Ministria për mbrojten e të drejtave të njeriut dhe pakicave ndau 287 mijë euro

May 26, 2008   | Shoqëria / Društvo, Shtypi / Mediji

Fuad Nimani_Aleksandar ZekoviqFinancohen 17 projekte
Podgoricë – Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave ka ndarë të premten 287 mijë euro për financimin e 17 projekteve në kuadër të Strategjisë për përmirësimin e statusit të popullsisë rome, ashkali dhe egjiptiane (RAE) në Mal të Zi.
Ministri Fuad Nimani ka thënë se për 113 mijë eurot e tjera, sa është parashikuar për projektet e tilla, do të shpallet konkurs i ri.
“Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, së bashku me ministritë e tjera dhe organizatat joqeveritare, ecën hap pas hapi drejt përmirësimit të statusit të popullsisë RAE në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Nimani ka theksuar se kjo është kërkesë e Qeverisë, por edhe e bashkësisë ndërkombëtare.
“Kemi vendosur të financojmë tërësisht projektet sepse kërkojmë përgjegjësi të subjekteve që kanë konkurruar për realizimin e këtyre projekteve”, ka thënë ai.Aleksandar Zekovic
Nimani ka nënshkruar kontrata të veçanta realizimi me përfaqësuesit e të gjitha organizatave dhe institucioneve që kanë përfituar para.
Përfaqësuesi i Fondacionit për Stipendimin e Romëve, Aleksandar Zekoviq, ka thënë se me financimin e projekteve të kësaj organizate Ministria thekson rëndësinë e arsimimit, si mënyrës së vetme të qëndrueshme dhe afatgjate për zvogëlimin e varfërisë së romëve dhe egjiptianëve të Malit të Zi, ku jetojnë me dekada.
“Shprehi kënaqësi që Mali i Zi ka njohur më në fund rëndësinë e arsimimit dhe hartimit të masave të posaçme nxitëse ndaj personave të bashkësisë rome dhe egjiptiane të cilët e kanë kuptuar rëndësinë e arsimit”, ka thënë ai.
Zekoviq ka vlerësuar se diskriminimi i popullsisë RAE në Mal të Zi është edhe më tej mjaft i shprehur, sidomos në tregun e punës.
Ai ka paralajmëruar se Fondacioni për Stipendimin e Romëve do të mbikëqyrë realizimin edhe të projekteve të tjera që do të financojë Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, në mënyrë që të arrihen efektet e dëshiruara.
Kohapress

YouTube Preview Image