Të mësojmë nga të tjerët

August 19, 2008   | Anketë / Anketa, Shtypi / Mediji

Paradigma norvegjeze
Vendet si kjo monarki parlamentare (Norvegjia) janë të destinuara në përjetësi. Për të parë se si më së mirit mund të mbrojnë pakicën e vet lapone, ata kanë studiuar dhe kanë hulumtuar shembujt më të mirë dhe kanë shkuar deri aty sa që sot kjo pakicë autoktone ka parlamentin e vet të garantuar, gjuhën e vet dhe një mori mjetesh të tjera mbrojtëse për këtë popullsi prej jo më shumë se 70.000 vetëve në të gjithë vendin. Testi më i mirë për një vend dhe demokracinë e tij janë gjithsesi pakicat. Norvegjia, për dallim nga ne, ka gjetur mënyrë shumë të mira.
Nën organizimin e Qendrës Nansen Dialog isha pjesëmarres i shkollës verore me temën antikorrupsioni dhe vetëqeverisja lokale, e cila organizohet çdo vit në Norvegji. Atje, ndër të tjera, mësuam se personaliteti më i madh norvegjez i shek. 20 ishte Fridtjof Nansen, aventurier, hulumtues, shkencëtar, politikan dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1922. Kur në Oslo na pyetën se a e njihnim F. Nansenin, të gjithë heshtëm. Ligjëruesi, pak për të na relaksuar, tha se norgvegjezët mendojnë se e gjithë bota duhet ta njohë Nansenin. Ky vend skandinav e kishte heroin e vet dhe madje atë e kishte shpallur si njeriun më të madh të shek. 20, por shtrohet pyetja: kush janë heronjtë tanë dhe cilat dimensione i kapin ata?
Thjeshtë, nëse dikujt do të dëshironim t`i japim një informacion jo më të vjetër se 100 vjeçar, e të pyetemi se kush do të ishte për ne njeriu më i madh, nuk do ndodhte asgjë tjetër veç do futeshim në telashe. Heroi ynë dhe idhulli ynë i përbashkët e mbarëkombëtar nuk ekziston! Edhe për këtë çështje si për shumë të tjera do të ndaheshim në taborre.
Heroi ynë është idhulli i paarritshëm, ne duam të pagabuarit, kurse vetë çdo ditë nuk bëjmë gjë tjetër veç etiketojmë, turbullojmë dhe në fund humbim edhe vetë.
Kur Norvegjia u shpall shtet, F. Nansenit i ofruan të behej president por ai e refuzoi dhe propozoi që ky vend të bëhet monarki. Ashtu edhe ndodhi, kurse ai mbeti njeriu më i dashur i kombit të vet, madje edhe i përmasave ndërkombëtare duke shpikur pasaportën Nansen, që mundësoi evakuimin e shumë të përndjekurve nga regjimet e errëta të kohës së vet, që kaplonin Europën dhe apolidëve, që nuk u njihej shtetësia nga asnjë vend.
Norvegjia, siç mësuam, zgjodhi si personalitetin e vet njeriun që i kontribuoi jo veç vendit të vet por edhe kombeve dhe vendeve të tjera.
Gjithsesi ne jemi të hershëm në histori por të vonuar në kohë. Treni ynë çdo herë niset pa pasagjerin shqiptar, ne humbim kohë në gjëra të kota, ne mbrohemi dhe arsyetohemi me gjëra të kota. Kohën e kemi shndërruar në kotësi. Por gjithsesi nuk ia vlen të fajësojmë, por të tentojmë të përmirësohemi. Politikanët tanë nuk kanë biografi, e arsyetojnë atë edhe kur do të duhej të thonë: isha në udhë të gabuar! Politikanët tanë nuk kanë të kaluar, atë e cilësojnë si private, edhe pse ishte gjithçka tjetër, por jo private. Ne interesxhinjtë e kësaj bote dyshojmë në gjithkënd, por jo në veten, edhe pse jemi vetëtradhëtuar me dhjetra herë përsëri vazhdojmë me të njëjtin tempo, duke mos e kuptuar se po i shkaktojmë dëm shoqërisë.
Ne shqiptarët në Mal të Zi nuk kemi solidaritet mes vetes. I kemi hallet e ndara. Ne nuk kemi koordinim për asnjë çështje, edhe pse kemi aq shume telashe të përbashkëta, të cilat veç me një unanimitet do të duhej të zgjidheshin, siç janë planprogramet shkollore, çështja e gjuhës, e decentralizimit, privatizimet.
Sa heshtëm ne për privatizimet në Ulqin, aq heshtën ata për nacionalizimin e pyjeve në Guci, kurse për arrestimet famëkeqe të “Fluturimit të shqiponjës” as të mos flasim: as një protestë, as një zë, as një shkrim, as një shenjë se Ulqini është me Malësinë…! A keni vënë re se në Panairin e Librit në Ulqin Malësia nuk ekzistonte as në stenda, as në podium, as nuk përmendej? Si mund ta kapërdijmë se Ulqini është qendra e shqiptarëve në Mal të Zi, kur ne aty nuk jemi prezentë, apo si mund Ulqini ta bëjë të njëjtën gjë, kur Tuzi i rri larg?
Besimi se çdo gjë nuk është e humbur dhe se gjërat mund të ndryshojnë gjithsesi janë demokracitë e vjetra. Mbretëria e Norvegjisë është një shembull i tillë. Vendet skandinave janë të njohura për konstruksionin e vet dhe mirëqenien sociale e ekonomike. Në këto vende njeriu ndihet i sigurt dhe i pranuar.
Askund nuk mund të gjesh më pak objekte kulti sesa në Oslo, por askund më shumë shpirt, për dallim nga ne që jemi të bombarduar prej tyre, kurse humanizëm kemi aq pak. Norvegjia: një vend që vlerëson dhe çmon njohuritë, përvojën dhe shkencën, qendra e Çmimit Nobel, e parlamentarizmit, decentralizimit dhe bukurive të pafundme natyrore. Çdo gjë është ndërtuar me aq shumë gjelbrim dhe me shumë harmoni me natyrën. Ata mësojnë çdo ditë dhe sot janë vendi më i pasur në botë. Pasuria e tyre tepron aq sa kanë hapur dhjetra fonde të deponuara në të gjithë botën, që akumulojnë pasurinë për gjeneratat e ardhshme.
Vendet si kjo monarki parlamentare janë të destinuara në përjetësi. Për të parë se si më së mirit mund të mbrojnë pakicën e vet lapone, ata kanë studiuar dhe kanë hulumtuar shembujt më të mirë dhe kanë shkuar deri aty sa që sot kjo pakicë autoktone ka parlamentin e vet të garantuar, gjuhën e vet dhe një mori mjetesh të tjera mbrojtëse për këtë popullsi prej jo më shumë se 70.000 vetëve në të gjithë vendin. Testi më i mirë për një vend dhe demokracinë e tij janë gjithsesi pakicat, Norvegjia, për dallim nga ne, ka gjetur mënyrë shumë të mira
Ky vend të meson të thuash atë çfarë mendon, por edhe të mendosh atë se çfarë thua, koncept ky ende i largët për ne. Gjithsesi kemi shumë vlera, por ato duhet të çlirohen nga defektet dhe të përshtaten me kohën.
Autor / Robert Camaj
Burimi / Koha Javore