Nuk morën pjesë përfaqësuesit e UDSH-së dhe PDS-së

May 5, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Ferhat DinoshaTë shtunën në ulqin u bë konstituimi i këshillit nacional shqiptar
Ulqin – Të shtunën në Ulqin u bë konstituimi i Këshillit Nacional Shqiptar. Në mbledhjen konstituive morën pjesë 26 nga 35 anëtarë sa ka Këshilli Nacional Shqiptar. Në mbledhjen konstitutive nuk morën pjesë përfaqësuesit e UDSH-së të zgjedhur sipas parimit të funksionit, me përjashtim të ministrit për Mbrotjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, si dhe deputetët e PDS-së, Luigj Shkreli dhe Omer Axhoviq.
Kryetari i UDSH-së, Ferhat Dinosha, ka thënë se përfaqësuesit e kësaj partie nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen konstitutive të Këshillit Nacional Shqiptar sepse konstituimi ka qenë lojë politike dhe nuk është bërë në bazë ligjore dhe legjitime.
“Çdokush që merret me politikë dhe njeh sadopak normat demokratike të fushës së pakicave duhet ta ketë të qartë se Këshilli Nacional i Pakicave formohet për t`i lënë hapësirë edhe sektorit civil dhe intelektualëve të mirëfilltë”, thotë ai, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur në rastin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve.
Dinosha kritikon Ministrinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave për situatën e krijuar në rastin e krijimit të Këshillit Nacional Shqiptar.
“Në krijimin e situatës së tillë ka ndikuar edhe pagjeturia e vetë ekipit të Ministrisë së Pakicave, i cili nuk i ka precizuar si duhet Rregullat për Formimin e Këshillit Nacional që është dashur të nxirren nga Ligji për Liritë dhe të Drejtat e Pakicave”, ka thënë ai.kuvendi i ulqinit
Por kritikat e kryetarit të UDSH-së janë hedhur poshtë nga Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
“Do të doja të dëgjoj se cili nen i Ligjit është shkelur. Çdo gjë është bërë në pajtim me Ligjin. Askujt nuk i shkruan në ballë se nga cila parti vjen. Ministria nuk mund të ketë qasje në atë se kush për kë voton dhe anëtar i cilës parti është, as që kjo na intereson”, ka thënë për gazetën “Vijesti” ndihmësministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Sabahudin Deliq.
Kryetari i UDSH-së e ka cilësuar jolegjitim Kuvendin e Elektorëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, të mbajtur më 19 prill, dhe ka paralajmëruar se kjo parti “do të bëjë ç`është e mundur për të anuluar vendimet e prodhuara nga ky kuvend”, sepse sipas tij, “në të kanë marrë pjesë kryesisht përfaqësues të partive politike të cilët nuk e kanë pasur vendin aty”.
Sipas Dinoshës, në nenin 33 të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave përkufizohet qartë se përfaqësuesit e partive politike hyjnë në Këshillin Nacional me automatizëm dhe kjo nënkupton që Kuvendin e Elektorëve është dashur ta përbënin përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, intelektualë të pavarur dhe mundësisht brenda tyre femra.
Dinosha konteston edhe zgjedhjen e gazetarëve në Këshillin Nacional të Shqiptarëve.
“Gazetarët nuk e kanë kurrsesi vendin në Këshill sepse gazetaria është profesion i veçantë, ndërsa gazetari ka detyra të tjera, që të përcjellë punën e këtyre trupave e jo të marrë pjesë në të”, thotë ai.
Dinosha shpreson se “intelektualët e mirëfilltë dhe përfaqësuesit e partive shqiptare do ta kuptojnë se prodhimi i dalë nga Kuvendi i Elektorëve në Ulqin është i dëmshëm dhe se së bashku do të bëjnë përpjekje për të ndryshuar këtë situatë”.
“Më së miri do të ishte sikur të kuptohej se vërtetë është bërë dëm, që subjektet politike konkurruese të heqin dorë nga Kuvendi i Elektorëve në mënyrë që në të, të zgjidhen përfaqësuesit e sektorit civil ose intelektual, kurse politika të hyjë në Këshill me kuotë së siguruar”, thotë Dinosha.
Ai thekson se UDSH do t`u drejtohet të gjitha instancave relevante që mund të japin përgjigje të plotë, qoftë në vend apo jashtë.
Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Nacional Shqiptar pritet të bëhet zgjedhja e kryetarit të tij.
I.Kallaba
KOHA JAVORE