Nis gjahu për kosovarët për sezonin veror

May 10, 2008   | Shtypi / Mediji, Turizmi / Turizam

Copakabana beach ulcinj(2)Shqipëria edhe Mali i Zi kanë publikuar ofertën e tyre turistike për kosovarët gjatë sezonit veror.Kjo u mundësua në panairin e turizmit, modës dhe edukimit të organizuar nga CEO.
Prishtinë, 7 maj —Shqipëria dhe Ulqini kanë nisur garën të mërkurën në Prishtinë për të tërhequr sa më shumë kosovarë gjatë sezonit turistik. Të dyja palët janë munduar t’i zbusin dobësitë e tyre karshi kosovarëve. Shqipëria duke premtuar rrugë më të mira,më shumë rrymë dhe përvojë,ndërsa Ulqini me urimin që Mali i Zi ta njohë pavarësinë e Kosovës ose të paktën kjo mosnjohje të mos ndikojë në irritimin e kosovarëve që ata ta ndërrojnë destinimin tradicional turistik.
Kjo është mundësuar në panairin e organizuar nga kompania Congress Event Organization, që kishte të bënte me reklamimin e atraksioneve turistike, edukimit dhe modës. “Viti 2008 e gjen Shqipërinë më të organizuar në fushën e turizmit,me më shumë rrugë, me më shumë rrymë, me më eksperiencë, por në të njëjtën kohë më të dashur dhe më të kompletuar”, tha Robert Dumi,drejtor i Entit të Turizmit Shqiptar. Ai e pranon faktin që ka edhe shumë për t’u bërë, mirëpo shteti shqiptar është duke punuar që të plotësojë kërkesat gjithnjë në rritje të turizmit të të gjithë turistëve, e veçanërisht atyre të Kosovës.copakabana beach
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, tha se pavarësia e shqiptarëve është me rëndësi, sepse pavarësia e Malit të Zi ka hapur rrugën edhe për pavarësinë e Kosovës.”Ulqini është më i përgatitur se kurrë për turizmin dhe besojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e fluksit të qytetarëve për pushime. Sezoni i vitit 2007 ka qenë rekord në 15 vitet e fundit, besojmë se 2008- ta do të jetë edhe më e suksesshme”, tha ai, duke shtuar se numri më i madh i turistëve janë nga Kosova. Bekim Xhafa nga CEO tregoi se panairet e tilla janë bërë me qëllim që qytetarëve të Prishtinës t’u ofrohet një zgjidhje sa më e madhe në të njëjtën kohë.Në hapje të tij kanë marrë pjesë edhe udhëheqës komunalë.Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, tha se është e rëndësishme që ky panair të jetë një nismë e mirë e panaireve që Prishtina në të ardhmen të ofrojë kushte edhe më të mira për organizime të tilla.”Prishtina në të ardhmen duhet të krijojë kushte edhe më të mira për organizimin e panaireve, për të tubuar sa më shumë organizata, firma dhe kompani të interesuara nga Kosova e rajoni, që të prezantojnë produktet e tyre”, tha ai.Në këtë panair janë paraqitur kompani të ndryshme të modës e bukurisë, ata të universiteteve private të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ndërsa risi e këtij panairi ishte pjesëmarrja e Akademisë së Shërbimit Policor të Kosovës dhe Akademia e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, tha se ky panair tregon që edukimin dhe arsimin nuk duhet shikuar vetëm si fenomen brenda objekteve shkollore, por duhet ta shikojmë edhe jashtë këtyre objekteve. Ai tha se arsimin nuk duhet ta shohim si një proces i cili i referohet vetëm gjeneratës së re, atyre që janë në shkolla fillore, të mesme dhe arsimin e lartë, por si një proces i cili u referohet të gjithëve, të gjitha moshave.
Gazeta Express