulqinit, gjegjësisht problemet e pozitës së gjuhës shqipe në Ulqin e më gjerë në nivel të Malit të Zi janë disa, por dy janë kryesoret.
Së pari, shqiptarët e qytetit të Ulqinit, por edhe në nivel të Malit të Zi, janë popullatë dygjuhësore që do të thotë se përveç gjuhës shqipe flasin e shkruajnë edhe në gjuhën malazeze. Duke u nisur nga fakti se sidomos në mjediset urbane dhe gjysmurbane shqiptarët janë subjekte dygjuhësore, jam nisur me synimin që të hulumtoj faktin se cila është pozita e gjuhës shqipe kur ajo paraqitet si gjuhë e dygjuhësorit - subjektit shqiptar. Kërkimet në këtë fushë i kam nisur me qytetin e Ulqinit, duke pasur parasysh se dygjuhësia në këtë qytet është dukuri dhe proces veprues.
Dhe së dyti, motivi tjetër është fakti se gjuha shqipe, sidomos deri me miratimin e Kushtetutës së re të Malit të Zi, përjashto ndonjë ligj si ai i arsimit, ku ajo përmendet fragmentarisht, nuk ka qenë e përfshirë brenda kornizave ligjore. Dhe si e tillë është e vetëkuptueshme se pozita e gjuhës, sikurse ndodh edhe në fusha të tjera kur mbetet jashtë institucioneve, përfundon në mëshirën e fatit.
Koha javore: Çfarë metodologjie keni përdorur për hulumtimin e temës?
H. Shabani: Libri “Rrezikimi i gjuhës shqipe” është rezultat i studimit të magjistraturës shkencore me titullin “Dygjuhësia te shqiptarët e Ulqinit”. Në studimet aktuale sidomos në fushë të sociolinguistikës i kushtohet një kujdes i veçantë hulumtimit në terren. Sidomos në kërkimet në fushë të dygjuhësisë është e domosdoshme që të zhvillohen anketa, intervista dhe vëzhgimi vetiak i studiuesit për të vërtetuar treguesit e kësaj dukurie në realitet. Kjo nënkupton vjeljen e mendimeve të subjekteve të moshave e profesioneve të ndyshme për përdorimin e gjuhës amtare dhe gjuhës së dytë.
Unë kam realizuar shumë anketa me subjektet shqipfolëse të cilat në mënyrë anonime janë përgjigjur se kur përdorin njërën dhe kur gjuhën tjetër, pra kur ndërrojnë kodin-zëvendësojnë gjuhën bazë me gjuhën e dytë.
Në të njëjtën kohë kam vjelë situata gjuhësore nga jeta reale, duke i regjistruar besnikërisht përdorimet e këtilla që nga bisedat joformale private deri te përdorimet me shkrim të dygjuhësorëve.
Koha javore: Në çfarë përfundimi keni arritur? Sa është e rrezikuar realisht gjuha shqipe në komunën e Ulqinit dhe cilat janë rreziqet që i kanosen asaj?
H. Shabani: Përfundimi themelor i këtij studimi është se shqiptarët e qytetit të Ulqinit në vitin 2006 gjuhën shqipe e përdorin për 61 herë më pak se në vitin 1996. Në ndërkohë, gjuhën malazeze e përdorin për 50 herë më shumë. Këto janë rezultatet e anketës, e cila është bërë në vitet përkatëse, në të cilën folësit e profesioneve dhe moshave të ndryshme janë përgjigjur në rreth 30 pyetje për përdorimin me gojë dhe me shkrim të gjuhës shqipe dhe asaj malazeze.
Rezultatet janë të befasishme, duke pasur parasysh se ka ekzistuar një lloj bindjeje se gjuha shqipe mund të jetë stabilizuar sa i përket përdorimit të saj gjatë disa vjetëve të fundit. Por, nëse kemi parasysh edhe rezultatin e analizave të materialit gjuhësor që i kam studiuar gjithashtu dhe duke u nisur nga parimi se shkenca bazohet vetëm në fakte, niveli i rrezikimit të gjuhës shqipe në Malin e Zi është mjaft prezent.
Nëse vetëm për dhjetë vjetë kemi ndryshime aq të mëdha, në vitin 2006 shqiptarët e Ulqinit e përdorin gjuhën e tyre për 61 herë më pak se në vitin 1996, atëherë çfarë do të ndodhë me pasurinë kryesore shpirtërore, kulturore e kombëtare që kanë shqiptarët e Malit të Zi, pra me gjuhën shqipe pas ta zëmë 20 apo 30 vjetëve ?
Parashikimet janë shumë të errëta, bazuar në treguesit e ndryshimeve vetëm për një dhjetëvjeçar, nëse nuk merren masa të gjithashme e të menjëhershme. Në këtë drejtim duhet përmendur vetëm një fakt. Për gjuhën shqipe në Malin e Zi jepet 0 cent, kurse institucionet ndërkombëtare për shpëtimin e gjuhëve që janë në rrezik të zhduken pohojnë se duhet të ndahen rreth 100 mijë dollarë në vit. Një përjashtim në këtë drejtim bën Ministria e Pakicave e cila për botimin e këtij libri ka dhënë ndihmesën e saj. Nëse prirjet e rrezikimit vazhdojnë, duhet pritur që gjuha shqipe në Malin e Zi të bëhet gjuhë jashtinstitucionale.
Koha javore: Në libër Ju trajtoni problemin e rrezikimit të gjuhës shqipe në trevën e Ulqinit. Po si qëndron ky problem në trevat tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi?
H. Shabani: Duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tërhequr në raport me gjuhën malazeze gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit në Ulqin, që është qendër e shqiptarëve në Malin e Zi, atëherë sipas kësaj logjike situata për shqipen në trevat e tjera shqiptare mund të jetë edhe më e pafavorshme. Por, gjithnjë, duhet qenë të kujdesshëm para se kjo dukuri të hulumtohet në terren me metoda shkencore të njohura në këtë fushë, që është objekti i temës sime të doktoranturës, sepse vetëm atëherë mund të konstatohet gjendja faktike. Nuk mund të përjashtohet se p.sh. në Tuz, gjegjësisht në Malësi mund të kemi edhe ndonjë prirje pozitive sa i përket pozicionit të shqipes përballë gjuhës së dytë, si rezultat i disa zhvillimeve të fundit në këtë trevë në kërkim të indentitetit. Por, sidoqoftë, kjo do të dalë pas kërkimeve që do tzi bëjë dukurisë së dygjuhësisë te shqiptarët në nivel të tërë Malit të Zi.
Për të tërhequr një emërues të përbashkët të kësaj dukurie, sa i përket pozitës së gjuhës shqipe në Malin e Zi, ajo do të bëhet alarmante nëse nuk merren masa të gjithanshme dhe të menjëhershme që nga inistitucionet shtetërore, kulturore, arsimore, nga bashkësia e afaristëve e sektorit joqeveritar e deri tek ai i diasporës shqiptare e profesionistësh në këtë fushë.
Unë kam një propozim të projektit se si do të mund të zhvilloheshin veprimet e duhura që është diskutuar në nivel profesionistësh, të cilin mendoj tzia ofroj opinionit publik në kohën e duhur.
Bisedoi: I. Kallaba