Vasel Sinishtaj njoftoi qëndrimin e partisë së tij lidhur me zgjedhjet presidenciale

March 3, 2008   | Shtypi / Mediji

Medojevic_SinishtajAlternativa shqiptare abstenon në rrethin e parë
Podgoricë – “Alternativa Shqiptare sipas të gjitha gjasave nuk do të mbështesë asnjërin prej kandidatëve në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale”, paralajmëroi këto ditë deputeti i kësaj partie Vasel Sinishtaj.
“Në situatën e tanishme, do të veprojmë njësoj sikurse Partia Boshnjake, pra do të abstenojmë në rrethin e parë të zgjedhjeve. Vendimin përfundimtar lidhur me këtë do ta marrim në organet partiake brenda disa ditëve të ardhshme dhe do të shohim se si do të jetë rrjedha e mëtutjeshme e ngjarjeve”, tha Sinishtaj për të përditshmen “Republika”.
Kjo parti shqiptare disa herë më parë ka paralajmëruar se do ta mbështesë kandidatin presidencial të PPN-së, Nebojsha Medojeviq në zgjedhjet presidenciale të caktuara për 6 prill. Duke sqaruar pozicionin më të ri, Sinishtaj tha se kjo kushtëzohet nga qëndrimet e kandidatëve presidencialë përkitazi me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Deklaratat dhe veprimet lidhur me pavarësinë e Kosovës e ndërlikuan deri në pafund situatën. Për fat të keq, ngjarjet e fundit treguan se edhe në Mal të Zi u rikthyem në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar”, tha Sinishtaj.
Lideri i ASH-së tha se nuk ka biseduar me liderin e PPN-së në mënyrë që ky t`ia sqarojë nëse ai vërtetë mendon se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet atak ndaj rendit juridik ndërkombëtar.
Sinishtaj kishte thënë kohë më parë se Medojeviq me deklaratën e tij se shpallja e pavarësisë së Kosovës vë në pikëpyetje rendin juridik ndërkombëtar zvogëloi dukshëm mundësinë për të marrë mbështetjen e ASH-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai tha se është zhgënjyer keqazi me ngjarjet në protestën e opozitës proserbe me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në të cilën u dëgjua fjala e urrejtjes në llogari të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Kjo është një gjë shumë e shëmtuar për Malin e Zi, mirëpo e tërë përgjegjësia bie mbi organizatorët e tubimit të cilët nuk u distancuan nga deklaratat e këtilla. Me një veprim të vet të këtillë ata kryen pjesën më të madhe të punës për kandidatin presidencial të pushtetit”, tha Sinishtaj.
Ai ripërsëriti se e kupton qëndrimin e pushtetit që të mos nxitojë përkitazi me çështjen e pavarësisë së Kosovës.
“Çdo burrë shteti duhet të ketë qëndrim vigjilent lidhur me këtë çështje, mirëpo unë shpresoj që njohja e pavarësisë së Kosovës do të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale”, përfundoi Sinishtaj.

(Kohapress) www.kohajavore.cg.yu/