Kumtesë e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi përkitazi me riarrestimin e shqiptarëve nga Malësia

August 28, 2008   | Lajmet / Vijesti, Politika, Shtypi / Mediji

Paraburgimi pa epilogun e ankesave
Shpresimet tona që autoritetet e këtushme do ta pranojnë gabimin e përsëritur në rastin e “Fluturimit të Shqiponjës” dhe t’i lirojnë së shpejti “zogjtë e shqiponjës” të arrestuar përsëri, për fat të keq nuk u realizuan, dhe prandaj përmes këtij reagimi edhe një herë ia tërheqim vëmendjen opinionit të gjithëmbarshëm për veprimet e regjimit aktual ndaj bashkëkombësve tanë.
Pohimet e LD në MZ se është fjala për procesin e montuar politik, mjerisht u dëshmuan përsëri. Arrestimi i sërishëm i të pandehurve në aksionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, dëshmon se tezat tashmë të shfaqura se Mali i Zi dëshiron që “kapacitetin e vet juridik” ta provojë pikërisht me aksionin policor “Fluturimi i shiponjës”, siç duket, janë duke u bërë në vazhdime. Çdo gjë që nuk i shkon përshtat autoriteteve aktuale, qoftë edhe nëse vjen nga Gjykata e lartë, duhet të rishqyrtohet. Për fat të keq, edhe me këtë rast u dëshmua “pavarësia” e sistemit gjyqësor.

Mirëpo, sipas të gjitha gjasave edhe këtij sistemi të tillë po i afrohet fundi, gjë që paralajmërohet edhe nga deklaratat e përfaqësuesve diplomatikë të vendeve më të fuqishme të botës se më në fund duhet t’i vihet pikë proceseve të këtilla dhe të ngjashme, të cilët jo vetëm se nuk i shkojnë në favor pushtetit të këtushëm, por edhe dëmtojnë imazhin e këtij shteti i cili synon drejt integrimeve, por për këtë nuk janë as nuk duan të jenë të vetëdijshme vetëm strukturat e këtushme të pushtetit aktual.

Të pandehurve iu vazhdu paraburgimi, duke mos pritur as epilogun e ankesave para Gjykatës së Apelit. Përse tërë ky nxitim? Mos droja e pushtetit aktual mbi epilogun e ankesave, apo tentativa e mbajtjes së tensioneve, sepse definitivisht edhe përkundër paralajmërimeve mbi arratisjen e mundshme, nuk kishte mundësi për një gjë të tillë, shkaktoi aksionin kaq urgjent të arrestimit të atyre që u mbajtën në burg, pothuajse dy vite të plota, pa bazueshmërinë e dokumentuar të aktakuzës. Siç duket, pushteti përsëri ka rënë në grackën e paralajmërimit “të saktë” se të pandehurit do të ikin në drejtim të paditur. Përsëri, por kësaj radhe jo në agun e dritës, por me shfaqjen e muzgut të parë, ata i morën tashmë të arresturit, për fat të keq të autoriteteve të këtushme pa bërë rezistencë, që si duket fshehurazi e dëshironin.

Pohimet se të pandehurit do të bëjnë rezistencë dëshmojnë për kushedi të satën herë pabazueshmërinë e dyshimeve të regjimit se vërtetë është fjala për terroristët, siç tentoi t’i paraqesë pushteti i këtushëm. Prezantimi mediatik i tyre si të tillë, për fat të keq të regjimit të këtushëm, edhe një herë dështoi. Këtë më së miri dëshmon edhe mënyra e burgosjes së sërishme të të pandehurve në aksionin “Fluturimi i shqiponjës 2”.

Mirëpo, sikurse çdo gjëje tjetër në jetë, edhe kësaj do t’i vijë fundi, mirëpo, një qëndrim i këtillë natyrisht se nuk do t’i lirojë nga përgjegjësia ata që vendosin për rastet e këtilla dhe të ngjashme, por është plotësisht e mjaftueshme që ndërgjegjen (nëse e kanë), të mos e kenë të qetë. Sikurse edhe atyre që me “përkujdesjen e vet” mbi “mbrojtjen e shtetit” dhanë “informacione” për arratisjen e mundshme, për rezistencën me rastin e arrestimit etj., sikurse para pothuajse dy viteve, mbi përgatitjen e aksioneve terroriste në këto hapësira.
Duket se pushteti përsëri “ra në grackën” e informacioneve të tilla “të sakta”. Deri kur?
Për LD në MZ
Nikollë Camaj
Burimi / Malsia.org