Origjinaliteti i fiksimit fotografik

April 17, 2008   | Kulturë / Kultura

Edhe pse të gjitha fotografitë e ekspozuara na duken si të një tërësie duke u realizuar në eksterier, prapseprap ato mund të sistemohen në disa nëncikle të veçanta, duke filluar nga ato me sens konceptual dhe deri tek ato të stilit panoramik. Origjinaliteti i tij mund të vërehet në zgjedhjen e atmosferës së pazakonshme për fiksim fotografik si qielli plot re, deti i valëzuar, perëndimi i diellit duke zgjedhur objektivin adekuat për të paraqitur thellësinë dhe gjërësinë e ekspozicionit.
Për fotografët shqiptarë të kohës më të re mund të thuhet se janë të lindur me një privilegj të paracaktuar. E konstatoj këtë duke patur parasysh traditën prej afro 150-vjeçare, nisur nga themeluesi i fotografisë shqiptare dhe asaj ballkanike Pjetro Marubi dhe pasuesit e tij Kel Marubi, dhe më pastaj Gegë Marubi, të cilët artin e fotografisë shqiptare e bënë ndër burimet kryesore evropiane në rrafshin e fotografisë publike dhe kronikale të kohës.
Për të kuptuar rëndësinë e një ekspozite fotografike, është e nevojshme të vëhet në pah llojllojshmëria e trajtimit të fotografisë në artin pamor bashkëkohor. Por çfarë në të vërtetë është fotografia?
Fotografia është një moment magjik që mbetet i shënuar, moment që është parë dhe është fiksuar poashtu magjishëm. Vetëvetiu ajo njëkohësisht është edhe histori, edhe një e dhënë, një informacion, përshtypje, por edhe një vështrim i realitetit përmes shpirti të dikujt. Në këtë mënyrë shohim një të dhënë të zgjedhur përmes syrit të dikujt tjetër, andaj edhe thuhet se rrallë ndonjë art pamor mund të lavdërohet me të gjitha këto atribute në kuptimin real.
Vlerësuar nga këndi artistik fotografi botën rreth vetes e shiqon në mënyrë tjetër nga ajo e zakonshmja. Ai nga një mori detajesh, në kuadër vendos vetëm disa prej tyre, të cilat sipas mendimit të tij janë të rëndësishme dhe të cilët patjetër janë në harmoni me rrethin dhe poashtu me njëri tjetrin. Ato flasin shumë më tepër për autorin dhe për këndvështrimin e tij të realitetit, për sensibilitetin e tij sesa për vetë objektin e fotografuar.
Kjo vërehet qartë edhe në fotografitë që autori Isuf Gjoni paraqet në ekspozitën e tij të parë. Edhe pse të gjitha fotografitë e ekspozuara na duken si të një tërësie duke u realizuar në eksterier, prapseprap ato mund të sistemohen në disa nëncikle të veçanta, duke filluar nga ato me sens konceptual dhe deri tek ato të stilit panoramik. Origjinaliteti i tij mund të vërehet në zgjedhjen e atmosferës së pazakonshme për fiksim fotografik si qielli plot re, deti i valëzuar, perëndimi i diellit duke zgjedhur objektivin adekuat për të paraqitur thellësinë dhe gjërësinë e ekspozicionit. Duke u nisur nga një bankë e vetmuar në mes të pyllit (me përmbajtje konceptuale) autori fillon të shpalosë ndjenjat e veta, nga ato më intimet, të momentit të vetmisë, pastaj duke fiksuar monumentet e ndryshme të krijuara nga dora e njeriut (Ura e Mesit, Kalaja, Shasi) dhe monumentet e natyrës (shkëmbinjtë monumnetal), simbole të qëndresës, dhe më pastaj me detin, valët, ujëvarat na sugjeron idenë mbi dinamizmin dhe ndryshueshmërinë e përhershme, teorinë se çdogjë rrjedh, çdogjë ndryshon. Rrjedh dhe ndryshon ashtu si edhe vetë jeta e njeriut, ashtu si dielli që lind dhe perëndon duke na lënë pas nostalgjinë e pashmangshme, e autori duke e fiksuar këtë ndjenjë, rrugëtimin na e bën të qëndrueshëm. Dhe më në fund, autori na ofron fotografinë e cila në praktikë mund të ketë rolin e një mjeti mediatik me të cilën sqaron apo dokumenton idenë që don ta prezentojë – metropolin e Njujorkut dhe Kullat binjake në të, që ishin dhe nuk janë më. Ato jetojnë vetëm në fotografitë e autorit, për të përfunduar mandej me fotografitë panoramike të realizuara nga ajri.
Nëse na është e njohur ligjshmëria e projekteve profesionale të një krijuesi, nismë e të cilave është edhe kjo ekspozitë, them se autori Isuf Gjoni ka filluar të ndërtojë egon e vet duke synuar në subjektivitetin dhe origjinalitetin e domosdoshëm krijues.
Qazim Muja
KOHA JAVORE