Aktualizohet ndërtimi i përmendores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tuz

May 5, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Ditë më parë, Këshilli për ndërtimin e përmendores së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, organizoi në mbledhje, ku në të morën pjesë edhe kryetari i KU të Tuzit, Smajl Çunmulaj dhe këshilltarja për kulturë, Xhoana Perkaj, të cilët e mbështetën realizimin e këtij projekti.
Këshilli për ndërtimin ka shprehur dëshirë që përmendorja të ndërtohet në qendër të Tuzit, jo larg shadërvanit. .
Për kryetarin e Këshillit për ndërtim, akademik Gjelosh Gjokaj, problem më të madh paraqet financimi i këtij projekti, se sa edhe sigurimi i lokacionit, i bindur se lokacionin do ta sigurojë, pasi që, siç thotë, ai “Skënderbeu nuk duhet t`i pengojë askujt”.
Gjokaj bëri të ditur se brenda këtyre ditëve do të takohet edhe me ministrin e Kulturës, Sportit dhe Mediave, Branisllav Miqunoviq, pastaj me atë të Pakicave, Fuad Nimanin dhe me kryebashkiakun e Podgoricës, Miomir Mugosha për të kërkuar siç deklaroi ai mbështetje dhe sigurim të lokacionit.
Siç dihet, në inaugurimin e përmendores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut pranë kishës së Shën Palit në Michigan – Detroit, mori pjesë edhe piktori Gjelosh Gjokaj, ku nga bashkatdhetarët atij i është premtuar se do ta ndihmojnë financiarisht ndërtimin e kësaj përmendoreje edhe në qendër të Tuzit, vetëm të sigurohet lokacioni.
“Është e vërtetë se bashkatdhetarët atje më kanë premtuar se do ta ndihmojnë ndërtimin e përmendores së Skendërbeut edhe në Tuz, vetëm që ne të sigurojmë lokacionin”, shprehet Gjokaj, duke sqaruar se “mërgimtarët atje kanë kërkuar që përmendorja e Skënderbeut në Tuz të jetë kopje e asaj që ekziston pranë kishës së Shën Palit”. Më në fund, Gjokaj tani më nuk është për një përmendore të kopjuar, por për një origjinale.
“Kjo do të ishte më e bukur dhe më madhështore. Kësaj here do të sqarohet çdo gjë”, përfundon mes tjerash i ngarkuari i këtij projekti, Gjelosh Gjokaj.
Ndërtimi i kësaj përmendoreje do të kushtojë rreth 150 mijë dollarë amerikanë dhe nëse punët shkojnë mbarë ajo së shpejti do të vendoset në Tuz.
Rr.D.
Koha Javore