Luigj Shkreli anëtar i këshillit gjyqësor me vendim të parlamentit të Malit të Zi

April 21, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

luigj shkreliPodgoricë – Parlamenti i Malit të Zi zgjodhi në seancën e së mërkurës së kaluar deputetin e PDS-së, Luigj Shkreli, anëtar të Këshillit Gjyqësor. Deputeti tjetër Dragan Shoq nga Partia Popullore, i propozuar nga Këshilli administrativ, e tërhoqi kandidaturën sepse Lëvizja për Ndryshime dhe Lista Serbe vlerësuan që ky vend u takon atyre.
Shkreli ka thënë se zgjedhjen e tij në Këshillin Gjyqësor e vlerëson si shumë afirmative duke marrë parasysh edhe faktin se vendimi është marrë me votat e konsiderueshme të të gjithë deputetëve.
Ai megjithatë shpreh keqardhje për shkak të mospjesëmarrjes në votim të deputetëve shqiptarë Mehmet Bardhi dhe Vasel Sinishtaj, siç thotë ai, “me siguri për shkaqe të arsyeshme”.
“Unë do të mundohem që me kapacitetin tim të plotë intelektual dhe njerëzor të përballoj këtë detyrë”, thotë Shkreli.
Këshilli Gjyqësor përbëhet nga dhjetë anëtarë dhe mandati i tij zgjat katër vjet. Kryetar i Këshillit Gjyqësor është kryetari i Gjykatës së Lartë, kurse anëtarë të tij janë katër gjykatës të cilët i zgjedh dhe i shkarkon Konferenca e gjykatësve, dy deputetë të cilët i zgjedh dhe i shkarkon Parlamenti nga radhët e shumicës parlamentare dhe opozitës, dy juristë të cilët i zgjedh dhe i shkarkon Presidenti i Malit të Zi dhe ministri i Drejtësisë.
Mbledhja konstitutive e Këshillit Gjyqësor pritet të mbahet më së voni deri më 20 prill.

i.k.

KOHA JAVORE