Ministri Fuad Nimani dhe ndihmësministri Sabahudin Deliq dhe përfaqësuesit e PER-it vizituan qeveritë e Hungarisë dhe Rumanisë

April 21, 2008   | Politika, Rajoni / Region, Shtypi / Mediji

FUAD NIMANI_CUCANjohje me përvojat e trajtimit të pakicave
Me ftesë të Projektit për Marrëdhënie Etnike (PER), ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, dhe ndihmësministri i kësaj ministrie, Sabahudin Deliq, me përfaqësuesit e PER-it, qëndruan gjatë javës së kaluar në vizitë pune në Hungari dhe Rumani.
Delegacioni i Malit të Zi dhe përfaqësuesit e PER-it u takuan në Budapest dhe Bukuresht me zyrtarë të shumtë, kryetarë të këshillave parlamentare, deputetë, kryetarë të qeverisjeve lokale të pakicave, sekretarë shtetërorë në qeveritë e të dy shteteve, si dhe me ekspertë për të drejtat e pakicave kombëtare. Në Budapest, me delegacionin nga Mali i Zi bisedoi edhe kryetarja e Parlamentit hungarez, znj. Katalin Sili.
Ministri Nimani dhe ndihmësministri Deliq u njohën me përvojat e marrëdhënieve të suksesshme me pakicat në Hungari dhe Rumani, ndërsa prezantuan edhe arritjet e konsiderueshme të Malit të Zi në krijimin e politikës së gjithanshme qeveritare për pakicat.fuad-nimani_minister
Përveç theksimit të faktit që Mali i Zi edhe deri më tani ka qenë shembull pozitiv i marrëdhënieve të mira ndëretnike, është thënë se gjatë vitit të kaluar Mali i Zi ka avancuar ndjeshëm legjislacionin dhe përvojën e vet në fushën e të drejtave të njeriut. Kushtetuta e re e Malit të Zi, Strategjia për përmirësimin e pozitës së romëve në Mal të Zi, themelimi i Fondit për Pakica, zgjedhja e Këshillave të pakicave, hapja së shpejti e Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave dhe paralajmërimi i Strategjisë për pakica, janë vetëm shembuj të përkushtimit të Qeverisë së Malit të Zi ndaj çështjes së të drejtave të pakicave. Njëra nga temat për të cilat është diskutuar gjatë bisedimeve ka qenë edhe mënyra e përfaqësimit politik të pakicave në nivelin lokal dhe shtetëror, si dhe pjesëmarrjes së pakicave në jetën shoqërore.
Në takimet me zyrtarët e Hungarisë dhe Rumanisë të cilët edhe vetë kanë pasur sukses në rregullimin e marrëdhënieve me pakicat, ministri Nimani dhe ndihmësministri Deliq kanë pasur rastin të shkëmbejnë ide me bashkëbiseduesit se si të avancohet më tej në këtë fushë. Është biseduar edhe për formimin dhe mbajtjen e trupave administrative që do të merreshin me çështjet e pakicave, si dhe për bashkëpunimin rajonal.
PER është organizatë joqeveritare ndërkombëtare me seli në SHBA, e cila punon në avancimin e marrëdhënieve etnike në Evropën Qendrore dhe Juglindore. PER ka përvojë të madhe në punën që ka të bëjnë me çështjet ndëretnike, përfshirë edhe ofrimin e ndihmës vendeve të rajonit në hartimin e politikave kuadër ndaj bashkësive të pakicave. PER punon në mënyrë aktive në çështjen e marrëdhënieve ndëretnike në Mal të Zi që në vitin 1998, thuhet në kumtesën për opinion të Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave dhe Njeriut.

(Kohapress)