Klubi i karatesë “Ulqini” mori pjesë të shtunën në Kupën e XV “Mimoza 2008” në Igallo

March 3, 2008   | Sporti / Sport

KK_Ulqini“Ulqini”, i dyti në renditjen e përgjithshme
KK “Ulqini” mori pjesë në këtë garë me 24 garues dhe arriti të fitojë 44 medalje në disiplinat ekipore dhe individuale, prej të cilave 8 të arta, 21 të argjendta, 15 të bronzta dhe një kupë.
Në Kupën e XV të Karatesë “Mimoza 2008”, ku morën pjesë 27 klube me mbi 637 garues, Klubi i Karatesë “Ulqini” u rendit në vendin e dytë në renditjen e përgjithshme me 102 pikë të grumbulluara, menjëherë pas KK “Buduqnost”, i cili fitoi 116 pikë, ndërsa vendi i tretë me 94 pikë i takoi KK “Omladinac”.
KK “Ulqini” mori pjesë në këtë garë me 24 garues dhe arriti të fitojë 44 medalje në disiplinat ekipore dhe individuale, prej të cilave 8 të arta, 21 të argjendta, 15 të bronzta dhe një kupë.
Suksesin më të madh e arriti Granit Rexha, i cili u kurorëzua me dy medalje të arta, ndërsa me nga një medalje të artë Blerta Tahiri, Seida Suma, Rexhep Shaba, Xhenis Rexhepi, Bajram Tagani dhe Albion Duraku.
Me nga disa medalje të tjera u kurorëzuan Edita Kovaçi, Antigona Rama, Xhemale Elezi, Jehona Musliq, Sherife Rama, Suad Duraku, Arbnor Kullaliq, Fatlum Çapriq, Agron Seferi, Petar Barlloviq, Diamant Rexha, Ermal Musliq dhe Fatmir Kurmemi.
Në KK “Ulqini” janë shumë të kënaqur me rezultatin e arritur në këtë garë, pasi që në të morën pjesë karateistë nga shumë klube të njohura të Malit të Zi.KK_Ulqini_junior
“Kjo për ne s`paraqiste pengesë. Përkundrazi ishte kënaqësi që na u dha mundësia që aty ku janë të gjithë, të dëshmojmë përsëri profesionalizmin tonë dhe se kush ku është u pasqyrua më së miri në renditjen përfundimtare. Për klubin tonë, ky ishte një fillim i suksesshëm i sezonit të parë të garave të këtij viti. Do të vazhdojmë me këtë hap të sigurt edhe në garat tjera”, thotë kryetrajneri i KK “Ulqini”, Ruzhdi Rama, pas të cilit qëndron një përvojë 17 vjeçare plot suksese si trajner i këtij klubi.
“Është fakt i pamohueshëm që vite me radhë gjendemi ndër më të mirët dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, vazhdon Rama dhe uron për entuziazmin dhe punën e palodhshme dikur ish nxënësit e vet, kurse sot kolegët e tij, trajnerët e KK “Ulqini”, Naim Duraku, Mirsad Nasradini dhe Kujtim Sukaliqi.
Në KK “Ulqini” thonë se së shpejti i presin gara të tjera, prandaj drejtuesit e tij u bëjnë thirrje qytetarëve të Ulqinit që t`i përkrahin dhe t`i ndihmojnë të rinjtë e këtij klubi që “me kaq dinjitet po e përfaqësojnë gjithmonë” qytetin e tyre.

(Kohapress)

3