Punëtorët janë të vendosur të vazhdojnë grevën në fabrikën e Tepihëve dhe Qilimave ,,Ultep” në Katërkollë
June 30, 2008 by Ulqini
Filed under Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo, Shtypi / Mediji
KUMTESË PËR OPINION
Një delegacion i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, i kryesuar nga kryetari i saj dhe deputeti në Parlamentin e Malit të Zi, z. Mehmet Bardhi, me bashkëpunëtorët, këshilltarët e LD-së në KK të Ulqinit: Kadri Sinani, Tahir Tahiri dhe Basri Lika, si dhe koordinatorët Daut Ceka dhe Hajredin Kovaçi, vizitoi të hënën, më 23. 06. 2008 Shoqërinë Aksionare për Prodhimin e Tepihëve dhe Qilimave ,,Ultep” në Katërkollë dhe biseduan me punëtoret dhe drejtoreshën ekzekutive zonjën Drita Muçaj, të cilat që nga data 17.06.2008 kanë filluar grevën e punës për të kërkuar të drejtat e tyre.![]()
Gjatë bisedës me grevistët, anëtarët e delegacionit u njoftuan me problemet që ekzistojnë në këtë fabrikë dhe arsyet që i ka shtyrë ato të hyjnë në grevë. Kryetarja e sindikatit të punëtorëve të ,,Ultep”-it, znj. Sebije Gjeka u tha të pranishmëve se punëtorët janë të vendosur të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ajo në fjalën e saj numëroi problemet e shumëta me të cilat që 8 vite me radhë ballafaqohen punëtoret e kësaj ndërmarrje duke potencuar faktin që gjatë ketyre viteve nuk u janë paguar as rrogat as kontributet per sigurim pensionist e shëndetësor…
Kryetari i LD-së dhe deputeti z. Mehmet Bardhi, pasi që u njoftua në detaje me problemet dhe kërkesat e punëtorëve, si dhe vështirësitë materiale gjatë gjithë këtyre viteve, theksoi se hyrja e tyre në grevë është shumë e arsyeshme dhe e kuptueshme për të gjithë. Ai shtoi se këtu kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve që shihet qartë jo vetëm në këtë rast. Mosinteresimi i Qeverisë për të zgjidhur këto raste, që në MZ janë pothuaj dukuri, pasi zanafilla e tyre është që me rastin e privatizimeve, ku nuk u është kushtuar kujdes qëllimit të vazhdimit dhe avancimit të prodhimit, por se kujt tzi dorëzohet e kush duhet të fitojë, duke pas njërin nga qëllimet përfundimtare jo prodhimin as punëtorët , por truallin e fabrikës për ta shdërruar në truall ndërtimor e me çdo kusht profitin e projektuar…Mënyra e privatizimeve, e procesit të tyre e sidomos kur dihet se në Këshillin për Privatizim, ku në krye deri para pak kohësh, ishte kryetari i Qeverisë, që vendoste për ” të ashtuquajturin privatizim”, nuk kishte as nuk ka asnjë anëtar shqiptar (!?) tregon qartë qëllimet e pasojat e tij. Në trojet tona ai ka pasur dhe vazhdon të ketë të gjitha karakteristitkat e një veprimi jo vetëm plaçkitës po edhe kolonizues e okupues, kur dihen në shumicën e rasteve kush ishin e kush janë pronarët, për sa dhe si i blenë etj …
Ai tha se ky nuk është rasti i vetëm, duke përmendur edhe raste të tjera të shkatërrimit të pasurisë vendore e shtetërore në Komunën e Ulqinit, si : Agroulqini, Primorje, Riviera e Ulqinit, Kriporja etj. Në fund z. Bardhi tha se beson se janë pjekur të gjitha kushtet që në rastin konkret Këshilli i Privatizimit të shkëpusë kontratën dhe punëtorëve tzua kthejë fabrikën dhe të kërkohet investitori i vërtetë. Në bisedë me
Drejtoreshën dhe kryetaren e sindikatit të Fabrikës Bardhi përmendi edhe edhe trollin e shkollës së vjetër, që me makinacione të ndryshme është regjistruar si pronë e Fabrikës, por e cila pronë, hapësirë dhe pozitë e mrekullueshme p. sh. për Qendër të Kulturës për Anë të Malit (kodra me ndërtesën e vjetër të shkollës) i takon Anës së Malit, i takon Komunës. Zotëri Bardhi me bashkëpunëtorët u premtoi punëtoreve përkrahjen e plotë, morale e njerëzore duke u ofruar edhe ndonjë ndihmë teknike dhe profesionale, nëse kanë nevojë, për realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë vizitës së delegacionit të LD-së prezent ishin edhe udhëheqësit e sindikatës së Ulqinit. Bisedat më tej vazhduan së bashku. Bardhi me bashkëpunëtorët kërkuan që edhe më me ngulm sindikata e komunës të ndihmojë në zgjidhjen definitive për shkëputjen e kontratës, si zgjidhje më efikase për daljen nga kjo krizë e gjatë e kësaj ndërmarrjeje, dikur krenaria e kësaj ane, për çka u dakorduan edhe ata.
SHËRBIMI PËR INFORMIM I LDMZ




Ulqini on Tue, 8th Jul 2008 2:09 pm
Paralajmërohet radikalizimi i grevës
Drejtuesit e grevës dhe punëtorët e Fabrikës “Ultep” janë të vendosur që t`i shkojnë deri në fund grevës dhe thonë se nuk do ta ndërpresin atë pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre. Nëse së shpejti nuk fillon procesi i prodhimit, punëtorët paralajmërojnë se do të radikalizojnë grevën e tyre.
Në hyrje të Fabrikës për Prodhimin e Tepihëve dhe Qilimave “Ultep” në Katërkollë të presin disa pankarta të vendosura në muret e saj rrethues dhe në hyrje të godinës në të cilat është shkruar “Duam punë”, “Kërkojmë të na paguhen rrogat”, “Kërkojmë të na paguhen kontributet”, etj.
Rreth 83 punëtorë të kësaj fabrike kanë filluar që më 17 qershor grevën. Ata kërkojnë nga punëdhënësi pagesën e pagave dhe kontributeve si dhe të ardhurave të tjera që u përkasin në bazë të Ligjit të Punës dhe Kontratës Kolektive të Punës që nga 1 janari 2002.
“Kërkojmë po ashtu nga udhëheqësia e ndërmarrjes që të nisin procesin e prodhimit dhe që nga puna jonë të mbajmë veten dhe familjet tona. Që udhëheqësia e ndërmarrjes të hartojë programin social dhe të zgjidhë statusin e të punësuarve”, thotë Sadete Elezi, kryetare e Këshillit të Grevës.
Punëtorët e “Ultep”-it kërkojnë po ashtu që në një afat sa më të shkurtër të mundësohet vërtetimi i librezave të shëndetësisë si dhe kërkojnë nga udhëheqësia që t`i njohë me privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.
Punëtorët i kanë njoftuar me kërkesat e tyre kryeministrin e Malit të Zi, kryetarin e Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes, Ministrinë e Shëndetësisë, Punës dhe Përkujdesjes Sociale, Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Sindikatave të Malit të Zi, kryetarin e Komunës së Ulqinit dhe kryetarin e Lidhjes së Sindikatave Komunale.
Por përveç Lidhjes së Sindikatave të Malit të Zi dhe Lidhjes së Sindikatave Komunale, që i kanë mbështetur kërkesat e punëtorëve të Fabrikës “Ultep”, Këshilli i Grevës nuk ka fituar deri tani përgjigje nga asnjë subjekt tjetër të cilit i janë drejtuar.
Drejtuesit e grevës janë takuar edhe me kryetarin e LD në MZ, Mehmet Bardhi me bashkëpunëtorët e tij, nga të cilët kanë marrë mbështetje.
Kërkesa e parë e grevistëve që ka të bëjë me pagesën e pagave dhe kontributeve ka shpresë të plotësohet në ditën e ardhshme pasi që Qeveria e Malit të Zi ka paralajmëruar para disa ditësh se do t`i paguajë pagat dhe kontributet për disa ndërmarrje pavarësisht se në to është kryer procesi i privatizimit.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Ulqinit, Shefki Keko Lamoja shpjegon se Lidhja e Sindikatave të Malit të Zi dhe ai si drejtues i Lidhjes së Sindikatave të Ulqinit kanë zhvilluar takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi më 26 qershor.
Qeveria e Malit të Zi ka marrë përsipër që të paguajë 15 milionë euro në nivel vendor për paga dhe kontribute punëtorëve të atyre ndërmarrjeve që janë privatizuar, por që faktikisht nuk punojnë.
Në mesin e tyre janë edhe katër ndërmarrje nga Ulqini: Ndërmarrja Ndërtimore “Primorje”, Fabrika “Ultep”, “Jadranprevoz” dhe Qendra Tregtare “Primorka”.
“Ne kemi bërë një marrëveshje që ndonëse është privatizuar “Ultep”-i, Qeveria t`ju paguaj punëtorëve pagat dhe kontributet, si dhe 30 punëtorëve që kanë kërkuar nga 24 paga”, thotë Lamoja.
Por drejtuesit e grevës dhe punëtorët e Fabrikës “Ultep” janë të vendosur që t`i shkojnë deri në fund grevës dhe thonë se nuk do ta ndërpresin atë pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.
“Kërkesë parësore është nisja e prodhimit. Duam punë dhe jo të na qëndrojnë librezat kot këtu. Nëse kërkesat tona nuk realizohen, ne jemi të detyruar të kërkojmë nga Bordi i Drejtorëve që të prishin kontratën e shitblerjes së aksioneve të kësaj firme dhe që privatizimi të bëhet me tender”, thotë Sebije Gjeka, kryetare e Sindikatës së Punëtorëve të Fabrikës “Ultep”.
Edhe kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Ulqinit, Shefki Keko Lamoja, është i një mendjeje me punëtorët e Fabrikës.
“Në qoftë se nuk fillon procesi i prodhimit, kemi kërkuar që kontrata të prishet dhe Këshilli për Privatizim të hapë tenderin dhe të gjejë investitorin potencial”, thotë ai.
Nëse së shpejti nuk fillon procesi i prodhimit, punëtorët paralajmërojnë se do të radikalizojnë grevën e tyre.
“Nëse nuk fillon procesi i prodhimit, ne do të detyrohemi të radikalizojmë protestën dhe të ndërpresim komnikacionin në rrugën Ulqin - Shkodër nga një orë në ditë”, thotë Sebije Gjeka.
Të njëjtën gjë përsërit edhe kryetari i Lidhjes së Sindikatave Komunale të Ulqinit, Shefki Keko Lamoja.
“Në të kundërt, do t`ju propozoj punëtorëve që t`i radikalizojnë hapat duke dalur në rrugë dhe bllokuar rrugën Ulqin - Shkodër nga një orë në ditë”, thotë ai.
Dje ka qenë afati i fundit kur kryetari i Bordit të Drejtorëve, Radovan Stojanoviq, i cili është edhe aksioneri më i madh në këtë ndërmarrje (ndërmarrja e tij “Montesilver dhe ai vet si aksioner privat kanë rreth 43% të aksioneve të Fabrikës “Ultep”), është dashur të përgjigjet në kërkesat e punëtorëve.
Përkundër përpjekjeve tona për ta kontaktuar atë, telefoni i tij ka qenë i zënë gjatë gjithë kohës.
I. Kallaba
Koha javore