Pakicat në Mal të Zi dhe e drejta e përdorimit të gjuhës së tyre

Xhemal peroviq1_ulqin

Gjuha tregon identitetin e një populli
Në kuadër të realizimit të projektit “Liria e të shprehurit në Mal të Zi”, i cili mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë, Nisma e të Rinjve për të Drejtën e Njeriut organizoi ditë më parë në Ulqin tribunën me temë “E drejta e përdorimit të gjuhëve të pakicave në Mal të Zi”.
Për këtë temë ligjëruan Xhemal Peroviq nga Qendra për Marrëdhënie Ndëretnike “Pax”, dr. Nail Draga, profesor, dhe Leon Gjokaj, koordinator i Qendrës Nansen Dialog.
Në fjalën etij Xhemal Peroviqi theksoi se e drejta e përdorimit të gjuhës së vet është një e drejtë themelore, e cila është e sanksionuar nga një mori e dokumenteve ndërkombëtare.
Sipas tij, për realizimin e kësaj të drejte themelore shteti duhet të krijojë kushte që çdo individ pa marrë parasysh numrin të ketë mundësi të shprehet dhe të marrë pjesë aktive në jetën publike.
Peroviq kritikoi qëndrimin e disa intelektualëve lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, të cilët në tubime të ndryshme flasin në gjuhën zyrtare (malazeze) gjoja me qëllim për t`u marrë vesh më mirë me pjesën tjetër joshqipfolëse duke e cilësuar si një dukuri që është në rritje.
Ai tha se shqipja në Mal të Zi ka qenë gjuhë zyrtare, megjithëse e cunguar vetëm në komunën e Ulqinit, edhe në kohën e Millosheviqit.
“Me Kushtetutën e vitit 1991 dhe 1992, shqipja ka qenë gjuhë zyrtare. Është mëkat kur dikush që pretendon se i njeh mirë të drejtat e pakicave thotë që po flasim tani në gjuhën zyrtare duke menduar në gjuhën tjetër e jo në gjuhën shqipe. Pra, gjuhë zyrtare edhe me Kushtetutën e re, edhe me Kushtetutën e mëparshme është edhe gjuha shqipe dhe mundësia e shprehjes në gjuhën e vet për shqiptarët në Mal të Zi ekziston”, tha Peroviq.
Peroviq theksoi se shteti duhet të mundësojë komunikimin e çdo individi me shtetin në gjuhën e tij.
“Komunikimi i shtetit malazez me secilin individ shqiptar duhet të jetë i tillë që shteti të krijojë mundësinë që ai të komunikojë me shtetin në gjuhën e vet”, tha ai.
Peroviq kritikoi po ashtu mendimin e një pjese të mirë të elitës politike malazeze, qëndrim që sipas tij nuk kundërshtohet sa duhet nga elita politike shqiptare, se Mali i Zi në realizimin e të drejtave të pakicave mban primatin dhe është shembull në regjion.
“I kemi harruar disa gjëra dhe i konsiderojmë si të arritura. Shkollimin në gjuhën shqipe e kemi pasur prej monizmit, emisionin në televizion e kemi pasur prej monizmit, emisionin në radio prej monizmit, Radio Tivari ka folur në gjuhën shqipe edhe para Radio Ulqinit në vitin 1983-1984”, tha Peroviq.nail draga_1
Dr. Nail Draga theksoi se gjuha tregon identitetin e një individi dhe të një populli dhe se pa barazi gjuhësore, nuk ka barazi kombëtare.
Si shembull të pabarazisë gjuhësore ai mori shembullin e letërnjoftimit të deritashëm.
Draga tha se me nenin 13 të Kushtetutës së re të Malit të Zi gjuha shqipe definohet si gjuhë e barabartë, pra si gjuhë zyrtare në mjediset ku jetojnë shqiptarët.
“Ne nuk kërkojmë të shkruhet dhe të flitet shqip në Zhablak, Plluzhine, etj. ku nuk ka shqiptarë, por në ato mjedise ku shqiptarët janë popullsi autoktone, qoftë ku janë shumicë si në Ulqin, apo pakicë si në Plavë dhe Rozhajë”, tha ai.
Sipas Dragës, askush nuk mund t`ju mohojë shqiptarëve në Rozhajë që dokumentet zyrtare t`i kenë edhe në gjuhën e tyre.
“Nëse ti ju mohon këtë të drejtë sepse janë katër për qind do të thotë që ti barazinë dhe demokracinë praktikisht e sheh me përqindje. Barazia dhe demokracia nuk është me përqindje, por është çështje universale, e drejtë elementare e çdo njeriu, të cilën e fiton me lindjen e tij”, tha ai.
Sipas tij duhet të jemi edhe vetëkritikë kur flasim për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Unë jam kritik që të kritikojmë të tjerët, por jam vetëkritikë që t`i kritikojmë edhe njerëzit tanë”, tha Draga.
Ai kritikoi pushtetin vendor të Ulqinit në këtë aspekt.
Draga mori shembullin e një flete të dërguar nga Komuna e Ulqinit me rastin e zgjedhjeve presidenciale ku tregohet se ku duhet të votohet dhe numri i qendrës së votimit.
“Teksti është shkruar në shqip kurse vendi i votimit O.S. Sukobin nuk është shkruar në gjuhën shqipe. Kush e bën këtë? Këtë nuk ta ka bërë as Gjukanoviqi, as Maroviqi, por këtë e kanë bërë shqiptarët që punojnë aty”, tha ai.
Draga theksoi se problemet ekzistojnë në dy dimensione, atë lokal dhe republikan.
“Nuk ekziston vullnet dhe gatishmëri e pushteti qendror që të zgjidhen çështjejt e tilla që unë i quaj teknike”, tha ai.
LEON GJOKAJ Koordinatori i Qendrës Nansen Dialog, Leon Gjokaj, tha se integrimet europiane dhe euro-atlantike për të cilat pretendon Mali i Zi nuk janë të mundura nëse nuk integrohemi në shoqëri si tërësi me specifikat tona, ndër të cilat më e rëndësishmja është gjuha.
Gjokaj vlerësoi se Mali i Zi ka boshllëqe kur bëhet fjalë për implementimin e ligjeve, në rastin konkret të atij që sanksionon të drejtën e përdorimit të gjuhës.
Ai përmendi shumë raste ku shkelet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, siç është rasti me tabelat e rrugëve që tregojnë vendbanimet.
Sipas tij, në mjediset ku shqiptarët përbëjnë shumicën pjesa joshqiptare duhet ta mësojë dhe ta dijë gjuhën shqipe ashtu siç e mësojnë shqiptarët gjuhën malazeze (serbe).
Ai tha se në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk e ka ndjerë veten të lirë të flasë shqip në Podgoricë.
Gjokaj potencoi po ashtu edhe inferioritetin dhe pabarazinë e gjuhës shqipe në arsim apo edhe në media.
I. Kallaba
KOHA JAVORE

YouTube Preview Image