Parlamenti i Malit të Zi miratoi Planin Hapësinor të Malit të Zi deri në vitin 2020

April 1, 2008   | Anketë / Anketa, Lajmet / Vijesti

Prostorni plan Crne Gore do 2020.godinePlan që ofron zhvillim apo diskriminon trevat shqiptare?
arlamenti i Malit të Zi ka miratuar javën e kaluar Planin Hapësinor të Malit të Zi deri në vitin 2020. Për Planin e propozuar kanë votuar deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Socialdemokrate, deputeti i Partisë Boshnjake, Kemal Purishiq, dhe ai i UDSH-së, Ferhat Dinosha, ndërsa kundër këtij Plani kanë votuar deputetët e Listës Serbe, Partisë Socialiste Popullore dhe deputeti i LD në MZ, Mehmet Bardhi. Deputetët e Lëvizjes për Ndryshime, Partisë Popullore dhe Partisë Demokratike Serbe nuk kanë marrë pjesë në votim.
Për deputetët e shumicës parlamentare dhe ata që kanë votuar për Planin e propozuar, ai përbën një bazë të mirë për zhvillimin e ardhshëm të Malit të Zi, kurse deputetët e opozitës e kanë kritikuar atë duke thënë se Plani është hartuar duke u nisur nga interesat e lobeve e jo të zhvillimit dhe interesit të përgjithshëm të vendit.Ferhat Dinosha
Deputetët e shumicës parlamentare nuk kanë marrë parasysh kërkesën që diskutimi për Planin Hapësinor të mbahet pas zgjedhjeve presidenciale si dhe kërkesën e arritur nga shumë subjekte, në mesin e të cilave edhe 17 organizata joqeveritare të Ulqinit që Plani të kthehet për ripërpunim.
Organizatat joqeveritare të Ulqinit u kanë bërë thirrje me këtë rast posaçërisht deputetëve nga Komuna e Ulqinit që të mos votojnë për Planin e propozuar. Por kësaj thirrjeje i është përgjigjur vetëm deputeti i LD në MZ, Mehmet Bardhi, kurse deputeti tjetër Luigj Shkreli ka votuar për Planin e propozuar.
Për deputetin e UDSH-së, Ferhat Dinosha, i cili ka votuar për Planin Hapësinor, ai do të mundësojë zhvillim më të shpejtë të viseve shqiptare se deri më tani.
“Nuk është Plan maksimalist, por është plan optimal, kështu që meriton notë kaluese, sidomos nëse kemi parasysh faktin se opozita e sotme që ka qenë kundër Planit vështirë se kishte ofertuar Plan më të mirë”, thotë ai.
Dinosha thotë se kanë qenë dy-tri gjëra kryesore të papranueshme për të që deri diku janë zbutur, gjë që ka ndikuar që ai të votojë për Planin e propozuar Hapësinor.
“Me Propozimin e Planit Hapësinor është parashikuar që Ulqini të jetë qendër lokale. Në Planin e miratuar parashikohet që Ulqini të jetë qendër e zhvillimit rajonal së bashku me Tivarin, siç është rasti me disa qytete të tjera në bregdet dhe në veri”, shprehet ai.
Kjo sipas Dinoshës është cilësuar si zgjidhje më e avancuar edhe nga ekipi i Komunës së Ulqinit, i cili pikërisht për këtë gjë ka dhënë vërejtje.port milen_solana_ulcinj
Një çështje tjetër kontestuese sipas Dinoshës ka qenë ajo e Kripores së Ulqinit.
“Ka shumë njerëz që thonë se do të ishte më mirë që me Planin Hapësinor Kriporja të mbetej si e tillë, kurse disa të tjerë thonë se toka përreth ka pasur pasoja nga Kriporja. Kriporja është privatizuar dhe nuk është e thënë kryekëput që pronari do ta kalojë në zonë ndërtimore apo turistike”, thotë Dinosha.
Plani Hapësinor i miratuar sipas deputetit të UDSH-së ka avancuar nga ai i propozuar edhe sa i përket çështjes së Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna.
Me Planin e propozuar Hapësinor është parashikuar që Parku të zëjë një sipërfaqe prej rreth 25 mijë hektarësh, një pjesë e të cilit përfshin tokat e shqiptarëve.
“Ne e kemi kundërshtuar këtë qasje dhe në këtë pikëpamje deputetët boshnjakë nga Plava që vijnë nga më shumë subjekte politike, kanë hartuar një konkluzion që më ka pëlqyer edhe mua, thelbi i të cilit qëndron në përgjysmimin e sipërfaqes së Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna në 12 mijë hektarë, i cili nuk do tzi prekë pronat e shqiptarëve”, thotë Dinosha.
Konkluzioni është miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi dhe do të jetë pjesë përbërëse e Planit Hapësinor të miratuar.
Xhemal PeroviqNga ana tjetër, Xhemal Peroviqi, koordinator i Asociacionit “MOGUL”, i cili gjatë fazës së diskutimit publik ka zhvilluar fushatën “Të planifikojmë ne, e jo lobet”, thotë se miratimi i Planit Hapësinor të Malit të Zi deri në vitin 2020 nga Parlamenti i Malit të Zi duke mos përfillur vullnetin e ekspertëve dhe qytetarëve, sidomos të Komunës së Ulqinit, paraqet imponim të interesave private, klaneve në Mal të Zi, sidomos në komunën e Ulqinit, ku kjo sipas tij, “merr përmasa edhe të një vale kolonizimi”.
Ai kritikon sidomos deputetët shqiptarë që votuan pro këtij plani.
“Deputetët shqiptarë që e kanë votuar këtë plan do të japin llogari heret a vonë”, thotë ai.
Miratimi i Planit Hapësinor sipas Peroviqit përbën një disfatë edhe të pushtetit lokal në Ulqin, i cili përkundër faktit që ka dhënë vërejtje cilësore në Planin e propozuar, ato nuk kanë gjetur vend në versionin e tij përfundimtar.
“Nëse Komuna rrin sinqerisht pas atyre vërejtjeve, pushteti lokal duhet të vazhdojë kundërshtimin e një invazioni mbi vlerat dhe pasuritë e kësaj komune nëse janë të vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset Ulqinit”, thotë ai.
Sipas Peroviqit, mundësitë ligjore për këtë ekzistojnë.
“Në të kundërt, nëse mungon vullneti i tyre do të kenë përgjegjësi të madhe historike para qytetarëve të Ulqinit”, thotë ai.
Peroviq thekson se në bazë të reagimeve joformale e vëren qartë “se pushteti lokal në Ulqin është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset nga zbatimi në praktikë i Planit Hapësinor, por që atyre u mungon vetëbesimi dhe guximi për të marrë përgjegjësinë ashtu siç e kanë marrë votëbesimin”.
Ndërsa sa i përket sektorit joqeveritar, Peroviq thotë se ai nuk ka mundur të bëjë gjë më tepër pa përkrahjen masive të qytetarëve.
Sipas tij, Asociacioni “MOGUL” do të vazhdojë aktivitetin për sensiblizimin e qytetarëve për rrezikun nga zbatimi i Planit Hapësinor.
“Është koha për alarm dhe për unitet në mënyrë që rezistenca të jetë sa më masive”, përfundon ai.
I. Kallaba
Koha Javore