U mbajt kuvendi i tretë i Ulqin Biznes Asociacionit
Ibrahim Milla në krye të UBA-s
Kuvendi zgjodhi kryetarin e ri, bëri disa ndryshime në statut si dhe miratoi Deklaratën për zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të Komunës së Ulqinit.
Ulqin – Ulqin Biznes Asociacioni, shoqatë që tubon afaristët e Ulqinit, mbajti të shtunën në hotelin “Mediteran” Kuvendin e tij të Tretë. Kuvendi zgjodhi kryetarin e ri, bëri disa ndryshime në statut si dhe miratoi Deklaratën për zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të Komunës së Ulqinit.
Kuvendi zgjodhi kryetar Ibrahim Millën, një afarist i njohur nga Ulqini, pronar i ndërmarrjes “Milla Impex”. Ai zëvendëson në këtë post Nazif Cungun, pronar i firmës së njohur “Cungu&Co”, i cili e drejtoi UBA-n në periudhën e kaluar.
Me statutin e ri të UBA-s, në kuadër të saj do të veprojnë pesë komisione: Komisioni për përfaqësim publik dhe bashkëpunim me opinionin dhe shërbim të anëtarëve, Komisioni për Turizëm, Komisioni për Tregti, Komisioni i Zanatçinjve dhe Komisioni i Bujqësisë. Çdo komision do të përbëhet nga tetë anëtarë.
Në Deklaratën për zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të Komunës së Ulqinit të miratuar nga Kuvendi i UBA-s, thuhet se biznesi si nismëtar i zhvillimit ekonomik shoqëror kërkon të gjejë tek administrata shtetërore partnerin e aftë për tzu shërbyer nevojave të qytetarëve dhe shoqërisë.
“Për këtë arsye, ftojmë administratën lokale dhe shtetërore për të punuar së bashku në mënjanimin e barrierave ndaj biznesit”, thuhet në Deklaratë.
Në Kuvend morën pjesë shumë personalitete të jetës ekonomike, politike, sektorit joqeveritar, etj.
UBA është themeluar në vitin 2002 nga disa afaristë, ndërsa sot tubon rreth 300 afaristë të Komunës së Ulqinit dhe është sinonim i afarizmit privat në komunën e Ulqinit.
I.Kallaba
Koha Javore