Interesimi për librin shqip jo aq i madh në Podgoricë

June 1, 2008   | Anketë / Anketa, Kulturë / Kultura

sajam knjiga podgoricaNë podgoricë u mbyll panairi i tretë ndërkombëtar i librit
Panairi i tretë me radhë ndërkombëtar i librit në Podgoricë që filloi nga data 13 e këtij muaji u mbyll mbrëmë në Qendrën Distributive që gjendet pranë rrugës që çon drejt qytezës së Tuzit. Në panairin e sivjetshëm në Podgoricë u prezantua një numër i madh i shtëpive botuese nga vendi, rajoni dhe bota. Ndër to ishte edhe Botimi “Camaj-Pipa”, nga Shkodra, që këtë vit kishte sjellur përkthimin e “Galerisë Private” në gjuhën shqipe të shkrimtarit malazias, Ballsha Brkoviqit (me një titull tjetër, “Asgjë nuk është ajo që duket se është”) , pastaj “Ballkaniadën” e Bllaga Dimitrovnës, por edhe libra të autorëve shkodranë si dhe studime të fushave të ndryshme me interes për lexuesin shqiptar. Libri shqip në panairin e Podgoricës sivjet nuk ishte aq i kërkuar sa vitet e mëparshme.
Në panairin e sivjetshëm të librit në Podgoricë u organizuan mjaft përurime librash, takime të ndryshme midis shkrimtarëve dhe pronarëve të shtëpive botuese, ekspozita dhe shumë gjëra të tjera, që e bënë këtë eveniment kulturor edhe më të rëndësishëm. Njëra nga stendat e panairit ishte rezervuar për librat shqip të botusit “Camaj-Pipa” nga Shkodra, pronar i së cilës është Hasan Lekaj, që mori pjesë edhe në dy panairet e mëpashme në Podgoricë.
Këtë eveniment kulturor Lekaj e konsideroi si mjaft të rëndësishëm për Malin e Zi, duke thënë se nuk është lehtë për të organizuar një panair të tillë, aq më tepër kur shitja e librit aktualisht dhe numri i njerëzve të interesuar për librin nuk e ka atë masivitet si dikur. Botuesi Lekaj kujton se në dy panairet e mëparshme tërë ditën kishte vizitorë dhe blerës nga të gjitha fushat, kurse në panairin e sivjetshëm nuk e ka vërejtur atë ngrohtësinë që ka qenë në dy vitet e para.
“Ndoshta në panairin e tretë interesimi ka qenë vetëm për gjëra që kanë të bëjnë me profesionin. Ka pasur edhe një lloj letërsie siç ndodh edhe në Shqipëri, një letërsi më tepër komerciale, një letërsi që është lehtë për t`u kapërdi”, thotë ai.
Mungesa e botimeve nga Kroacia për Lekajn u ndie shumë, pasi që, siç tregoi ai, në dy panairet e para në Podgoricë botimet nga Kroacia i kanë dhënë gjallëri panairit në të gjitha aspektet. Po ashtu, në këtë panair ai ka pritur më tepër interesim për librin shqip.sajam knjiga podgorica1
I pyetur se a duhet organizuar çdo vit panaire ai u përgjigj:
“Nëse vazhdohet me këtë traditë, panair në Podgoricë, panair në Ulqin, panair në Tiranë dhe qytetet e tjera, atëherë nuk shoh ndonjë perspektivë dhe më në fund nuk mund të ketë as interes aq të madh për librin”.
Përshtypja e Lekajt për këtë panair ishte se sivjet ka pasur më tepër hapësirë dhe dritë se në vitete kaluara. Ai vuri në dukje se sivjet vendi i stendës ka qenë jashtëzakonisht shtrenjt. Sipas tij, nga dita e parë në panair duhet të ketë ulje çmimesh, çka organizatori duhet ta ketë parasysh.
“Sot është dita e pestë dhe nuk vërej ndonjë ulje çmimi, përveç atyre librave që janë botime të vjetra”, shpreh mendimet e veta Hasan Lekaj. Gjithashtu, ai tregoi se në këtë panair mungoi kontakti me krijues dhe ardhja e shkrimtarëve të njohur të trevës së Ballkanit. Në këtë panair ai ka ndier edhe mungesën e pjesëmarrjes së njerëzve me peshë në Mal të Zi, sepse, sipas tij, ardhja e tyre do t`i kishte tërhequr edhe të tjerët.
Panairin e librit në Podgoricë e hapi kryetari i PEN Qendrës nga Bosnja dhe Hercegovina, filozofi Ugo Vlaisavleviq, kurse si përfaqësues i Kryeqytetit ka folur sekretari i Sekretariatit për Kulturë të Podgoricës, Zoran Shoshkiq.
Rr.Dushaj
KOHA JAVORE

Holiday accommodation in Ulcinj, Montenegro