Ulqini Qytet me orë të ndaluar

August 25, 2008 by Ulqini  
Filed under Shtypi / Mediji, Turizmi / Turizam

Nuk është investuar asgjë në Ulqini 20- 30 vjetët e fundit. Ai është njëri nga qytetet e vetme turistike në botë që s’ka hotel në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk ka shkallë, edhe pse është i thepisur e as transport publik. Megjithatë, në këto ditë gushti është i stërmbushur me kosovarë.
Ulqini është i mbushur me turistë në këtë fund të gushtit. Më së shumti nga kosovarët, natyrisht.Mesatarisht nga 1 mijë qytetarë të Kosovës hyjnë brenda ditës në këtë qytet që nga fillimi i gushtit. Janë 30 autobusë të mbushur plot që udhëtojnë çdo ditë nga të gjitha anët e Kosovës, e po aq hyjnë më veturat

e tyre. Shprehur në para, kosovarët gjatë këtij sezoni po i harxhojnë rreth 50 milionë euro në Ulqin. Në një qytet ku që nga vitet 80 nuk ka asnjë përmirësim të ofertës turistike, mund të ballafaqohesh me gjithçka e më së shumti me rrena. Për ata që ia mësyjnë me autobus, rrenën e parë do ta hasin me të zbritur në këtë qytet.Shumica e autobusëve mbërrijnë në orët e para të mëngjesit.Si zakonisht, ashtu siç bëjnë dekada me radhë, pronarët e ‘apartamenteve’ dalin që të ofrojnë vetë strehimin. Mos u zhgënjeni kur t’u del para sysh një dhomë e keqe. Pronari u ka thënë se gjendet afër plazhit.

Plazhi i Vogel Ulqin

Plazhi i Vogel Ulqin

E ju mos u bëni nervoz nëse ajo është nja 2 kilometra larg. Ju duhet të flini sepse jeni i dërrmuar nga rruga.E keqja më e madhe në këtë mes është se duhet të endeni rrugëve me leqe që u është përpirë trotuari, teksa shkallët e këtij qyteti të thepisur janë gllabëruar nga pronarët privatë. “Mos i prekni shkallët. Kjo është pronë private”, na u drejtua një grua e moshës së shtyrë, e cila duket se ruajtjen e atyre shkallëve e kishte punë të vetme gjatë ditës. “E qysh me dal në rrugë”, i them. “Dilni ku të doni”, thotë ajo, dukshëm me zë të lartë.Ulqini është qyteti i vetëm turistik që nuk ka ndonjë hotel të vërtetë. Janë disa shtëpi dy-tri katëshe që veten e quajnë hotel,kaq. Më herët ishte edhe hoteli Galeb që simbolizonte turizmin e këtij vendi. Por, atë e ka bërë rrafsh me tokë pronari i ri Rokshped.E ka lënë vetëm një terracë të vogël, ku për çdo natë këndon simboli i asaj ane, Gjyste Vulaj.Vendasit thonë se do të ndërtohet një hotel edhe më i bukur në atë vend.Ulqini është një nga qytetet e pakta turistike të botës pa autobusë urbanë.
Mund të zgjidhni ose të ecni ose të merrni ndonjë taksi. Më llogari keni të shkoni këmbë në plazh, sepse taksistët janë monstrumët e këtij qyteti.“Ah bre djalë shtrenjtë e ke. Këtu qysh moti starti është 5 euro”,më tha një taksist, kur e pyetapër pagesë.Një ditë me herët i kisha paguar vetëm 2 euro për të njëjtën rrugë. Aq ishte edhe starti.
Plazhi i vogël është i stërmbushur.Për të marrë një çadër, që gjendet në mesin e duqeve të cigareve dhe plehrave të shumtë, duhet të paguani 4-6 euro. Aty është vetëm një gropë septike që andej e quanin WC. Duhet të paguani edhe 30 centë sa herë doni të pshurrni! Përpara u dalin ciganët, të cilët s’u lënë të hyni pa paguar. Në një situatë të tillë, kur duhet të fëlliqni këmbët dhe të duroni erën e rëndë për ta kryer nevojën, shumë nga pushuesit gjenin një mënyrë tjetër. E bënin në det.Në gjendje të mirë nuk janë as lokalet përgjatë plazhit.Aty restorantet që ofrojnë dynerë alla tetovarçe,më tepër shërbejnë për helmim të pushuesve sesa i japin dikujt kalori. Por çmimet e ushqimit nuk janë edhe aq të shtrenjta sa ishte propaganduar. Ato mund të krahasohen me të Prishtinës, edhe pse kryeqyteti ynë s’e ka asnjë pikë uji.Ndërsa në krahasim me Shqipërinë, kamerierët të qëndrojnë të koka, duke treguar se megjithatë aty ka një traditë turizmi.Plazhi i Madh është një muhabet tjetër. Restorantet janë shumë më serioze,përderisa plazhin e pastrojnë vazhdimisht menaxheret privatë. Për dallim nga Durrësi, ku mbi 200 hotele me nga 10 kat ,secili janë të ndërtuar mbi rërë, aty janë vetëm disa montazha druri, në plazhin dhjetëkilometërsh.Tjetër është se s’kanë çka i bëjnë forcave të natyrës, teksa era e çon zallin përpjetë,duke t’i mbushur sytë.Ka zgjidhje edhe për këtë.Aty gjendet edhe Copacabana,që vërtetë ia vlen të vizitohet. Rëra qëndron në vend të vet, përderisa uji duket mjaft i pastër.Në Ulqin nuk ka prodhime kosovare. “Pse nuk keni birrë të Pejës”, e pyes një kamerier. “S’di”, u përgjigj ai. Aty, sikurse edhe në tërë Prishtinën, shërbehet me shumicë Birra e Nikshiqit.

Saht Kulla

Një strategji e dyfishtë kjo malazeze. Nuk e lënë të depërtojë prodhimin më të çmuar për kosovarët, sikurse ua fusin në qejf birrën e tyre që ta konsumojnë edhe kur të kthehen.Jeta e natës nuk ka ndryshuar fare në qytetin më të vjetër të Adriatikut. Ora përgjatë shëtitores në Plazhin e Vogël ka ndaluar në vitet ’70. Më së shumti sheh tek shëtisin me ndonjë akullore në dorë, qifte të reja të porsamartuarish nga katundet kosovare, të cilët duken mjaft të lumtur. Risia e vetme ishte rikthimi i Ilir Shaqirit pas 15 vjetësh që të këndojë në restorantin, ku turistët janë mësuar ta shohin Medën.Diskotekat në të shumtën janë bosh.
Ulqinakët nuk të lënë as të ikësh pa paguar. Çdo kosovar është i detyruar që të paguajë taksën 2 euro, përderisa edhe 50 centë të shkojnë për ‘rezervim’ bilete. E pronarët e autobusëve edhe nga 30 euro secili. Ndonjë mbeturinë e ish shtetit Serbi-Mali i Zi të hasë edhe gjatë rrugës së kthimit. Kamerieri në vend të 50 centëve, m’i ktheu 5 dinarë në një restorant të Podgoricës. Por, nuk hezitoi as ta shante fëlliqtë të valutë kur ia ktheva
mbrapsht.
viktor.buzhala@gazetaexpress.com
Autor / Viktor Buzhala
Burimi / Gazeta Express

http://www.vimeo.com/603706

Comments

One Comment on "Ulqini Qytet me orë të ndaluar"

  1. skender on Tue, 26th Aug 2008 9:19 am 

    Politikanët e Ulqinit më duket se përfitojnë shumë, megjithëse jo të gjithë, por shumë përfitojnë nga posti i tyre politik, kjo dëmton imazhin e përgjithshëm të Ulqinit si vend në synimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për të tërhequr investimet” në Ulqin. Përzierja e politikanëve me interesat e biznesit i bën institucionet evropiane të ngurrojnë në partneritetin me këta politikanë koruptiv. Për këto arsye, tham unë, shoqëritë evropiane janë të shqetësuara nëse investime në Mal të Zi dhe vende të tjera të Ballkanit bëhen në një mënyrë të qartë dhe transparente, apo nëse rryshfetet janë pjesë e jetës së përditshme, veçanërisht jetës së përditshme të biznesit.Prandaj mund të them se në Ulqin e kan gjithmon 12 oren njerzit,por ishalla nuk asht ndalurur sepse qeverija po ban çmos që rusët të na nxajn vendin e jon neser dhe të kalohet përqindja e popullsis shqiptare në trojet e tyre shekullore.Politikanët duhet të jen të sinqert dhe ta shikojn problemin nga dhelbi e jo nga bishti.
    Mendoj se ora ende nuk asht ndalur në Ulqin sepse për ndryshe……………?!

Tell us what you're thinking...
and oh, if you want a pic to show with your comment, go get a gravatar!