Shqiptarët me 4.700 grame heroinë arrestohen në Tuz

August 13, 2008   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Dy shqiptarë nga rrethi i Shkodrës janë arrestuar natën e mbrëmshme në Tuz të Malit të Zi, gjatë një aksioni të gjerë në asgjësimin dhe goditjen e grupeve kriminale. Ernando Dulaj dhe Albert Gjonaj nga Malësia e Madhe, si dhe Pren Thaçi nga Kosova me vendbanim në Osiek të Kroacisë, janë arrestuar teksa në autoveturën e tyre tip “Mercedes Benz 124” me targë MA 1297 D është gjetur 4 kg e 700 gramë drogë e llojit heroinë, e cila ishte e paketuar dhe e sistemuar në pesë pako, e mbështjellë me natriban dhe ishte vendosur në gomën rezervë të mjetit. Policia e Malit të Zi dyshon se të arrestuarit Gjonaj dhe Dulaj kanë kaluar nga Shqipëria nëpër pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ndërkohë që droga mendohet se ishte e destinuar për shtetin tjetër fqinj me Malin e Zi, Kroacinë. Vlera e lëndës narkotike të kapur, mësohet se në tregun e zi sillet rreth 250 000 eurove.
Sipas hetimeve paraprake të policisë malazeze, mësohet se Pren Thaçi, i cili u arrestua në afërsi të Tivarit, është edhe organizatori kryesor, ku mendohet që të ketë rekrutuar dy shqiptarët, që nëpërmjet Malit të Zi drogën ta kalojë nga Shqipëria për në Kroaci.
Sipas burimeve nga policia malazeze, Thaçi me të marrë vesh se dy bashkëpunëtorët e tij nga Shqipëria janë arrestuar, ka tentuar largimin nga Mali i Zi për në Kroaci, por ai është arrestuar nga policia malazeze në Tivar.
Tre të arrestuarit do të përballen me drejtësinë malazeze nën akuzën “trafik, shitje dhe prodhim të lëndëve narkotike”.
Ndërkohë që mësohet se policia malazeze po bashkëpunon edhe me uniformat blu të Shqipërisë e të Kosovës për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë, që mendohet se janë të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike nga Ballkani në vendet e Evropës Perëndimore.
Burimi / Gazeta Shqip