Intervistë me ministrin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave,Fuad Nimani

April 1, 2008   | Shoqëria / Društvo

fuad nimani ministerNuk duhet të jemi skeptikë për funksionimin e këshillave nacional
Koha javore: Z. Ministër, si e vlerësoni themelimin e Fondit për Pakica dhe këshillave nacionale të disa pakicave?
F. Nimani:
Krijimi i Fondit për Pakica është thelbësor, sepse pa krijimin e tij nuk mund të funksionojë asnjë institucion për pakica. Me krijimin e Fondit për Pakica janë krijuar kushtet për funksionimin normal të të gjitha institucioneve që parashikohen me Ligjin mbi të Drejtat dhe Liritën e Pakicave. Unë besoj se Fondi për Pakica do të luajë një rol të fuqishëm për mirëvajtjen e punës së këshillave nacionale të pakicave, por njëkohësisht edhe të Qendrës për Kulturën e Pakicave.
Krijimi i këshillave nacionale është me interes të veçantë për secilën pakicë, por edhe për vetë shtetin, sepse do të vendoset një urë komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet këshillave nacionale dhe të gjitha institucioneve qeveritare. Vetëm në këtë formë mund të arrijmë tek ajo që kemi menduar dhe ëndërruar gjithmonë, pra që me të vërtetë pakicat tzi gëzojnë liritë e veta në çdo kuptim të fjalës dhe njëkohësisht të punojnë vetë për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e kulturës së vet.
Dua të përkujtoj se këshillat nacionale do të luajnë një rol të fuqishëm edhe sa i përket zgjedhjes së drejtorëve të institucioneve arsimore në ato qytete ku jetojnë pakicat, por edhe për rregullimin e planprogrameve mësimore. Në këtë drejtim, Këshilli Nacional Shqiptar do të ketë punë të madhe, sepse e dimë që planprogramet për shkollat shqipe nuk janë të rregulluara siç duhet.
Koha javore: Sa jeni të kënaqur me procesin dhe ritmin e krijimit të këshillave nacionale?
F. Nimani: Procedura për krijimin e këshillave nacionale ka mundur të përshpejtohet, por duhet të kemi parasysh që kemi të bëjmë me gjëra të reja, gjëra që duhet të aplikohen pasi që të krijohen mundësitë ligjore. Por mund të them që nuk është humbur shumë kohë. Unë pres që pas formimit të këshillave nacionale, ata të ulen dhe të punojnë.
Koha javore: Sa prisni se do të funksionojnë në praktikë këshillat nacionale?
F. Nimani: Dua ta përsëris se këshillat nacionale janë një rrugë e mirë për të subjektivizuar vetveten si pakicë në kuadër të Malit të Zi. Përmes këshillave nacionale mund të kërkosh, gjurmosh, zbatosh atë çfarë aplikohet në shtetet demokratike të përparuara dhe të qytetëruara në aspektin e të drejtave të pakicave.
Tju them të vërtetën, nuk duhet të jemi skeptikë sa i përket funksionimit të këshillave nacionale. Nëse ia dëshirojmë të mirën vetvetes, atëherë ata njerëz që do të jenë në këshillat nacionale duhet të punojnë. Në këtë drejtim unë mendoj se nuk mund të pengojë as qeveria, as partia në pushtet, etj.
Koha javore: Më parë përmendët themelimin e Qendrës për Kulturën e Pakicave. Ka kohë që flitet për themelimin e saj. Kur pritet të bëhet jetësimi i kësaj qendre?
F. Nimani: Vërtet Qendra për Kulturën e Pakicave është dashur të themelohet para shumë viteve, por më mirë vonë se kurrrë.
Ne kemi hapur tenderin për gjetjen e një ambienti për zyrat e Qendrës për Kulturën e Pakicave. Një tender na ka dështuar, por jemi duke kërkuar mundësi të tjera për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Duke qenë se Qeveria nuk ka objekt të vetin, ajo na ka akorduar një shumë prej 8400 eurosh për qira vjetore, apo 700 euro në muaj.
Po ashtu është krijuar këshilli drejtues i Qendrës për Kulturën e Pakicave, i përbërë nga katër anëtarë, në krye të të cilit gjendet Ferhat Dinosha. Në fillim Qendra për Kulturën e Pakicave do të ketë shtatë vetë të punësuar, tre prej të cilëve do të jenë anëtarë të këshillit drejtues të Qendrës.
Ministria për Mbrotjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave duhet të hartojë statutin e Qendrës për Kulturën e Pakicave dhe pas miratimit të tij nga këshilli drejtues do të bëhet regjistrimi i Qendrës.
Të gjitha pajisjet dhe mjetet për rregullimin e Qendrës për Kulturën e Pakicave i kemi në ministri, por të them të vërtetën jemi të angazhuar që të gjejmë objektin për të krijuar kushte normale për punën e Qendrës për Kulturën e Pakicave.
Koha javore: Si do financohet Qendra për Kulturën e Pakicave?
F. Nimani: Hë për hë, financimi i Qendrës për Kulturën e Pakicave do të bëhet nga Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, por vitin e ardhshëm do të parashikohen mjete financiare me buxhetin e Qeverisë.
Për mua është shumë e rëndësishme që të hapet Qendra për Kulturën e Pakicave dhe unë pres që ajo të luajë atë rol të cilin duhet ta luajë.
Koha javore: Sa janë të mjaftueshme mjetet financiare të parashikuara me buxhetin e sivjetshëm të Qeverisë për funksionimin e Fondit për Pakica?
F. Nimani: Shuma prej rreth një milion eurosh mendoj se është e mjaftueshme për sivjet nëse kemi parasysh që as Qendra për Kulturën e Pakicave, as Fondi për Pakica, as këshillat nacionale, nuk do të mund të vihen në funksion të plotë deri në mbarim të muajit të gjashtë dhe fillim të muajit të shtatë.
Koha javore:
Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi ka shfuqizuar dy nene të Ligjit mbi të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, që kanë të bëjnë me përfaqësimin autentik të popujve pakicë. A ka bërë diçka Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave për rifuqizimin e tyre pasi që ka kaluar një kohë relativisht e gjatë dhe duket se jeni pajtuar me një situatë të tillë?Fuad Nimani
F. Nimani: Sipas Ligjit kushtetues, Ministria ka pasur obligim që të azhurnojë punën në pikëpamje të plotësimit të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave. Konkretisht bëhet fjalë për nenet 23 dhe 24 të këtij ligji.
Ne si ministri kemi punuar në këtë drejtim dhe mendojmë që nenet 23 dhe 24 duhet të kthehen në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, sepse me Kushtetutën e re janë krijuar kushtet ligjore dhe këto dy nene kanë mbështetje kushtetuese.
Që të jem i hapur, ka mendime që në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave të mos figurojë kryekëput neni 23 dhe 24, ashtu siç ka qenë, por që çështja e modalitetit të përfaqësimit të pakicave të rregullohet me Ligjin zgjedhor.
Sekretariati për ligjshmëri i Qeverisë në mënyrë decide thotë se Kushtetuta e re jep mundësi të përfaqësimit autentik të pakicave. Por ata mendojnë se në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave nuk ka vend që të zbërthehet përfaqësimi autentik në bazë të përqindjeve.
Unë mendoj se këtë çështje duhet ta trajtojmë me seriozitet në instancat më të larta. Për këtë qëllim unë patjetër do të kërkoj takim te Kryeministri.
Lidhur me këtë çëshjte kemi biseduar edhe me Kryetarin Filip Vujanoviq, njëkohësisht kandidat për kryetar të ardhshëm të Malit të Zi. Ai mendon se nuk ka gjë të keqe që nenet 23 dhe 24 të kthehen ashtu siç kanë qenë në Ligjin e mëparshëm.
Dua të përsëris edhe një herë se nuk kemi ndenjur duarkryq sa i përket zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe unë besoj se ajo do të zgjidhet së shpejti në favor të pakicave.
Bisedoi: I. Kallaba

Koha Javore